Ka marrë fund përplasja e Gjykata Kushtetuese me Gjykatën e Lartë për mandatin e Holta Zaçajt. Në mbledhjen e kësaj të hënë, ndryshe nga ç’pretendonte Zaçaj anëtarët e Kushtetueses kanë votuar kundër koleges së tyre.
Në argumentim, Gjykata Kushtetuese thotë se është shumë e rëndësishme procedura e ripërtëritjes së vetë Gjykatës, ndërsa e theksojnë edhe faktin se Zaçaj e dinte që kur u zgjidh se mandati i përfundonte më 10 mars 2025.
Kryetarja e Kushtetueses, Zacaj pretendonte se duhet të rrijë deri ditën e fundit të vitit 2025, ndërsa Gjykata e Lartë që e ka emëruar, shpalli vakancën në mënyrë të njëanshme pasi gjyqtarja duhet të ikë më 10 mars.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:
Sot, më 23.12.2024, ora 13:00, u çel seanca e radhës për shqyrtimin e kërkesës së Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës Holta Zaçaj, për deklarimin e mbarimit të mandatit të saj si gjyqtare kushtetuese.
Në përfundim Gjykata, me shumicë votash, vendosi: “ Deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës Holta Zaçaj, në datën 10.03.2025”.
Në arritjen e këtij përfundimi Gjykata vlerësoi se, neni 179, pika 3, i Kushtetutës nuk përcakton datën e mbarimit të mandatit, por vetëm vitin 2025. Edhe neni 86 i ligjit organik të Gjykatës përmban të njëjtin parashikim me normën kushtetuese. Po ashtu, dhe akti i zgjedhjes të kësaj gjyqtareje (vendimi nr. 2, datë 16.01.2023 i Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë) është shprehur se zonja Holta Zaçaj zgjidhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese deri në kryerjen e përtëritjes në vitin 2025.
Gjykata vuri re se qëllimi i nenit 179, pika 3, të Kushtetutës është garantimi i përtëritjes së rregullt të përbërjes së Gjykatës. Ajo, konstatoi, gjithashtu, se teksti i kësaj dispozite, në ndryshim nga neni 125, pika 7, i Kushtetutës, nuk flet për gjyqtarë pasardhës, por për gjyqtarin që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017.
Po kështu, Gjykata mbajti në konsideratë se Kushtetuta parashikon si datë të fillimit të detyrës betimin para Presidentit të Republikës (neni 129), kurse neni 8, pika 3, i ligjit organik, ndërsa përmban të njëjtin parashikim për fillimin e mandatit, përcakton se mbarimi i tij është në datën e njëjtë të atij muaji të vitit të nëntë, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe.
Në aktet e njoftimit të vakancës, organi i emërtesës, Gjykata e Lartë, ka specifikuar se gjyqtari i ri që zgjidhet qëndron në detyrë deri në mars 2025. Gjykata rithekson se parimi i pavarësisë nënkupton, gjithashtu, se gjyqtari, në momentin e emërimit, duhet të dijë kohëzgjatjen e këtij mandati, bazuar në rregullimet ligjore përkatëse dhe kjo kohëzgjatje nuk mund të lihet në diskrecion të organeve që e kanë emëruar/zgjedhur atë.
Gjykata, duke mbajtur në konsideratë se Gjykata e Lartë ka hapur në datën 11.12.2024 procedurën për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, duke llogaritur si datë të mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj datën 10.03.2025, si dhe duke pasur parasysh se kjo Gjykatë arriti në të njëjtin përfundim në lidhje me datën e mbarimit të mandatit të kësaj gjyqtareje, vlerësoi se vendimi i saj nuk ndikon në procedurën e vënë në lëvizje nga Gjykata e Lartë.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Nuk u ngope moj ndyrësirë duke çvatur...
Përgjigju