Projektligjit i ndryshimeve të vettingut në Policinë e Shtetit kaloi në parim në Komisionin e Sigurisë Kombëtare vetëm me votat e mazhorancës. Ky projekt ligj do t’i kalojë më pas Kuvendit, që do t’i hapë rrugë AMP-së që të bëjë vettingun në Polici.
Pse Ministria e Brendshme kërkoi ndryshimin e ligjit nr.12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të policisë së shtetit, gardës së Republikës dhe shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesat në Ministrinë e Brendshme”?
Arsyeja kryesore e këtij ndryshimi është vonesa e procesit. Në katër vite, të dhënat e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit thonë se vetëm 57 policë kaluan në filtër për pastërtinë e figurës, pasuri dhe aftësi profesionale, pesë raste pa konfirmime në detyrë, shtatë të tërhequr nga detyra. Megjithatë, me ndryshimet që pritet të kalojnë në vijim në Kuvend, vettingu i Policisë së Shtetit do të vijojë, por jo më nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit të cilit iu ndërpre mandati në mars 2022. Por do të jetë Agjencia e Mbikqyrjes Policore, tashmë nën drejtimin e Ardi Veliut dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave me drejtues Evgjeni Basharin, ata që do të kalojnë në sitë efektivët. Pasuria dhe deklarimi i parave do të certifikohet nga ILDKPKI, pastërtia e figurës nga AMP me informacion nga SHISH dhe DSIK dhe aftësia profesionale e policëve do të mbajë firmën e kreut të AMP, Ardi Veliu, përmes departamentit të standardeve profesionale.
Nëse në ligjin fillestar të vetting-ut do të ishin në filtër 12 mijë efektivët që ka struktura, kësaj here janë të listuar sipas gradave rreth 300 efektivë, si drejtuesit e policisë së shtetit, shefat e komisariateve, të departamenteve të ndryshme, ata që duan të ngrihen në detyrë duke mos prekur policët e thjeshtë të cilët i shpëtojnë vettingut. Komisioni që Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të ngre për vijimësinë e procesit, do të ketë rol periodik vlerësimi, ndryshe sa ishte parashikuar për KJV-në, i cili kishte rol të përkohshëm.
Lajmi kryesor: