Në çdo luftë vjen një moment kur gjithçka kthehet në lojë mashtrimi. Informacionet rrjedhin me pikatore, skenarët hidhen në tavolinë dhe kundërshtari shtyhet të bëjë gabimin e radhës. Edhe diskutimi për një operacion amerikan në ishullin Kharg mund të jetë pikërisht një manovër për të ngatërruar Teheranin. Por mund të jetë edhe diçka më serioze, sepse nuk bëhet fjalë për një vend të zakonshëm.
Kharg ndodhet rreth 25 kilometra nga bregu iranian dhe është pika kryesore nga ku Irani eksporton naftën. Rreth 90% e naftës që del nga vendi kalon pikërisht nga ky ishull, me një pjesë të mirë që shkon drejt Kinës. Prej dekadash, impiantet aty janë konsideruar aset strategjik dhe për këtë arsye autoritetet iraniane kanë investuar për t’i forcuar dhe mbrojtur.
Edhe gjeografia e bën ishullin të pazëvendësueshëm. Ujërat e Gjirit Persik janë relativisht të cekëta dhe Kharg është ndër të paktat pika ku anijet cisternë mund të ngarkojnë sasi të mëdha nafte.
Ideja për të marrë nën kontroll një qendër të tillë energjie nuk është e re për Uashingtonin. Në të kaluarën, Pentagoni kishte shqyrtuar plane për të kontrolluar instalime nafte në vende të tjera si mënyrë presioni ndaj regjimeve armiqësore. Madje studiuesit kujtojnë edhe një precedent më të hershëm: në vitin 1979, në një takim në Shtëpinë e Bardhë, presidentit të atëhershëm Jimmy Carter iu paraqit një draft për të marrë Kharg nga Irani. Ideja u la mënjanë, sepse rreziku konsiderohej i madh.
Edhe gjatë luftës Iran-Irak në vitet 1980, ishulli u bombardua disa herë nga forcat e Saddam Husseinit, në përpjekje për të mbytur ekonomikisht Republikën Islamike.
Sot, edhe pse sulmet kanë goditur objekte të tjera të lidhura me naftën iraniane, tubacionet dhe terminalet e Kharg kanë mbetur jashtë objektivave. Për shumë analistë kjo është një zgjedhje e qëllimshme: një kartë e rëndë që mund të përdoret më vonë në përballje.
Një operacion për ta marrë ishullin do të ishte gjithsesi shumë i rrezikshëm. Zona është në pjesën veriore të Gjirit Persik dhe Irani ka kapacitete për të shkaktuar humbje. Për më tepër, Shtëpia e Bardhë duhet të jetë gati të pranojë pasoja politike nëse përfshihet në një operacion të gjatë tokësor.
Presidenti Donald Trump ka lënë gjithçka pezull. Ai ka përjashtuar për momentin dërgimin e trupave amerikane brenda Iranit, por nuk ka mbyllur plotësisht asnjë skenar.
Ndërkohë një tjetër rrezik qëndron në horizont. Teherani mund të godasë instalimet e naftës në Arabinë Saudite apo në vende të tjera të Gjirit, duke thelluar krizën e tregut të energjisë. Mesazhi i Iranit ka qenë gjithmonë i njëjtë: nëse ne nuk mund të shesim naftën tonë, atëherë nuk do ta bëjë askush në rajon.
Pavarësisht tensioneve dhe sulmeve, në Kharg puna vazhdon. Në këto ditë, punëtorët kanë rritur prodhimin dhe disa tankerë janë furnizuar për t’u nisur drejt tregjeve. Një shenjë e qartë se trafiku i naftës vazhdon, me çdo kusht./CorrieredellaSera
Komente










