Policia e Shtetit njofton qytetarët se është evidentuar një skemë e re mashtrimi përmes mesazheve SMS, e ngjashme me atë të “Postës Shqiptare”, për të cilën është depozituar kallëzim edhe nga vetë institucioni (Posta Shqiptare),  pranë strukturave për Hetimin e Krimive Kibernetike në Policinë e Shtetit.

Mesazhet paraqiten në mënyrë të rreme si njoftime nga e-Albania për pagesën e gjobave të automjeteve dhe përmbajnë linqe të falsifikuara që drejtojnë përdoruesit në faqe të rreme, me qëllim përvetësimin e të dhënave personale dhe bankare.

Blutë njoftojnë se këto mesazhe janë mashtrim dhe nuk kanë asnjë lidhje me e-Albania apo me institucionet shtetërore. Policia u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në linke të dërguara përmes SMS-ve nga numra të panjohur, të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe të pakonfirmuara dhe të mos veprojnë nën presionin e mesazheve që krijojnë urgjencë.