Maturanti që ka dërguar foton mesa duket i ka shpëtuar kontrollit për celularë që bëhet para se të hynte në provimin e fundit të Maturës Shtetërore. Po kështu me anë të celularit ai ka fotografuar tezën, duke kërkuar ndihmë për zgjidhjen e pyetjeve. Nga ana e Ministrisë së Arsimit gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur asnjë komunikim mbi mbarëvajtjen e procesit, ndërsa pritet që gjatë ditës së sotme të flitet për masat dhe penalitetet kur ka raste të tilla. Gjatë ditës së djeshme kanë qenë mbi 46 mijë gjimnazistë që i janë nënshtruar provimeve të fundit të maturës shtetërore atyre, me zgjedhje.
Ndryshe nga testimet e tjera, të rinjtë kanë patur edhe 2 orë më shumë kohë, për t'ju përgjigjur pyetjeve rreth lëndëve që ata kanë zgjedhur. Zv/ministrja Nora Malaj, në cilësinë e kryetares së maturës shtetërore tha se procesi ka ecur konfrom rregullores, ndërkohë që është prononcuar edhe në lidhje me testet e letërsisë.
Ajo tha se do të shqyrtohen të gjitha ankesat, por është shprehur e bindur se nuk janë bërë gabime në vlerësim. “Këto provimet e fundit janë shumë të rëndësishëm për maturantët. Vendosin pikërisht përqindjen e pikëve për përzgjedhjen që ata do të vazhdojnë në fakultet. Urimi im është që të kenë një sukses të garantuar dhe përgjigjet të jenë të sakta, që në mënyrë edhe pas korigjimit të mos kenë ankesa, se edhe kjo është një pikë shumë e rëndësishme për tu menaxhuar. Ne presim çdo kërkesë që bëjnë maturantët pasi është e drejtë e tyre legjitime, është e drejtë kushtetuese në kërkesat dhe të produktit që ata kanë marrë.
Realisht nga 45032 maturantë, vetëm 500 maturantë lëvizin 3 nota nga nota mesatare që kanë marrë nga rezultati i provimit."- u shpreh Malaj.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
