Marrëveshje PS-PD/ Kreshnik Spahiu: E harruan qeverinë teknike dhe mosbindjen civile! Teatër i dy aktorëve komikë! Vota e diasporës do i bëjë gropën opozitës

Zgjedhjet e 11 Majit, fushata elektorale, aleancat politike dhe a ka marrëveshje mes partive të mëdha, duke u nisur edhe nga ajo për Kodin Zgjedhor dhe listat e mbyllura.

Këto tema u analizuan dhe debatuan fortë në studion e “Frontline” mbrëmjen e sotme (23 Janar), në Report TV, të moderatores Marsela Karapanço.

Juristi Kreshnik Spahiu u shpreh se e gjitha kjo është një lojë dhe teatër politik, sepse PD njëherë kërkon qeveri teknike dhe bllokon rrugët me protesta dhe më pas ulet dhe bën marrëveshje të caktuara me PS. “Është një teatër i dy aktorëve më komikë që ka Shqipëria”, shprehet ai.

Kurse për votën e Diasporës u shpreh se i shërben vetëm mazhorancës aktuale, pasi do e "groposë opozitën" dhe mund të shërbejë si alibi për të kontestuar dhe kompromentuar zgjedhjet e 11 Majit.

“Nuk e besoj kurrë të ketë një marrëveshje, se Rama është zotuar para të gjithëve se s’bënte marrëveshje me ‘non grata’. Berisha ka thënë se nuk ulet kurrë të bëjë marrëveshje me narkoshtetin. Duhet të sqarojmë publikun nëse këta gënjejnë, apo të gjithë ne i kemi keqkuptuar se ky është një lajm i rremë dhe s’ka mundësi të ulen kaq lehtësisht këta! Nga një anë thonë revolucion, qeveri teknike, si mund ta harrosh për tre ditë dhe të bësh vëllazërim për 3 ditë?!”.

Por cila është arsyeja e sjelljes politike të dy partive të mëdha dhe drejtuesve të tyre, Sali Berisha dhe Edi Rama. Juristi Spahiu mendon se e gjitha është në funksion të dy familjeve dhe dy njerëzve të mësipërm.

“Arsyeja është e qartë, çdo gjë është në funksion që dy njerëz dhe dy familje të kontrollojnë gjithë sistemin politik, dhe çdo gjë tjetër, duke nisur rrogat, dosjet penale, nga proceset e vulës, nga akuzat dhe sharjet, duke vazhduar me djegien e karrigeve dhe bllokimin e semaforëve, është një teatër i dy aktorëve më komikë që ka Shqipëria. Dy muaj shfaqen, dhe pas dy muajsh bëjnë marrëveshje. E gjitha është dramë që na çon në atë që zgjedhjet janë fiktive si një ndeshje futbolli, dihet por vetëm tifozët dhe më budallenjtë shkojnë e ndjekin se janë tifozë me zemër të atyre skuadrave”, shprehet ai në analizën e tij për situatën politike para zgjedhjeve të 11 Majit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:03
Spahiu: Vota e Diasporës do i bëjë gropën Opozitës, pas zgjedhjeve PD do kërkojë heqjen e saj!

Juristi Kreshnik Spahiu tha sot në emisionin “Frontline” të Report TV, se vota e Diasporës do e groposë Opozitën dhe në veçanti PD-në, teksa e quajti bumerang dhe autogol të saj, për të cilën do bëhet pishman. Madje parashikoi se PD do kërkojë heqjen e kësaj vote pas zgjedhjeve.

“Vota e diasporës do i bëjë gropën opozitës. Ditët pas zgjedhjeve opozita do kërkojë heqjen e votës së Diasporës. Ky është autogol shumë i madh, është bumerang. Këto vota do i rrisin nga një deputet Partisë Socialiste në çdo qark, 10-15 mijë vota të emigrantëve për çdo qark, në total gati 150 mijë vota të diasporës, të gjitha shkojnë dhe favorizojnë PS-në. Kaq e thjeshtë është”, u shpreh Spahiu.

Juristi shtoi se pikërisht vota e diasporës mund të bëhet edhe alibi për parregullsi të zgjedhjeve pas 11 Majit.

Ora 22:37
Spahiu: Listat e mbyllura shkatërrojnë partitë e reja, sepse askush s’pranon të renditet i dyti! Ndaj Rama-Berisha i kanë futur në konflikt mes tyre

A do kenë shanse partitë e reja politike të marrin deputetë në zgjedhjet e 11 Majit me formulën e re dhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor?

Kjo ishte një nga temat e trajtuara sot në mbrëmje në emisionin “Frontline” të Report TV, ku i ftuar ishte edhe Kreshnik Spahiu.

Juristi u shpreh se fatkeqësisht fryma që kanë krijuar partitë e reja në opinion dhe mbështetja e deritanishme do zbehen 24 orë pas shpalljes së listës me emrat e kandidatëve për deputetë nga 2 partitë e mëdha PD dhe PS. Madje ai shpjegoi edhe arsyet me një analizë të detajuar.

“Do doja t’i thoja publikut arsyet kryesore pse PD dhe PS janë të interesuar për lista të mbyllura. Rama dhe Berisha duan në listat e mbyllura njerëzit më besnikë, qëndrestarë, të besuar, që kanë financuar etj. Por ka një gjë kryesore, të gjitha këto sondazhe që lidhen me partitë e reja bëhen reale 24 orë pasi shpallen listat e partive për deputetët. Deri në shkallën që opinioni qytetar i ka mbështetur dhe njihet me këtë listë. Deri në shpalljen e listave, partitë e reja janë në vështirësi. Sepse listat e mbyllura e vrasin partinë e re. Nëse partia e re ka ngritur frymë, ditën që shpallet ajo listë, treçereku i partisë së re largohet. Se partia e re si numër shpall vetëm një emër potencial, 15 emrat e tjerët nuk e kanë mundësinë. Mund të gjesh 16 emra me klane familje emra fise, biznesmenë. Vetëm 1 person lufton për vendin e parë, të tjerët janë numra, largohen nga partia e re”, shpjegon Spahiu vështirësitë që do kenë formacionet e reja politike që do garojnë më 11 Maj.

Mungesa e garës me pamundësinë që partitë e reja të kenë shanse për deputetë të dytë potencial dhe më tepër, sjell edhe këtë largim të mbështetësve gjatë fushatës. Juristi shpjegon se dy partitë e mëdha e kanë luksin të zgjedhin emra potencialë dhe t’i vrasin partitë e reja.

“30% duhet të jetë listë e mbyllur, pastaj vazhdohet me listën e hapur. Ju sa thatë se vihen emra kot për të mbushur listën, por që aty ka rënë pushteti i partive të reja, se detyrohesh të vësh emra formalë dhe ata tërhiqen,. Ata nuk luftojnë për vota, janë numra topi për të mbushur pushkën kot. Formula është e sforcuar.  Partitë e vjetra kanë luksin që të vendosin emra që të luftojnë të gjithë për votën. Partitë e reja kanë 1 ose 2 sepse të tjerët largohen kur shpallet lista, sepse ikin nuk gjejnë emrat ose gjejnë emra fiktivë”, tha ai.

Po a kanë shanse këto parti të vogla të fitojnë mandate në Tiranë dhe qarqet e tjera? Spahiu shprehet se e kanë të vështirë, për të mos thënë e pamundur, edhe pse uron që të 8 kryetarët e partive të reja ta fitojnë mandatin e tyre në kryeqytet, ku pritet edhe të kandidojnë.

“Duke hequr formulën e koalicioneve kanë hequr mundësinë e polit të tretë. Tirana ka hapësirë, por çfarë ndodh, do garojnë kryetarët e partive të reja, pra do jenë të parët emrat e kryetarëve të partive të reja në Tiranë, por sikur të gjithë këta të marrin nga 10 mijë vota (Shabani, Qorri, Shehaj, Lapaj etj.), do rrezikojnë prapë për të hyrë. Po të ishin bashkë mund të nxirrnin edhe 8 deputetë, pra mbi 80 mijë vota dhe uroj me gjithë zemër që të jenë të tetë, por duke qenë vetëm rrezikojnë të mos futet asnjë prej tyre. Kjo është lufta ndaj Rama dhe Berisha i kanë futur këta në konflikt me njëri-tjetrin, ky është qëllimi”.

Ora 21:54
Spahiu: Berisha refuzoi votën elektronike, që komisionerët e PD-PS të vjedhin votat e partive të reja! Vota e Diasporës s'është e fshehtë, do kompromentojë zgjedhjet

Juristi Kreshnik Spahiu ndau mendimin e PD dhe veçanërisht Opozita gabuan me procedurën e rënë dakord për mënyrën se si do votojë Diaspora. Ai u shpreh se marrëveshja mes palëve nuk e siguron votën e fshehtë të emigrantëve, sepse askush prej Shqipërisë nuk mund t’i shohë se si do votohet dhe ky proces mund të jetë kolektiv.

Në analizën e tij ai parashikoi se vota e Diasporës mund të përdoret si alibi për kontestim rezultati më 12 Maj, një ditë pas votimit. Ai e sheh problematike procedurën dhe shumë të gabuar.

Po ashtu edhe për votimin elektronik Spahiu thotë se është e gabuar refuzimi që iu bë për Tiranën. Dhe kjo tregon qëllimin e dy partive të mëdha, PD dhe PS për t’i pasur vetë kontrollin e votave në zonën më të madhe elektorale, kryeqytetin.

“Ka pasur propozim që Tirana që ka 1/3 e listës së deputetëve pothuajse, por edhe të numrit të popullsisë, për votën elektronike, me marrëveshje të PD-së është rënë dakord që të mos bëhet me ky votim elektronik. Pra PD dhe PS të vazhdojë të numërojë votat, me komision numërimi, që t’i kontrollojnë votat e t’i numërojnë vetë, të marrin dhe votat e partive të reja. Pra populli voton dhe këta numërojnë votat”, thotë Spahiu.

Por të gjithë problematikën juristi e shikon tek vota e Diasporës, për të cilën tha se do të jetë kolektive dhe jo e fshehtë, teksa opozita dhe veçanërisht PD do bëhet pishmnan për këtë procedurë që ra dakord. Madje Spahiu parashikon edhe kontestim të votave të Diasporës pas numërimit dhe përfundimit të zgjedhjeve.

“Vota e diasporës do kompromentojë të gjithë zgjedhjet dhe do krijojë alibi për kontestimin e zgjedhjeve. Sipas Kushtetutës, vota është e barabartë, e drejtë dhe e fshehtë. Por vota e diasporës nuk është e fshehtë, sepse filani i thotë punonjësve në Londër të restorantit hajdeni me kartat dhe dalin 200 vota, i merr, i mbush në restorant dhe i poston të gjitha. Kush e provon që vota do jetë kolektive, do jetë votë kolektive dhe jo e fshehtë? Marrim rastin e tjetrit, në një familje, janë 7 familjarë, ku do votojnë, në banjo apo kuzhinë, si do jetë e fshehtë?”, shprehet ai.

Dhe e vijon analizën dhe parashikimin procedurial, që e cilëson zgjedhje të gabuar nga ana e opozitës që ra dakord për këtë lloj praktike.

“Do e dëgjosh në datë 12, do jemi në emision dhe do shohësh si do qurraviten. Nuk do numërohet më 11 maj, do jetë dy muaj para kur del regjistri i emigrantëve që kanë votuar, sepse partia në pushtet i di me emra e vota se të kujt janë. Nëse janë 100 mijë, 60 i di se janë të vetët, ata 40 mijë të tjerët do ketë mundësi të veprojë nga Marsi, për t’i dubluar apo ndryshuar mendjen. Të gjitha këto, opozita e të tjerat do dalin rruar e qethur dhe rezultati i Diasporës do dali më para. Do bëhen pishman për procedurën e vendosur dhe do dalin të flasin”, përfundoi Spahiu.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 23 Janar, 09:41

    Secila parti në zgjedhje me 46 deputetët e parë të fiksuar, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Vota e Diasporës do i bëjë gropën Opozitës, pas zgjedhjeve PD do kërkojë heqjen e saj!

Spahiu: Vota e Diasporës do i bëjë gropën Opozitës, pas zgjedhjeve PD do kërkojë heqjen e saj!