Por, deputeti socialist Anastas Angjeli u shpreh se edhe Banka Qendrore ka përgjegjësitë e saj për krizën e kredive.
"Banka e Shqipërisë mendoj se duhet të luajë një rol më aktiv në mbështetjen e ekonomisë, në krijimin e stimujve për të përmirësuar më tej klimën e kredidhënies në vend, zbutjen e politikave konservatore të bankave në kreditim, që shfaqen edhe nëpërmjet kushteve të tjera të zbatuara nga bankat me aktivitete kredituese", tha Angjeli.
Ish-ministri i Financave Angjeli deklaroi se Banka duhet të bënte më shumë edhe për të frenuar Qeverinë Berisha për të mos rritur borxhin. "Duhet të rrisim më tej rolin e saj, si sinjalizator, për reagime të shpejta ndaj zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend, së dyti, aq sa i takon, Banka e Shqipërisë duhet të jetë më aktive në ruajtjen e nivelit të borxhit publik", tha Angjeli.
Fullani, nga ana e tij, pranoi se politika monetare dhe masat e tjera nxitëse për nxitjen e kreditimit kanë dhënë rezultate të pjesshme, për shkak të dobësisë së ekonomisë reale dhe pasigurisë së lartë mes konsumatorëve, bizneseve dhe bankave. Sipas Guvernatorit, borxhi publik ngelet një problem i thellë strukturor për ekonominë. Marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar është një bazë e mirë për të orientuar konsolidimin fiskal, por Guvernatori kërkoi edhe njëherë vendosjen e një rregulli fiskal transparent që të garantojë ruajtjen e niveleve të pranueshme të borxhit në të ardhmen.
Në raportin për aktivitetin gjatë vitit 2013, Banka e Shqipërisë theksoi edhe njëherë nevojën për reforma strukturore, që do të jenë themeli për një model të ri ekonomik të vendit. Modeli aktual, i mbështetur te konsumi i mallrave të importit dhe shërbimet, nuk garanton një rritje të qëndrueshme në të ardhmen, ndaj reformat duhet të synojnë zhvillimin e sektorëve prodhues e rritjen e eksporteve. “Zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara gjatë vitit, rritën pasigurinë tek agjentët ekonomikë. Sjellja fiskale gjatë vitit 2013 rezultoi në një defiçit buxhetor prej 65.4 miliardë lekësh, nivel ky 42% më i lartë se ai i një viti më parë.” tha Fullani. Fenomen dominues në ekonomi për vitin 2013, sipas tij, ishte ulja e kreditimit që ngadalësoi edhe biznesin.
Fullani kërkoi përmirësimin e klimës së biznesit, zhvillimin e një modeli të ri të rritjes ekonomike, të bazuar në aktivitetet prodhuese dhe eksportuese, si dhe zgjidhjen e problemeve ligjore, ende të pranishëm në fushën e ekzekutimit të kolateralit.
Shkrimi u publikua sot 24 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)