Gazment Bardhi thotë vetëm disa muaj më parë, në qershor, ka paralajmëruar në Kuvend se ishte SHISH ai që informonte Ergys Agasin që vijonte arratinë.

Në një deklaratë të shkëputur nga seanca e 4 qershorit, Bardhi shprehet:

“Pse nuk vendos në punë shefen tënde të shërbimit sekret apo i ke dhënë detyrën kryesore të informojë dhe mbrojë Ergys Agasin dhe ta mbrojë atë nga arrestimi i Prokurorisë së Posaçme. Shqipëria ka vetëm një armik: kryeministrin e vet, Edi Rama.”

Ndërsa sot, ai kërkon që kryeministri të japë dorëheqjen dhe të dalë para drejtësisë pasi SHISH dhe Policia e Shtetit kanë qenë nën shërbim të krimit të organizuar.

Kreu i grupit të PD shprehet se këtë shqetësim e ka ngritur vazhdimisht duke folur haptazi me emra. Sa për Ramën, shprehet se s’mund t’i shpëtojë dot firmës së tij poshtë emërimit të Hysenit.

“Çfarë duhet më që Edi Rama të japë dorëheqjen dhe të dalë para drejtësisë? Asnjë surprizë për mua nga aksioni i sotëm i SPAK që provon një nga aktet më të rënda të shtetit shqiptarë gjatë regjimit të Edi Ramës: SHISH dhe Policia e Shtetit nën shërbimin e krimit të organizuar.  E kam paralajmëruar këtë në Kuvendin e Shqipërisë më 4 Qershor 2026. Vlora Hyseni në shërbim të Ergys Agasit ishte një nga sekretet publike për të cilat kam ngritur shpesh shqetësimin gjatë këtyre tre viteve. Nuk kam përdorur figura letrare. Kam folur me emra dhe mbiemra, sepse nuk bëhej fjalë thjesht për Vlora Hysenin dhe Ergys Agasin. Bëhej fjalë për Shërbimin Informativ të Shtetit në duart e krimit të organizuar. Ka një firmë poshtë emërimit të Vlora Hysenit. Është firma e Edi Ramës. Dhe nga ajo firmë ai e di që nuk shpëton dot”, shkruan Bardhi.


Lajmi kryesor:

Arresti për drejtoreshën e SHISH, opozita kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë: Të sqarohet nëse janë cenuar informacionet shtetërore dhe siguria e qytetarëve