“Studentët që aplikojnë në institucionet publike të arsimit të lartë për të vazhduar studimet në një program studimi të ciklit të dytë, me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave”/“Master i Arteve të Bukura”, për vitin akademik 2014-2015, përzgjidhen në bazë të kritereve të vendosura nga vetë këto institucione.” thuhet në vendimin e Qeverisë. Po kështu, ky vendim ka parashikuar edhe një rritje të kuotave të pranimit sa i përket masterit profesional. Nga 6393 kuota të parashikuara pak javë më parë, tashmë me vendimin e ri do të jenë 7223 kuota pranimi të ndara në 7073 kuota për pranimet e reja.
Ndërkohë që për kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit janë parashikuar 6653 kuota pranimi. Sipas tabelës shtesat shkojnë kryesisht për Universitetin Bujqësor të Tiranës i cili përfiton 650 kuota nga 830 që janë shtuar në total. Ndërkohë që kuotat e tjera shkojnë për Universitetin Politeknik dhe atë të Vlorës. Po kështu, në vendim janë parashikuar edhe tarifat e shkollimit si për programet master profesional ashtu edhe për master shkencor. Sipas të dhënave rezulton se tarifa për kreditet për program të parë shkon nga 1000 deri në 1200. Ndërkohë që tarifa për kreditet për program të dytë studimi shkon 1200 deri në 1400. MAS, Agjencia Kombëtare e Provimeve dhe institucionet publike të arsimit të lartë do të ngarkohen për zbatimin e këtij vendimi.
Vendimi i Këshillit të Ministrave për kuotat, tarifat dhe kriteret për masterat
VENDIM PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.668, DATË 15.10.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KUOTAT E PRANIMIT DHE TARIFAT E SHKOLLIMIT NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË PËR PROGRAMET E STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË ME KOHË TË PLOTË, “MASTER PROFESIONAL” DHE “MASTER I SHKENCAVE” APO “MASTER I ARTEVE TË BUKURA”, PËR VITIN AKADEMIK 2014 - 2015”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 34, 36 e 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye ose për shkak të detyrës”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.668, datë 15.10.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Paragrafi i parë, i pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Kuotat e përgjithshme të pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2014-2015, në programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional”, janë 7 223 (shtatë mijë e dyqind e njëzet e tre) kuota gjithsej, të ndara, si më poshtë vijon:”.
2. Shkronja “a”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Kuotat për pranimet e reja 7073”.
3. Shkronja “a”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit 6653”.
4. Pas shtojcës 1 shtohet shtojca 1/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
5. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Kuotat e pranimit në programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve të Bukura”, të parashikuara, përkatësisht, në shkronjat “a”, të pikave 2 dhe 4, të këtij vendimi, të ndara sipas programeve të studimit në institucionet publike të arsimit të lartë, pasqyrohen përkatësisht në tabelat nr.1, nr.1/1 dhe nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi.”.
6. Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Studentët transferojnë studimet nga një program i ngjashëm studimi i mëparshëm “Master Profesional” në një program tjetër studimi “Master Profesional” apo nga një program studimi “Master i Shkencave” ose “Master i Arteve të Bukura” në një program tjetër studimi “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve të Bukura”, në institucionet publike të arsimit të lartë, duke iu nënshtruar tarifës për kredit të programit të studimit, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet, të përcaktuar në tabelat nr.1, nr. 1/1 dhe nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi.”.
7. Pika 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“14.Studentët që aplikojnë në institucionet publike të arsimit të lartë për të vazhduar studimet në një program studimi të ciklit të dytë, me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave”/“Master i Arteve të Bukura”, për vitin akademik 2014-2015, përzgjidhen në bazë të kritereve të vendosura nga vetë këto institucione.”.
8. Pika 17 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“17. Tarifat e shkollimit për kredit për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë, për të gjitha programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve te Bukura”, në vitin akademik 2014 - 2015, pasqyrohen përkatësisht në tabelat nr.1, nr. 1/1 dhe nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi.”.
9. Pika 20 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“20. Studentët, që transferojnë studimet në një program studimi të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve të Bukura”, në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen tarifës për kredit për program të dytë studimi, sipas tabelave nr.1, nr. 1/1 dhe nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi, për lëndët e mbetura në programin e studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet.”.
II. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Provimeve dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Vendimi/ Ja rregullat për të përfituar bursë
V E N D I M PËR KUOTAT FINANCIARE TË USHQIMIT NË MENSA E KONVIKTE, BURSAT E SHTETIT DHE PAGESAT E NXËNËSVE E TË STUDENTËVE NË INSTITUCIONET ARSIMORE PUBLIKE, PËR VITIN SHKOLLOR 2014 - 2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, 19 e 28, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 57, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 1 e 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të nenit 29, të ligjit nr.8872, datë 29.3.2002, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Nxënësit që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike dhe studentët që ndjekin një program studimi të ciklit të parë, me kohë të plotë, në institucionet arsimore publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, të parashikuara në këtë vendim, nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MMSR).
2. Përfitojnë bursë nxënësit dhe studentët brenda kuotave dhe këtyre kritereve:
2.1 Sipas kriterit ekonomik (nxënës/studentë)
a) Nxënësit/studentët që vazhdojnë studimet në largësinë mbi 5 km nga vendbanimi i tyre dhe plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Nxënësit që banojnë në fshat, që nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km e që akomodohen në konvikte publike;
c) Nxënësit/studentët që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik;
ç) Nxënësit/studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore, me vendim gjykate të formës së prerë, dhe që plotësojnë kriterin ekonomik;
d) Secili nga studentët bashkëshort me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik dhe që akomodohet në konvikt publik;
dh) Fëmijët, nxënës apo studentë, që gëzojnë statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.
2.2 Sipas rezultateve të arritura (nxënës/studentë)
a) Nxënësit e arsimit profesional që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta);
b) Nxënësit që vazhdojnë studimet në shkollat profesionale në drejtimet mësimore: Bujqësi, Veterinari, Pyje, Ndërtim, Peshkim, Gjeologji-Miniera dhe Shpim e Shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8 (tetë);
c) Studentët e regjistruar në vitin e parë të shkollës së lartë, që janë shpallur nga MAS më të mirët e Maturës Shtetërore, sipas renditjes në listën e vlerësimit, të realizuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Për vitin akademik 2014-2015, numri i tyre do të jetë 25 (njëzet e pesë) studentë. Kjo kategori studentësh përfiton bursë kur ata vazhdojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë publik dhe vetëm për vitin akademik 2014-2015;
ç) Studentët që kanë përfunduar vitin akademik pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta);
d) Studentët që vazhdojnë studimet në programet e studimit
Matematikë dhe Fizikë, në vitin e dytë e lart, dhe kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8 (tetë).
2.3 Jashtë kriterit ekonomik (nxënës/studentë)
Fëmijët e punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.
Në fillim të çdo viti akademik, (por jo më vonë se data 15 dhjetor 2014), Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimi Informativ Shtetëror duhet të dërgojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë listën edhe për këtë kategori nxënësish/studentësh.
2.4 Sipas degëve parësore të zhvillimit ekonomik të vendit (nxënës)
a) Nxënësit e shkollave profesionale që ndjekin drejtimet mësimore: Bujqësi, Veterinari, Pyje, Ndërtim, Peshkim, Gjeologji-Miniera dhe Shpim e Shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit;
b) Nxënësit e shkollave profesionale me vendbanim të përhershëm në zonat Verilindore dhe Juglindore të vendit: Dibër, Bulqizë, Mat, Kukës, Has, Tropojë, Pukë, Mirditë, Malësi e Madhe, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Përmet, Pogradec, Skrapar dhe Tepelenë.
3. Nxënësit dhe studentët e të gjitha kategorive të mësipërme nuk përfitojnë bursë, ose humbasin të drejtën e përfitimit të saj, kur:
a) janë ndarë nga trungu familjar;
b) familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private;
c) vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi;
ç) shpallen ngelës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese.
4. Ministria e Arsimit dhe Sportit harton planin e shpërndarjes së bursave për drejtoritë arsimore rajonale (DAR) dhe zyrat arsimore (ZA), për studentët që regjistrohen dhe ndjekin vitin e parë akademik 2014-2015, sipas kuotave të miratuara (për studentë). DAR/ZA-të, pas këshillimit me njësitë bazë të qeverisjes vendore, hartojnë planin e shpërndarjes së bursave dhe e dërgojnë atë në njësitë bazë të qeverisjes vendore (bashki/komunë), në përshtatje me kërkesat e paraqitura paraprakisht prej tyre, për kategoritë sipas pikës 2.1, të këtij vendimi.
5. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, pas këshillimit me njësitë bazë të qeverisjes vendore ku ndodhen shkollat profesionale, harton planin e shpërndarjes së bursave për nxënësit e shkollave profesionale që regjistrohen dhe ndjekin vitin e parë akademik 2014-2015 dhe ua dërgon për miratim njësive bazë të qeverisjes vendore (bashki/komunë), në përputhje me vendndodhjen territoriale të shkollës profesionale.
6. Njësitë bazë të qeverisjes vendore, bazuar në planin e përcaktuar për to, vendosin, me këshillat e tyre, dhënien e bursave, sipas kritereve të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 dhe 2.4, të këtij vendimi, duke u dhënë përparësi nxënësve/studentëve nga shtresat sociale në nevojë, për trajtimin me bursë të plotë, për kushte të barabarta në trajtimin me bursë, prioritet kanë nxënëset vajza. Njësitë bazë të qeverisjes vendore, në pamundësi trajtimi me bursë të plotë, brenda planit të miratuar, mund të trajtojnë/ miratojnë dhe 1/2 (gjysmë) burse.
6.1 Njësitë bazë të qeverisjes vendore, detyrimisht, duhet t'u dërgojnë zyrtarisht, jo më vonë se data 31.12.2014, institucioneve publike të arsimit të lartë, njësive bazë të qeverisjes vendore, drejtorive arsimore rajonale apo zyrave arsimore përkatëse vendimet për dhënien e bursave, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës.
6.2 DAR/ZA-të duhet të dërgojnë pranë institucioneve të arsimit të lartë, si dhe bashkive/komunave që menaxhojnë konviktet, listën emërore të nxënësve dhe të studentëve përfitues të bursës, së bashku me vendimet origjinale të këshillave të bashkive dhe të këshillave të komunave. Një kopje e listës emërore të nxënësve dhe studentëve të trajtuar me bursë dërgohet edhe në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, jo më vonë se data 15 Janar 2015.
6.3 DAR/ZA-të dhe Drejtoritë e Shkollave Profesionale, për nxënësit që regjistrohen dhe vazhdojnë studimet në vitin e parë shkollor 2014-2015, në degët: Bujqësi, Veterinari, Pyjore, Ndërtim, Peshkim, Gjeologji-Miniera dhe Shpim e Shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, u dërgojnë informacion njësive bazë të qeverisjes vendore jo më vonë se data 30.10.2014.
6.4 Njësitë bazë të qeverisjes vendore vendosin për dhënien e bursave, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale dhe konvikteve në të cilat janë vendosur nxënësit, mbështetur në numrin e nxënësve të regjistruar në këto degë, brenda numrit të përgjithshëm të bursave të dhëna për vitin akademik 2014-2015. Njësitë arsimore vendore DAR/ZA dhe Drejtoritë e Shkollave Profesionale menjëherë, me mbarimin e regjistrimit në këto degë, dërgojnë informacion në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MMSR).
7. Bursat e nxënësve, për vitin e dytë e lart, rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit, nga këshilli i bashkisë/komunës, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale dhe konvikteve ku janë vendosur nxënësit përfitues të bursës/kuotës ushqimore.
Drejtoritë Arsimore Rajonale/Drejtoritë e Shkollave Profesionale paraqesin/dërgojnë zyrtarisht, në njësitë vendore, kërkesat për miratim burse për nxënësit që përfitojnë bursë sipas pikave 2.2, shkronja “a”, 2.2, shkronja “b” dhe 2.2, shkronja “c”, të këtij vendimi.
Nxënësit që kanë përfituar bursë vitin e parë, me vendim të këshillit të bashkisë/komunës ku ata kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës.
Nxënësit e viteve të III-ta të shkollave të mesme “Nazmi Rushiti”, Dibër dhe “Havzi Nela”, Kukës, të cilët transferojnë programet e nivelit të dytë në shkollat e mesme profesionale Shkodër, (pra nga njësitë vendore Bashkia Peshkopi dhe Bashkia Kukës në njësinë vendore Bashkia Shkodër), njëkohësisht transferojnë, zyrtarisht, në Bashkinë Shkodër, numrin e bursave (listën e nxënësve) që kanë përfituar bursë për vitin shkollor 2014-2015.
Për nxënësit e tjerë të viteve të III-ta të shkollave së mesme “Nazmi Rushiti”, Dibër dhe “Havzi Nela”, Kukës, që plotësojnë kriteret ekonomike dhe kriterin e largësisë nga vendbanimi, sipas pikës 2.1, kërkesat e tyre shqyrtohen dhe trajtohen me bursë nga njësia e qeverisjes vendore Bashkia Shkodër.
7.1 Nxënësit që kanë përfituar bursë e përfitojnë atë edhe gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës profesionale. Bursa jepet në formën e kuotës ushqimore, nga njësia bazë e qeverisjes vendore gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës mësimore.
Nxënësve të klasës së 13-të të shkollave profesionale, të drejtimit Termohidraulikë, për periudhën e zhvillimit të praktikës profesionale, të miratuar për vitin akademik 2014-2015, që nuk kanë përfituar bursë me vendim të këshillave të njësive të qeverisjes vendore, u akordohet/miratohet bursë nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, mbështetur në kërkesën e Drejtorisë Arsimore Rajonale.
Bursat e akorduara/miratuara nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë u dërgohen zyrtarisht njësive bazë të qeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit që zhvillojnë praktikën profesionale. Nxënësit e përfitojnë bursën në formën e kuotës ushqimore.
Drejtorët e shkollave profesionale e social-kulturore dërgojnë zyrtarisht, çdo muaj, pranë njësive bazë të qeverisjes vendore, informacion për frekuentimin e shkollës/praktikës profesionale, për nxënësit që përfitojnë bursë.
8. Bursat e studentëve, për vitin e II-të e lart, rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit nga institucionet publike të arsimit të lartë. Studentët e vitit II e lart, që nuk kanë përfituar bursë dhe plotësojnë kriterin ekonomik, mund të përfitojnë bursë brenda numrit të planit të bursave, të përcaktuara sipas këtij vendimi.
Numri i bursave për këtë kategori studentësh dhe për studentët që përfitojnë bursë, sipas pikës 2.2, është deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë), në shkallë vendi, brenda numrit të përgjithshëm të bursave të dhëna për vitin akademik 2014-2015. Institucionet publike të arsimit të lartë paraqesin në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit kërkesat për studentët që përfitojnë bursë sipas pikave 2.2, shkronja “ç”, 2.2 shkronja “d”, dhe 2.2 shkronja “dh”, të këtij vendimi.
MAS-i harton planin e shpërndarjes dhe e dërgon për ekzekutim në institucionet publike të arsimit të lartë. Studentët, të cilë kanë përfituar bursë vitin e parë, me vendim të këshillit të bashkisë/komunës ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës.
9. Nga plani i bursave të miratuara për vitin akademik 2014-2015 bashkisë së Tiranës i jepen deri në 10 (dhjetë) bursa për studentët të cilët, pavarësisht nga kriteri i vendbanimit apo kritereve ekonomike, kanë statusin ligjor të jetimit si dhe statusin invalid paraplegjik apo tetraplegjik, ndërsa bashkive të tjera, të cilat në vendndodhjen e tyre territoriale kanë institucione të arsimit të lartë publik, për këtë kategori studentësh, u jepen deri në 3 (tri) bursa.
10. Nxënësit dhe studentët që kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë përfitojnë falas veshmbathje, libra dhe fletore, sipas pasqyrës nr.6, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë përjashtohen nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme që ofrojnë shkollat.
10.1 Nxënësve dhe studentëve që kanë përfituar statusin ligjor të jetimit u sigurohen falas, nga fondet e shkollave përkatëse, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet, pas paraqitjes së librezës, të kartës shëndetësore si dhe të epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit.
10.2 Nxënësit jetimë, që vazhdojnë shkollat e mesme ose institucionet publike të arsimit të lartë, trajtohen me pagesë suplementare edhe për periudhën e pushimeve verore, që përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, si dhe vetëm një vit, kur humbasin vitin shkollor, për arsye të rezultateve jo kaluese, nga njësitë e qeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale.
10.3 Fëmijët/nxënësit dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, me nevoja të veçanta psiko-sociale, pa konvikt, trajtohen falas nga shteti, me një kuotë ushqimore (drekë), me vlerë deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë) lekë në ditë.
11. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat, si dhe numri i bursave për studentët, administrohen nga institucionet publike të arsimit të lartë. Bursa përllogaritet si shpenzim mesatar, lekë në ditë, dhe paguhet çdo muaj me kalim në numrin e llogarisë bankare të çdo studenti. Drejtuesit e fakulteteve dërgojnë zyrtarisht, çdo muaj, pranë njësive/departamentit të financës, frekuentimin e shkollës për studentët që përfitojnë bursë.
11.1 Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat, si dhe numri i bursave për nxënësit, administrohen nga bashkia/komuna, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Masa mujore e bursës u jepet nxënësve në formën e kuotës ushqimore, në konvikt.
11.2 Nxënësve që përfitojnë bursë jashtë kriterit ekonomik, sipas rezultateve të arritura, sipas degëve parësore për zhvillimin e ekonomisë si dhe nxënësve që përfitojnë bursë jashtë kriterit ekonomik, të cilët janë akomoduar ose jo në konvikte, masa e miratuar e bursës mujore u paguhet, çdo muaj, nga bashkia/komuna, në llogarinë bankare të nxënësit/prindit përfitues, pranë bankave të nivelit të dytë apo në zyrat e Postës Shqiptare. Drejtorët e shkollave profesionale e social-kulturore dërgojnë zyrtarisht, çdo muaj, pranë njësive bazë të qeverisjes vendore, informacion mbi ndjekjen/frekuentimin e shkollës për nxënësit që përfitojnë bursë.
12. Niveli/masa e bursës për nxënësit dhe studentët jepet sipas pasqyrave nr.2 e nr.3 dhe kuota financiare ushqimore ditore jepet sipas pasqyrave nr. 4 e nr.5, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
13. Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për vitin e ri akademik 2014-2015, të japë 1850 (një mijë e tetëqind e pesëdhjetë) bursa për nxënësit dhe 1800 (një mijë e tetëqind) bursa për studentët, për hyrjet e reja në vitin e parë në sistemin arsimor publik, për të gjitha kategoritë e parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi.
14. Efektet financiare të vitit akademik 2014-2015 të përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për vitin 2014, për pjesën e vitit 2014 si dhe nga fondet e buxhetit të shtetit që do të miratohet për vitin 2015, për pjesën e vitit 2015.
15. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave, për vitet e para, është data 31 dhjetor 2014, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitin e dytë e lart është data 15 nëntor 2014. Vendimet e miratuara nga këshillat bashkiake apo këshillat e komunës, jashtë këtij afati, janë të pavlefshme.
16. Ministri i Arsimit dhe Sportit dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për raste të veçanta, kur vendimet e këshillave të njësive bazë të qeverisjes vendore janë miratuar brenda afatit të përcaktuar në pikën 14, të këtij vendimi, por dërgohen jashtë afatit të përcaktuar, kanë të drejtë të shqyrtojnë dhe të rivendosin në afat përfitimin e bursës për nxënësin/studentin.
17. Vendimet e njësive bazë të qeverisjes vendore dhe ato të institucioneve publike të arsimit të lartë bëhen publike për komunitetin, median dhe institucionet e tjera vendore apo qendrore.
18. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, njësitë arsimore vendore (DAR/ZA-të), institucionet publike të arsimit të lartë dhe njësitë bazë të qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)