TIRANË- Report Tv ka pyetur qytetarët në kryeqytet për masat që kanë marrë për t'u mbrojtur nga koronavirusi. Të gjithë ndaj të njëjtin qëndrim se kanë evituar ambientet e mbyllura me shumë njerëz dhe mbi të gjitha kanë marrë masa të shtuara për higjienën vetjake.

"Dezinfektuesit, letrat i kamë edhe në çantë. Nuk i frekuentoj ambientet e mbyllura në asnjë mënyrë. Ja tani kam dalë në ambient të hapur me fëmijën, pasi kam frikë nga koronavirusi, kështu që po mbrojmë veten dhe fëmijët tanë".

"Mua më vjen mirë që dje pati një vendim qeverie për koronavirusin. Është interesante. Unë personalisht si qytetar i kam 5-6 gjëra të kristalizuara. Larjen, pastrimin mos futjen në ambientet që ka shumë njerëz".

"Universitetet na janë mbyllur që të gjitha dhe po mundohemi që të rrimë në shtëpi. Mundohemi sa më shumë që të lajmë duart. Të jemi sa më të pastër. Përveç shtëpisë, asnjë ambient tjetër nuk frekuentoj për momentin sepse është një gjendje me të vërtetë alarmante përderisa u mbyll çdo gjë. Virusi po përhapte kështu që është mirë që gjithsecili nga ne të rrijë në shtëpi dhe të zbatojë kushtet bazë dhe rregullat e higjienës".

"Lajmë duart, kemi blerë sapun, vendosim ndonjë shall. Dalim në ambiente të hapura, po shfrytëzojnë diellin që të djegin këto mikrobe", shprehen disa nga qytetarët.