Mbyllet hetimi, Meta refuzon përfundimisht paraqitjen në Komisionin për shkarkimin e tij! U diskutua marrja me forcë, por nuk miratohet (VIDEO)

Komisioni Hetimor për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti Ilir Meta është mbledhur dhe ka vendosur mbylljen e hetimeve për procesin e shkarkimit të Metës.  Kreu i këtij Komisioni, Alket Hyseni prezantoi provat që janë administruar. Hyseni tha se e rëndësishme është thellësia e hetimit.

Sot ishte afati i fundit që Presidenti të mund të paraqitej për seancë dëgjimore. Meta ka refuzuar që të paraqitet duke nënvizuar se nuk mund të diskutojë, por dhe as të dëgjohet nga një strukturë e ngritur në Kuvend, që nuk ka legjitimitet dhe nuk duhet të ekzistojë sipas Kushtetutës dhe ligjit. 

Në lidhje me refuzimin që Presidenti Ilir Meta i bëri Komisionit Hetimor për të marrë pjesë në mbledhje, relatorja e çështjes ka thënë se ai mund të thirret me forcë në bazë të Kodit të Procedurës Penale.

Por ky propozim duket se nuk u pranua nga anëtarët e tjerë të Komisionit Hetimor si Vasilika Hysi apo Myslim Murrizi. 

Në mbledhjen e fundit në qendër të diskutimeve ka qenë raportimi i ekspertëve ligjor  Erind Mërkurin dhe Artan Spahiun kontraktuar nga Kuvendi për shkeljet kushtetuese që ka kryer presidenti Ilir Meta. Eksperti ligjor Erind Mërkuri tha se nuk ka asnjë justifikim që Presidenti të shkelë neutralitetin në një fushatë elektorale dhe se gjuha e tij duhet të jetë korrekte.

Anëtarët e Komisionit Hetimor janë Alket Hyseni, Myslym Murrizi, Klotilda Bushka, Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka, Arlind Çarçani, Ermonela Felaj, Xhemal Qefalia dhe Eugen Bojaxhi.

Kjo është java e fundit e aktivitetit të Komisionit Hetimor. Në përfundim të javës do të arrihet në një rapor final që do t'i paraqitet seancës plenare të Kuvendit.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:32
E akuzoi si ‘agjent të Serbisë’, Frrok Çupi kërkesë Komisionit Hetimor për ballafaqim me Metën: Të më paraqesë prova

Pasi presidenti Ilir Meta e ka akuzuar gazetarin Frrok Çupi si ‘agjent i Serbisë’, ky i fundit ka paraqitur në Komisionin Hetimor, një kërkesë në lidhje me akuzën e Presidentit.

Çupi kërkon nga Komisioni që ‘Presidenti i Republikës të paraqesë prova mbi veprimtarinë e tij që sipas tij është ‘agjenturore në shërbim të Serbisë’. Por nëse nuk paraqet prova, shkruan gazetari, atëherë ‘kërkesa e tij të administrohet si një kallëzim për shpifje’ ndaj Presidentit.

Në këtë mënyrë çupi thekson se sipas tij ‘Presidenti është përfshirë publikisht në sulme personale, aq më tepër kur sajon dhe shtrembëron të vërtetën’. Ai thekson se sulmi i Presidentit ndaj tij kryhet ‘për shkak të profesionit si gazetar’ dhe se Presidenti sulmon këdo dhe çdo opinion që nuk i vjen për shtat".

Po në këtë shkresë drejtuar Komisionit Hetimor Parlamentar, gazetari Çupi deklaron se pas sulmeve të Presidentit, ndjehet ‘i pasigurt për jetën e tij dhe të familjes’,  dhe kërkon mbrojtje nga shteti.

“Tashmë nuk jam në gjendje që i vetëm të mbrohem nga njerëzit afër Metës, nga ‘nacionalistët’ e shtyrë prej tij, nga elementë të tjerë kriminalë ose të dobët mendërisht që frymëzohen lehtë nga fjalët e presidentit për vepra të dhunshme’, shkruan Frrok Çupi.

Akuza për Çupin është bërë nga Presidenti në foltoren e Presidencës, pak ditë më parë. Në morinë e materialeve pranë Komisionit Hetimor Parlamentar, me qëllim hetimin e Presidentit, është depozituar edhe deklarata në audio dhe video e Presidentit të Republikës ku akuzon gazetarin Çupi si ‘agjent i Serbisë’.

Ora 12:51
Murrizi: Nuk kemi pse i dërgojmë më shkresa! Hyseni: E rëndësishme është thellësia e hetimit (VIDEO)

Deputeti Myslim Murrizi po ashtu deklaroi se është kundër thirrjes me forcë të presidentit.

