Mashtrimi me ngrohjen/ Abuzimi që 'ngriu' studentët e mjekësisë dhe inxhinierisë

Mashtrimi me ngrohjen/ Abuzimi që 'ngriu' studentët e mjekësisë dhe inxhinierisë

Foto ilustruese

Mashtrim me lëndën djegëse për ngrohjen e studentëve të inxhinierisë së ndërtimit, të mjekësisë, infermierisë dhe të Universitetit të Sporteve në konvikte në Tiranë. Ndërmarrja shtetërore përgjegjëse për krijimin e kushteve për strehimin e studentëve në fjalë në konvikte ka blerë lëndë djegëse për ngrohje në vitin 2016, pa plotësuar asnjë kriter dhe të ndryshme nga lënda (solar), e përcaktuar në tender. Kjo ka sjellë jo vetëm dëm ekonomik, por edhe mungesë ngrohje në konvikte. Ky është një ndër konstatimet e Kontrollit të Lartë Shtetit në një raport të vitit 2017, për auditimin e veprimtarisë ekonomike të Ndërmarrjes “Trajtimi i studentëve nr. 2 SHA Tiranë”, nga data 01.01.2015 deri më datën 30.06.2017. “Nga verifikimi në sistem në lidhje me raport analizën e paraqitur nga operatori ekonomik “T...” Sh.p.k, shpallur fitues, rezulton se raport analiza mban datën 06.02.2016 dhe jo për lëndë djegëse solar, por mazut. Gjithashtu, parametrat e lëndës djegëse nuk janë në përputhje me specifikimet teknike. Lënda djegëse e paraqitur në ofertë nga operatori ekonomik fitues, nuk është e njëjtë me kërkesat e dokumentacionit të tenderit dhe nuk plotëson asnjë kriter të përcaktuar, po ashtu lënda djegëse e ofruar nga operatori ekonomik i skualifikuar plotëson kriteret e vendosura. Duke marrë në konsideratë se Autoriteti Kontraktor ka kërkuar blerjen e një sasie solari rreth 70000 litra, operatori ekonomik fitues ka paraqitur analizë vetëm për 500, litra, ndërkohë që operatori ekonomik i skualifikuar ka paraqitur analiza për sasinë 200000 litra. Veprimet e mësipërme janë në kundërshtim me Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, neni 45 dhe neni 46”, thuhet në raportin e KLSH.

Punonjës parazitë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se në shoqërinë që administron konviktet e studenteve të inxhinierisë, të mjekësisë, infermierisë dhe sporteve ka punësime të panevojshme dhe dublim të detyrave. “Në strukturën e shoqërisë ka punësime të pa nevojshëm siç është koordinatori, punën e të cilit mund të kryejë zv/administratori. Në strukturë “Dega e hotelerisë” paraqiten 8 përgjegjës godinash dhe 8 zv/përgjegjës godinash. Në Rregulloren e Brendshme të Shoqërisë, përcaktohet se, zv/përgjegjësi i godinës ka të njëjtat kompetenca, përgjegjësi dhe detyra me përgjegjësin e godinës, me përjashtim të shpërndarjes së bazës materiale, pra kemi të bëjmë me një dublim të pa nevojshëm të detyrave dhe përgjegjësive. Në Degën e hotelerisë ka të punësuar 7 punonjës dushesh, ndërkohë që në degën teknike ka të punësuar 33 punonjës shërbimesh të profesioneve të ndryshme si marangoz, hidraulik, elektricist, murator, zhbllokues, bojaxhi, specialist tension i lartë, kaldajist, saldator, elektromekanik, punëtor ngarkim shkarkimi (20 sektori i ndërtimit dhe 13 sektori mjekësi)”, thuhet ën raport. Sipas raportit, në strukturën e shoqërisë “Dega teknike” ka të punësuar 5 elektricistë, 3 të tensionit të ulët dhe 2 të tensionit të lartë, një numër punonjësish plotësisht i pa arsyeshëm. Janë të punësuar 8 punonjës gjelbërimi, ndërkohë që sipërfaqja e gjelbëruar në dispozicion të godinave në administrim të shoqërisë është shumë e kufizuar.

