Gjirokastër, KAS pranon vetëm provat e partive, rrëzohen kërkesat e PD dhe LSI për të siguruar prova të tjera shtesë nga institucionet

TIRANË- Ankimimi i PD-LSI për rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Gjirokastrës do të shqyrtohet duke marrë për bazë vetëm provat e sjella nga këto dy forca politike, pa marrë prova shtesë nga institucionet shtetërore. Në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar kërkesat e tyre, të cilët për pretendimet e tyre për krime zgjedhore, kërkonin që të merrnin informacione shtesë. Më konkretisht, KAS ka rrëzuar kërkesën e LSI për të marrë prova nga institucionet shtetërore për emigrantët e penguar të votojnë si edhe kërkesën e  PD për të marrë informacione nga institucionet si prokurori, polici, INSTAT, Ministria e Shëndetësisë, etj. KAS pranoi vetëm të verifikojë të dhënat për shenjat e gishtave të votuesve në Gjirokastër, të cilat nxjerrin, nëse votuesit kanë votuar më shumë se 1 herë. Ndërkohë, sa i përket ankimimit të LSI-së në qarkun e Beratit, vendimi do të merret në mbledhjen e 14 majit. 

PD ka ankimuar rezultatin e 25 prillit në qarkun e Gjirokastrës, si edhe në 8 qarqe të tjera me argumentin e PS-ja ka blerë masivisht votat nga individë me rekorde kriminale, se ka dhënë leje legalizimesh , ndihma ekonomike, pagesa për tërmetin për vota në favor të socialistëve. Surprizë në kërkesën e tyre ishte se nuk kërkonin rinumërim të votave, por direkt rivotim në këto qarqe, përveç atyre ku dolën fitues.  Më herët, përfaqësues të saj, thanë se kanë grumbulluar shkeljet në procesin zgjedhor në 10 dosje, të cilat sipas tyre përbëjnë indicie të mjaftueshme për të provuar tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve në zgjedhje nga mazhoranca, nëpërmjet shitblerjes së votës apo përdorimit të presionit administratës publike për të votuar socialistët.

Nga ana tjetër, LSI  ankimoi rezultatin e 25 prillit në Gjirokastër duke e argumentuar se vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve për ta karantinuar për 14 ditë qytetarët që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, ka synuar që të godasë politikisht LSI-në në zgjedhje.

(Kliko këtu ) Ankimimi i PD për Qarkun e Gjirokastrës
(Kliko këtu ) Ankimimi i LSI për Qarkun e Gjirokastrës

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:54
KAS i rrëzoi kërkesën/ Ja 19 provat shtesë që kërkonte PD për ankimimin e rezultatit për 25 prillit

Këto janë 19 kërkesat e PD për prova shtesë që sipas tyre shërbenin për të provuar nëse është shkelur ligji nga partia në pushtet me përdorimin e shtetit përmes legalizimeve, punësimeve, fondit të rindërtimit për tërmetin, ndihmave me ushqime, vjedhjen dhe përdorimin e të dhënave personale. 

1.    Marrjen e një informacioni zyrtar nga Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për numrin e procedimeve penale lidhur me krimet zgjedhore dhe fazën e tyre; 

2.    Marrjen e një informacioni zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme për numrin e procedimeve penale lidhur me krimet zgjedhore në prokuroritë e rretheve dhe fazën e tyre; 

3.    Marrjen e një informacioni zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për numrin e shtetasve të ndaluar, të arrestuar dhe numrin e rasteve të referuara për krime zgjedhore; 

4.    Marrjen e një informacioni zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit mbi gjendjen e rezervave të shtetit në depozitat qëndrore dhe lokale për cdo muaj nga Dhjetor – Maj 2021; 

5.    Marrjen e një informacioni zyrtar nga Inspektoriati Qëndror dhe të gjitha inspektoriatet që veprojnë në Shqipëri për numrin e inspektimeve të kryera në periudhën 24 Dhjetor 2020 – 1 Maj 2021; për numrin e gjobave dhe sanksioneve të vendosura; numrin e sanksioneve/gjobave të revokuara me vendim administrativ/vendim gjyqësor; 

6.    Marrjen e një informacioni zyrtar nga Agjencia e Prokurimeve Publike për numrin e tenderave, koncesioneve, PPP-ve të shpallur rishtazi apo për të cilat janë shpallur fituesit në periudhën 24 Dhjetor 2020 – 1 Maj 2021; 

7.    Marrjen e një informacioni zyrtar nga Këshilli Kombëtar i Teritorit për numrin e lejeve të ndërtimit të dhëna në periudhën 24 Dhjetor 2020 – 1 Maj 2021; 

8.    Marrjen e një informacioni zyrtar nga Agjencia Shtetëror e Kadastrës për numrin e lejeve të legalizimit të dhëna sipas qarqeve në periudhën 24 Dhjetor 2020 – 1 Maj 2021; 

9.    Marrjen e një informacioni zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile mbi numrin e shtetasve shqiptarë që ndryshuan adresat e banimit në periudhën 1 Janar 2020 – 1 Maj 2021; 

10.    Marrjen e një informacioni zyrtar nga Departamenti i Administratës Publike për numrin e punonjësve të institucione publike, vendore apo qëndrore, dhe si ka ndryshuar, sipas qarqeve, për periudhën 1 Janar 2020 – 1 Maj 2021; 

11.    Marrjen e një informacioni zyrtar nga 61 bashkitë e vendit, agjencitë e varësisë dhe shoqëritë në pronësi të shtetit apo bashkive, për numrin e punonjësve të institucioneve publike, vendore apo qëndrore, dhe si ka ndryshuar, për periudhën 1 Janar 2020 – 1 Maj 2021; 

12.    Marrjen e një informacioni zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe 61 bashkitë e vendit lidhur me numrin e familjeve që kanë përfituar ndihmë ekonomike dhe ndryshimin e masës ekonomike, në periudhën 1 Janar 2020 – 1 Maj 2021; 

13.    Marrjen e një informacioni zyrtar nga Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me fazën e hetimeve lidhur me bërjen publike të të dhënave të 910 mijë qytetarëve të Tiranës; 

14.    Marrjen e një informacioni zyrtar nga INSTAT mbi numrin e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë; numrin e shqiptarëve që jetojnë në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut; dhe numrin e këtyre shtetasve mbi moshën 18-vjec; 

15.    Marrjen e një informacioni zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë mbi numrin e personave të infektuar me COVID-19 në datën 25.04.2021 sipas qarqeve; 

16.    Marrjen e një informacioni zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit mbi numrin e shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në Shqipëri në periudhën 19.04.2021 – 25.04.2021 nga Republika e Greqisë dhe Maqedonia e Veriut; listën e plotë të këtyre personave; 

17.    Marrjen e një informacioni zyrtar nga OSHEE mbi të gjitha shpërblimet që u janë punonjësve të kësaj kompanie shtetërore, sipas qarqeve, në periudhën 1 Janar 2020 – 1 Maj 2021; 

18.    Marrjen e një informacioni zyrtar nga KESH mbi numurin e personave të punësuar në periudhën 1 Janar 2020 – 1 Maj 2021; 

19.    Marrjen e të dhënave të kryqëzuara ndërmjet pajisjeve të identifikimit elektronik PEI për zonën zgjedhore Qarku i Gjirokastrës.

Ora 16:03
Ankimuan rezultatin e 25 prillit në Gjirokastër/ KAS rrëzon kërkesën e PD-LSI për sigurimin e provave

 

KAS ka rrëzuar ditën e sotme kërkesën e LSI për të marrë prova nga institucionet shtetërore për emigrantët e penguar të votojnë. si edhe kërkesën e  PD për të marrë prova shtesë nga institucionet prokurori, polici pwr 25 prillin.

"Rrëzimin e kërkesave për marrjen e provave që kërkohen nga PD, lidhur me kërkesën e fundit që ka të bëjë me kryqëzimin e të dhënave për Gjirokastrës, 2 anëtarë të KAS, unë dhe Cefa kërkojmë që brenda afatit sa më shpejt të na vihet informacion lidhur me informacionin e kryqëzimit të të dhënave.

Sa i përket për prova të Kreshnik Merxhanit u vendos rrëzimi i kërkesës.  Në 14 maj 2021 do të nis shqyrtimi administrativ për Beratin e LSI", bën të ditur KAS.

Ora 11:27
Ankimimet e PD dhe LSI, përfaqësues i PS: Kërkesa për pavlefshmëri bëhet për qendër votimi jo për gjithë qarkun (VIDEO)

Përfaqësues i Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Eridian Salianji, i cilësoi si të pavlefshme kërkesat e PD dhe LSI për pavlefshmëri të zgjedhjeve në një qark të tyrë.

Sipas tij kërkesa për pavlefshmëri bëhet për qendër votimi, po të shohim ankimimet nuk janë bërë konkretisht për QV, po për qarkun.

"Në lidhje me kërkesën e PD efektin ligjor e ka zero, është kërkesë e mbështetur në deklarata politike të cilat në shumicë janë shpifje ndërsa në rastin më të mirë janë opinione", tha ai.

Ora 11:00
Shqyrtohen në KAS kërkesat ankimore për Qarkun Gjirokastër, debatet me pyetjet e anëtarëve të KAS ndaj palëve

Pas një periudhe të shkurtër pushim KAS ka rinisur shqyrtimin e kërkesat ankimore për rezultatin e zgjedhjeve në Qarkun Gjirokastër. Përfaqësuesit e LSI dhe  PD i janë përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të KAS për të gjitha të paqartat që ata kishin për ankimimet dhe provat e paraqitura. LSI dhe PD kanë kërkuar ripërtëritjen e zgjedhjeve në të gjithë Qarkun Gjirokastër.

Ora 10:34
PD paraqet argumentet e saj për ankimimin e Gjirokastrës: Blerje votash, shteti u vendos në shërbim të partisë, numri 12 në bluzat e socialistëve, patronazhistët... (VIDEO)

Teksa në KAS është duke u diskutuar ankimimi i Partisë Demokratike për rezultatin e zgjedhjeve të Gjirokastrës, përfaqësuesi juridik i Partisë Demokratike Marash Logu ka paraqitur argumentet që sipas tij e legjitimojnë kërkojnë për shpalljen e pavlefshmërisë së votimit në këtë qark.

Sipas tij periudha para dhe paszgjedhore u shoqërua me shkelje të rënda të ligjit që cenuan procesin zgjedhor që ndikuan në shpërndarjen e mandateve

"Ankimet tona janë të mbështetura në 5 shtylla kryesore. Shtylla e parë ka të bëjë me blerjen e votës përmes personave me të shkuar kriminale. Çuçi në Gjirokastër, ndërsa drejtuesi I fushatës ishte Arianit Arapi ish-shefi i policisë i akuzuar për lidhje me Emiljano Shullazin. Lidhja me Çuçin daton më herët. Ky shtetas ka përdoru funksionin e tij dhe ka lejuar konsumin e lëndës narkotike në Tepelenë. Ata kanë zbatuar një skemë kriminale të blerjes së votës, këto fakte janë konfirmuar edhe në burime zyrtare.

Shitblerja e votës është një nga problematikat kryesore të konstatuara edhe nga OSBE. Fondet shtetërore janë përdorur për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve. Shteti dhe partia u shkrinë në një të vetme. Shteti u vendos në shërbim të partisë dhe ne kemi depozituar 12 prova për qarkun e Gjirokastrës.  Në 24 raste të denoncuara, deputetët e PS në Gjirokastër promovuan investime publike në periudhën para zgjedhjeve. Ministrat vazhduan me angazhimet e tyre gjatë fushatës duke u shfaqur me maska dhe bluza me numrin 12. Gjatë fushatës u konstatuan raste të shumta që janë denoncuar se në të gjitha nivelet e administratës ishin përfshirë në fushatë duke mbështetur kandidatët e Partisë Socialiste. Nëpunësit civilë u vendosën në presion për të mbështetur PS në të kundërt do të shkarkoheshin nga puna. Dhënia e kartave të identitetit apo të dhënave të tjera personale, pëlqimi apo shpërndarja e postimeve të PS. Nëpunës të niveleve të ulëta dhe të mesme kanë denoncuar presionin e vazhdueshëm të eprorëve të tyre. Presionet ndaj nëpunësve publikë u evidentuan edhe nga OSBE. Së treti janë punësimet masive para zgjedhjeve. Qeveria nxori rreth 28 vendime duke shtuar numrin e punësimeve në strukturat e qeverisjes vendore. Punësimi në sektorin publik u rrit ndjeshëm. Mes tre mujorit të tretë dhe të katërt punësimi në sektorin publik është rritur ndjeshëm. Shteti vendosi në shërbim të partisë të dhënat personale. Skandali me të dhënat personale u evidentua edhe në raportin e OSBE. Emigrantëve dhe të ifnektuarve me COVID iu mohua e drejta e votimit. Modeli i fletëve të votimit me numra dhe jo me emra solli një numër të madh fletësh të pavlefshme. Qytetarëve u mbeti një kohë e shkurtër për të mësuar praktikat e votimit”, tha ndër të tjera Logu.

Ora 10:00
KAS diskuton ankimimin për zgjedhjet në Gjirokastër, LSI: Karantinimi i të ardhurve nga Greqia na ndikoi rezultatin! Votuesit u ruajtën me policë (VIDEO)

KAS është duke diskutuar në mbledhjen e sotme ankimin e LSI-së për rezultatin e Gjirokastrës pasi ajo pretendon se vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve për ta karantinuar për 14 ditë qytetarët që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, ka synuar që ta godasë politikisht atë në zgjedhjet e 25 prillit.

LSI kërkon që të shpallen të pavlefshme zgjedhjet në Bashkinë Dropull, gjë që ndikon në rezultatin e shpërndarjes së mandateve për Qarkun e Gjirokastrës.

Përfaqësuesi i LSI është shprehur në seancë se edhe ato që erdhën nga Greqia apo Maqedonia e Veriut u ruajtën me policë pasi u ishte marrë adresa e shtëpisë.

Qytetarët e Dropullit nuk e kanë ushtruar të drejtën e tyre për të votuar.  Në ankimimin, LSI sqaron KAS se urdhri për 'vetëkarantinimin e detyrueshëm', për një periudhë dy javore për të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut dhe nga Greqia ka ndikuar drejtpërdrejt në pjesëmarrjen dhe rezultatin e votimit në zonën zgjedhje Qarku Gjirokastër.

Ora 09:30
Shqyrtohen në KAS kërkesat ankimore për Qarkun Gjirokastër, përfaqësuesit e PD dhe LSI parashtrojnë argumentet

 

KAS shqyrton kërkesat ankimore për rezultatin e zgjedhjeve në Qarkun Gjirokastër. Përfaqësuesit e LSI dhe  PD parashtrojnë të gjithë argumentet për kërkesat e tyre. LSI dhe PD kërkojnë ripërtëritjen e zgjedhjeve në të gjithë Qarkun Gjirokastër. LSI me argumentin se ka ndikuar vendimi për karantinimin e të ardhurve nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia ndërsa PD me argumentet që ka dhënë për të gjitha qarqet, blerje votash, ndërhyrje të administratës dhe krimit etj.

 

 

K.T./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të hetohen gjyqtarët e prokurorët e larguar nga Vettingu?

Komento

Komente

  • Andi: 12/05/2021 19:11

    Shkurt muhabeti tani qe mbaruan zgjedhjet gjithe administrata shteterore duhet te vihet ne sherbim de PD-se. Po PD-ja le te na i publikoje njehere te gjitha keto kerkesat dhe pergjigjet, per zgjedhjet e 2017 qe i organizoi me ministrat e vet teknik.

    Përgjigju


×

Lajmi i fundit

John

Euro 2020/ Historia nuk prodhon gola, Anglia dhe Skocia ndahen në 'paqe'! 'Tre Luanët' humbasin vendin e parë