“Për sot e kuptoj mosardhjen e tij. Besoj se do ketë shkuar në Përmet për nder të kongresit të parë të komunistëve. Gjatë fushatës kam parë që i ka vlerësuar dekoruar trashëgimtarët e tyre. Për sot besoj se do jetë në kryetar dhe në funksion të zgjedhjes së kryetarit te PD se dhe ata sot e fillojnë.
Jam dakord me zonjën Hysi. Nuk kemi pse dërgojmë shkresa. Respektet për institucionet e këtij vendi duhet t’i kemi të barabarta. Respektet personale, nëse nuk më respekton një herë personalisht, as ma ndjen fare. Nuk besoj se e kemi thirrur personalisht në komision”, tha Murrizi.

Kreu i Komisioni Alket Hyseni tha se kërkesa për të ardhur në seancë dëgjimore është bazuar në dy momente juridike, momenti i parë e drejta që ka personi nën hetim, në këtë rast presidenti dhe detyrimin që ka ky komision për ta thirrur e dëgjuar.

“Për ne e rëndësishme është thellësia e hetimit. Do hedh për votim për propozimin për të mbyllur procedurën, hetimin, dakord të gjithë. Administrimi i provave, do ua lexoj provat dhe do shprehemi”, tha Hyseni, teksa më pas ka renditur provat si CD me deklarata e pamje filmike, takime të Presidentit Meta etj.

 

Ora 12:34
‘Përgjigja e Metës uroja të ishte ndonjë lajthitje e stafit’, Vasilika Hysi: Nuk jam për thirrjen e Metës me forcë (VIDEO)

Anëtarja e Komisionit Hetimor Vasilika Hysi ka deklaruar se nuk mbështet idenë për të thirrur presidentin me dhunë për të dëshmuar. Hysi tha se uron që përgjigja refuzuese e Metës, të jetë ndonjë lajthitje e stafit të presidentit.

‘Unë i kam lexuar përgjigjet e presidentit, uroj që presidenti të mos ishte autor i shkrimit të këtyre përgjigjeve, por të ishte lajthitje e stafit të presidentit të Republikës. Presidenti ta zgjedhë vetë ditën dhe orën duke e lënë të hapur që të vijë. Pra ajo që shkruhet ne si komision dhe deputetët e ripërsërisin kërkesën nuk qëndron pasi kjo është bërë që presidenti të dëgjohet të dëshmojë, meqë thotë se kam qenë në pamundësi për të ardhur.  Propozimi për ta thirrur dëshmitarin me forcë, unë nuk jam, nuk do të doja që në këtë periudhë kaq të ngarkuar me modelin më të shëmtuar të përcjelljes se mesazheve politike të formë shfaqej që nuk janë aspak në të mirë qoftë për qytetarët qoftë për institucionin e presidentit. Mos i dërgoni më ftesa.’- tha Hysi.

Ora 12:27
‘Meta të thirret me dhunë që nesër’, Braho i kujton presidentit kohën kur ishte kryeministër: Ashtu siç more 'mistër Debulesën’ (VIDEO)

Anëtari i Komisionit Hetimor, Spartak Braho ka propozuar që presidenti Ilir Meta të thirret me dhunë në Komisionin Hetimor. Braho i kujtoi kohën kur ai ishte kryeministër që kishte thirru me dhunë ish-kryeministrin Sali Berisha, që ai e cilëson ‘mistër Debulesa’.

‘‘Presidenti ka detyrimin të sillet edhe me forcë, por është edhe çështje vullneti. Ai nuk ka vullnet të njohë Kuvendin, Komisionin Hetimor e jo më të përgjigjet për kërkesat e parlamentit. Ky president nuk ka karakter. Më kujtohet kur Meta ishte kryeministër, e mori me dhunë, ‘mistër debulesën’ Berishën, sikundër Berisha e ka marrë Metën me dhunë. Ky veç të tjerash akuzohet për thirrje me dhunë dhe për dhunë, që parashikohet në Kod Penal. Meta duhet të thirret me dhunë nesër, kështu që ta votojmë këtë propozim. Ky është mendimi im!’ -tha Braho.

Ora 12:18
Meta refuzoi, Bushka: Mund të kërkohet ardhja e Presidentit me forcë (VIDEO)

Në lidhje me refuzimin që Presidenti Ilir Meta i bëri Komisionit Hetimor për të marrë pjesë në mbledhje, relatorja e çështjes ka thënë se ai mund të thirret me forcë.

"Mund të kërkohet ardhja e Presidentit të marrë pjesë në Komisionin Hetimor me forcë. Në Kodin e Procedurës Penale parashikohen mjetet nëse refuzohet ardhja në Komision Hetimor", tha Bushka.