Punonjësit pa arsim

KLSH ka arritur në konkluzionin se punonjësit janë pa arsim përkatës. “Janë punësuar punonjës me arsimin profesional të papërshtatshëm për pozicionin e punës që mbajnë, duke cituar si raste, pozicioni punonjës socialë me profesion mësuesinë, pozicioni specialistë planifikimi me profesion jurist, 2 pozicione specialist marketingu me profesion shkenca politike dhe pikturë dizajn, 2 pozicione përgjegjës kulture me profesion ekonomist dhe teknologji ushqimore, etj. Pavarësisht se emërimi i këtyre punonjësve është realizuar në vite, nga ana e drejtuesve të shoqërisë duhet të bëhej punë më e mirë për emërimin e punonjësve sipas sektorëve duke i përshtatur me pozicionin e punës që kanë, si dhe rekrutimin e punonjësve të ri sipas kërkesave të vendit të punës”, thuhet ën raport.

Blerjet e vogla

Kontrolli i Lartë i Shtetit ngre dyshime për abuzimeve me blerjet e vogla. Sipas KLSH “lidhur me transaksionet e kryera për blerjet me vlerë të vogël, në asnjë rast nga titullari nuk janë marrë masa për të përcaktuar një person përgjegjës për zbatimin e kontratave dhe në mungesë të këtyre të fundit, për firmosjen e faturës tatimore të mallrave ose shërbimeve, duke qenë se vlen si e tillë. Në këto raste, rezulton se faturat e

dorëzuara janë firmosur herë nga magazinieri, herë nga shefi i financës, apo nga persona të tjerë të cilët mund të kenë qenë të pranishëm. Kryesisht për shpenzime të kryera për shërbime riparimi, mirëmbajtje apo blerje pajisjesh këmbimi, nuk janë ngritur grupet e marrjes në dorëzim apo të verifikimit të ndërhyrjeve. Pothuajse në asnjë rast, njësia e prokurimit të blerjeve me vlerë të vogël, nuk parashikon kritere kualifikuese për operatorët ekonomik, pasi në kundërshtim me përcaktimet ligjore nuk kërkon asnjë dokumentacion që vërteton kapacitetin teknik, ekonomik dhe financiar të operatorëve pjesëmarrës”.

Si i shkatërroi mandati i Bashës hapësirat publike në Qytetin Studenti

Për katër vite, gjatë mandatit të Lulzim Bashës si kryetar të Bashkisë së Tiranës, Qyteti Studenti u sakatua në mënyrë të pandërprerë, falë lejeve të ndërtimit të akorduara brenda perimetrit të konvikteve apo direkt ngjitur me to. Sipas Lexo.al goditja më e madhe për Qytetin Studenti u regjistrua në vitin 2013, kur Plani i Ri i Përgjithshëm Vendor i Bashkisë së Tiranës shndërroi në hapësirë ndërtimi zonën midis “Rrugës së Elbasanit, "Unazës së Re" dhe rrugëve “Pjetër Budi” e “Arben Broci”, që janë dy rrugët paralele që kufizojnë QS nga të dyja anët. Si rrjedhojë, siç tregojnë edhe pamjet e satelitit, gjatë këtij 4-vjeçari, brenda perimetrit të konvikteve, në skajin verilindor të tij, u ndërtua një kompleks banimi. Fotot e bashkëngjitura tregojnë se si ky kompleks është vetëm 10 metra larg godinave të konvikteve. Në të gjithë zonën buzë rrugës “Gramoz Pashko”, rruga që bie vertikal me Fakultetin Ekonomik, vilat dy-katëshe janë zëvendësuar në masën më të madhe nga godina të larta banimi. Ndërkohë, kësaj babëzie nuk i ka shpëtuar edhe fusha e Qytetit Studentit, ku buzë së cilës janë dhënë leje për ndërtimin e një numri pallatesh. Këto ndërtime do të bëjnë në të ardhmen shumë më të kushtueshme për Bashkinë e Tiranës ngritjen e kampusit universitar modern në Qytetin Studenti. Kjo sepse ashtu siç po ndodh tek Unaza e Madhe, një numër ndërtimesh të ndërtuara gjatë kësaj periudhe do të jetë e detyruar që të prishen dhe kjo do të ketë një kosto të madhe të shtuar për taksapaguesit.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë