TIRANË - Ministria e Arsimit ka nisur procesin e zbardhjes së shkeljeve për të gjitha universitetet që u është hequr licenca. Sekretari i Përgjithshëm i dikasterit te Arsimit Plarent Nderca, nisi transparencën për publikun me Universitetin "Vitrina" ku nga kontrolli kishte bërë 27 shkelje nga 37 të tilla që ministria ka vënë për universitet. Kryefjala e shkeljeve është dhënia e diplomave për programe të pamiratuara nga Ministria e Arsimit.
 
Shkeljet e tjera nga Universiteti “Vitrina” lidheshin me mungesën e dokumentacionit, mungesën transparencës, tarifa studimi jo fikse, mungesë personeli në numër por edhe pa kualifikim përkatës, raportim të dhënash false në Ministrinë e Arsimit etj.

Vetëm pak ditë më parë gjykata ka hedhur poshtë kërkesën e Universiteti “Vitrina”  për rrëzimin e Vendimit te Këshillit të Ministrave për heqjen e licensës duke argumentuar se vendimi është i drejtë dhe në përputhje me Kushtetutën.
Plarent Ndreca, sekretari përgjithshëm i MAS deklaroi se në ditët në vijim do të bëhen publike dhe të gjitha shkeljet që kane bërë Institucionet e tjera të Arsimit të Lartë që janë bërë shkak për heqjen e licencës.

Më poshtë janë disa nga shkeljet e Univeristetit "Vitrina"
1. Janë hapur programe studimi para se të licencohej. Regjistrimi është bërë para hapjes së programeve pa asnjë kusht, një vit para licencës dhe 2 vjet para lejes nga MAS.

2. Janë lëshuar diploma para akreditimit të programit.

3. Departamentet shkencore nuk kanë numrin minimal të anëtarëve të stafit nga 7 që është minimalja, dhe ata nuk kanë as gradat shkencore të përcaktuara.

4. Raporti personal akademik–student është më i ulët se 1/20.

5. Objekti nuk plotëson standardet e sigurisë.

6.  Nuk ka kontrata qeraje të rregullta.

7. Nuk ka laboratorë, nuk ka literaturë, nuk ka mundësi të kryejë praktikë.

8. Institucioni nuk ka tarifa fikse, për një vit studimi. Ato variojnë nga 350-700 euro.

9. Dokumentacioni i institucionit nuk administrohet.

10. Nuk ka depozituar garancitë bankare dhe nuk garanton vazhdimësinë e studimeve.

MAS: Ja 27 shkeljet e universitetit “Vitrina”
 
Zbardhet raporti i Ministrisë së Arsimit lidhur me shkeljet e konstatuara nga Inspektoriati i Arsimit të Lartë gjatë kontrollit të ushtruar në Universitetin “Vitrina”. Në këtë institucion janë konstatuar 27 shkelje ligjore nga 37 kritere që në total universitetet duhet të plotësonin. Ditën e djeshme Ministria e Arsimit nisi siparin e denoncimit të çdo shkeljeje të 18 institucioneve të arsimit të lartë privat të cilëve u është hequr licenca. Universiteti “Vitrina” ka qenë i pari në listë për të cilin janë denoncuar publikisht shkeljet e konstatuara nga Inspektoriati i Arsimit të Lartë.

PDF - Raporti Vitrina 18 Gusht 2014

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)