Ora 12:07
Sot afati i fundit, Meta refuzon të paraqitet në Komisionin Hetimor: Nuk ka legjitimitet, është në kundërshtim me kushtetutën

Presidenti Ilir Meta ka refuzuar që të paraqitet ditën e sotme në Komisionin Hetimor, duke nënvizuar se është ilegjitim dhe në kundërshtim me kushtetutën.

Në përgjigjen e tij presidenti Ilir Meta nënvizon se presidenti i Republikës nuk mund të diskutojë, por dhe as të dëgjohet nga një strukturë e ngritur në Kuvend, që nuk ka legjitimitet dhe nuk duhet të ekzistojë sipas Kushtetutës dhe ligjit.

‘Pranë Institucionit të Presidentit të Republikës është administruar shkresa nr. 1081/36 prot., datë 21.5.2021, e Kuvendit, me anë të së cilës përcillet shkresa nr. 1081/36 prot., datë 21.5.2021 e nënshkruar nga deputeti Alket Hyseni, cilësuar nën atributet e Kryetarit të Komisionit Hetimor me emërtimin “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”, me lëndë “Thirrje për seancë dëgjimore në Komisionin Hetimor”.

Në këtë shkresë, veç të tjerave, kërkohet prania e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në seancën dëgjimore në datën 24.5.2021, ora 12:00, para strukturës të emërtuar si “Komisioni Hetimor”.

Ky njoftim, ashtu si gjithë praktika e dërguar deri më tani në adresë të Institucionit të Presidentit të Republikës, është një përpjekje e rradhës e Kuvendit, për të bërë të duket sikur po ndiqet një proces i ligjshëm, ndërkohë që siç dhe Kuvendi është në dijeni, ky proces ka nisur në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit, dhe ligjin.

Para së gjithash, ju bëjmë sërish me dije se, Kuvendi i Shqipërisë e humbi mundësinë që nëse do të donte të zhvillonte një seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës, ta zhvillonte atë sipas kërkesës së tij, në datën 10 maj 2021, duke e mohur këtë kërkesë në mënyrë arbitrare dhe të orientuar politikisht.

Me veprimtarinë e tyre të zhvilluar në shkelje të parashikimeve të detyrueshme për zbatim, Kuvendi e humbi mundësinë e dhënë nga Presidenti i Republikës për të respektuar Kushtetutën, Ligjin dhe Rregulloren e Kuvendit.

Lidhur me këtë lloj njoftimi të përsëritur nga ana juaj, Presidenti e ka shprehur qartë vullnetin dhe qëndrimin e tij në shkresën me nr. prot. 1651, datë 16.5.2021.

Kjo letër dhe ky vullnet i Presidentit të Republikës ju është përcjellë tashmë dy herë. Së fundmi dhe me shkresën me nr. prot. 1651/3, datë 21.5.2021, dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë në po të njëjtën datë, në orën 14:30.

Ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë, vijon me përgatitjen e dosjeve fiktive, përmes njoftimeve të parapërgatitura, me qëllim që të duket sikur po zhvillon një proces që respekton procedurën.

Mjafton këtu vetëm të përmendim faktin se, pa pritur ende përgjigjen e Institucionit të Presidentit të Republikës për shkresën tuaj me nr. prot. 1081/32, datë 18.05.2021, (përgjigjen e së cilës e ka marrë me shkresën nr. prot. 1651/3, datë 21.5.2021, administruar nga Kuvendi në orën 14:30), Kuvendi ka përcjellë përmes shkresës nr. 1081/36 prot, datë 21.05.2021, Kuvendi përsërit të njëjtën kërkesë për të cilën tashmë kishte marrë përgjigje.

Gjithsesi, ju sjellim në vëmendje se, Presidenti i Republikës ka bërë të qartë qëndrimin e tij se, nuk bëhet palë me askënd në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Presidenti i Republikës nuk mund të diskutojë, por dhe as të dëgjohet nga një strukturë e ngritur në Kuvend, që nuk ka legjitimitet dhe nuk duhet të ekzistojë sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Presidenti i Republikës, ripërsërit edhe një herë thirrjen për reflektim në kohë nga ana e deputetëve të këtij Kuvendi, që veprimtarinë e tyre në kushtet e afrimit dita-ditës të përfundimit  të mandatit, duhet ta ushtrojë vetëm në përputhje me rendin e brendshëm juridik.

Sa më sipër me porosi të Presidentit të Republikës, po jua ridërgojmë edhe një herë bashkëlidhur shkresën me nr. prot. 1651, datë 16.5.2021.’- thuhet në përgjigjen e Metës.

I.K//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 25/05/2021 00:59

    Mos humbni kohe me sjellje me force; shkarkoheni me force !!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën