Manastirliu: Shërbime sociale brenda qendrave shëndetësore

Manastirliu: Shërbime sociale brenda qendrave shëndetësore

Në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u zhvillua konsultimi i parë publik me grupet e interesit, organizatat dhe shoqatat e pacientëve për Strategjinë e parë të Kujdesit Shëndetësor Parësor.

“Kemi një element të ri, një risi që do të jetë në strategjinë e parë të kujdesit shëndetësor parësor që do të lançohet së shpejti, që përfshin integrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor me atë social. E para herë që mendohet dhe realizohet një integrim i shërbimeve brenda strukturës së qendrën shëndetësore, si një qendër komunitare, socio-shëndetësore”, - tha Manastirliu.

Ndryshime e pritshme konsistojnë në një qasje gjithëpërfshirëse. Me këtë reformë, do të kemi qendra që ofrojnë shërbime socio-shëndetësore të integruara: Që do të thotë, jo vetëm shërbime shëndetësore por edhe shërbime rehabilitimi, shërbime për personat me aftësi të kufizuar, fizioterapi, shërbime për shëndetin mendor, me ngritjen e ekipeve të përbashkëta, mjekë, infermierë, punonjës socialë, fizioterapeut, psikologë, etj – që do të krijojnë “skuadrën e re” të ofruesve të shërbimit në kujdesin shëndetësor parësor.

Në fjalën e saj ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu është shprehur se ky është fillimi i një procesi që do të sjellë një vizion të ri në kujdesin shëndetësor parësor në Shqipëri, me pacientin në qendër.

“Struktura e re me Operatorin Qendror të Kujdesit Shëndetësor dhe 4 operatorët rajonalë në territor është një strukturë e cila për herë të parë bashkon dhe rikonfiguron sistemin shëndetësor, duke integruar parësorin me spitalorin në të dy nivelet dhe duke realizuar mundësinë që qasja e sistemit shëndetësor të jetë mbi baza territoriale. Ky riorganizim do të shtrihet edhe në strukturat e ofrimit të shërbimit”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se me Strategjinë e Kujdesit Shëndetësor Parësor do të bëhet edhe një rishpërndarje e burimeve njerëzore (mjekë dhe infermierë) dhe financiare në territor për rritjen e efiçencës dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor parësor.

“Do të kemi një rishpërndarje të burimeve njerëzore pasi ndryshimet demografike na drejtojnë drejt ndryshimeve strukturore. Mënyra se si do e organizojmë është pikërisht struktura që kjo strategji do të propozojë. Aty ku numri i banorëve ka rënë për shkak të ndryshimeve demografike do të rishikohet mënyra e dhënies së shërbimit, sikundër aty ku ka shtim të numrit të banorëve do të riorganizhet shërbimi edhe me qendra të reja”, tha Manastirliu.

Në takimin e parë konsultativ për strategjinë e kujdesit shëndetësor parësor, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se zëri i pacientëve tashmë do të institucionalizohet dhe përfshihet edhe në vendimmarrje.

“Me ligjin e ri të kujdesit shëndetësor që miratohet së shpejti, krijohet për herë të parë Këshilli Kombëtar i Pacientëve, si organ këshillimor pranë Ministrit të Shëndetësisë, i cili, së bashku me Këshillin Kombëtar të Shëndetësisë, do të jetë pjesë e vendimmarrjes në hartimin e strategjive dhe programeve kombëtare të shëndetësisë, në ndryshimet ligjore dhe në përcaktimin e politikave prioritare shëndetësore”, tha Manastirliu.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

3 orë debate, PS braktis Komisionin Hetimor të Shëndetësisë! Vokshi: Po pengojnë hetimin

3 orë debate, PS braktis Komisionin Hetimor të Shëndetësisë! Vokshi: Po pengojnë hetimin