Këshilli politik për 'Zgjedhoren' merr vendimet e para! Hajdari: Nuk është përjashtuar ndryshimi i sistemit, kam të drejtën e vetos

TIRANE- Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore i ngritur me dakordësinë e të gjitha palëve politike si parlamentare dhe jashtë parlamentare zhvilloi sot mbledhjen e tij të parë, larg syrit të mediave, duke marrë edhe vendimet e para. Këshilli vendosi të caktojë 6 ekspertë ligjorë për hartimin e reformës, ndër to dy nga opozita joparlamentare, dy nga Komisioni për Reformën Zgjedhore (mazhoranca dhe opozita parlamentare) dhe dy të jashtëm.

Pas përfundimit të mbledhjes bashkëkryetarja e Komisionit për Reformën në Zgjedhore, në cilësinë e bashkëdrejtueses së kësaj tryeze, Rudina Hajdari tha se ndryshimi i sistemit nuk është përjashtuar nga diskutimi, gjë për të cilën u shpreh se po pranohet edhe nga palët e tjera. Ajo deklaroi se roli i saj si bashkëkryetare, prevalon dhe i jep të drejtë e vetos, mbi produktin final, si një formë paralajmërimi për forcat politike që nuk do të aprovojnë hapjen e listave në zgjedhje.

Nga ana tjetër edhe Damian Gjiknuri, bashkëkryetari i këtij Këshilli, në tragrin e përfaqësuesit të mazhorancës nuk e përjashtoi ndryshimin e sistemit, në kuadër të Reformës Zgjedhore, ndërsa vlerësoi qëndrimin e Partisë Demokratike si një kthesë të madhe në këtë proces.

Mbledhja bëri bashkë 10 përfaqësues nga të gjitha forcat politike. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste u përfaqësua në mbledhje nga Ervin Bushati, grupi Parlamentar Demokrat nga Alban Zeneli, emër që ka zëvendësuar sot atë të Myslim Murrizin dhe grupi parlamentar i pavarur nga Nimet Musai. Report Tv mësoi më herët se zëvendësimi i Murrizit erdhi për shkak se disa prej anëtarëve të grupit parlamemtar demokrat nuk ishin dakord me këtë vendim.

Ndërsa opozita jashtëparlamentare dërgoi 5 përfaqësues në këtë këshill. Dy nga përfaqësuesit ishin edhe anëtarët e tryezës së djeshme që solli marrëveshjen e shumëpritur për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi nga PD dhe Petrit Vasili. Ndërkohë këtyre emrave iu shtuan edhe Mesila Doda nga PDIU, Fatmir Mediu nga PR dhe Vangjel Dule, PBDNJ.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:44
Kushtet e opozitës për Këshillin Politik (Dokumenti me 7 pika)

1579197292_Bylykbasi.jpg
Opozita e bashkuar ka publikuar qëndrimin me shtatë pika pas mbledhjes së parë të konstituimit të Këshillit Politik. Opozita kërkon që diskutimi për Reformën Zgjedhore duhet të kryhet sipas një rendi përparësish, me qëllim zgjidhjen e problematikave që kërkojnë vullnet politik për të garantuar zgjedhjet demokratike dhe qeverisjen përfaqësuese dhe kushtetuese dh,e më pas, me zgjidhjen e çështjeve me karakter teknik. Por kush janë këto cështje? Sipas PD-së, rekomandimet prioritare të raporteve të OSBE-ODIHR, që mbulojnë çështje themelore për standardet e zgjedhjeve janë: Shitblerja e votës, mosndëshkimi i krimeve zgjedhore, presioni mbi zgjedhësit, presioni mbi administratën, abuzimi me burimet shtetërore, liria e votës dhe sekreti i votës. Megjithatë vijon më tej deklarata e opozitës së drejtuar nga PD-ja, ka edhe probleme të tjera që sipas saj nuk kanë dalë si rekomandime, por që janë ‎në rritje dhe cenojnë procesin zgjedhor si "Përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje, sjellja politike e Policise së Shtetit në zgjedhje, ngadalësimi i veprimit të Dekriminalizimit‎, cilësia e përfaqësimit dhe kandidatëve, mosekzistenca e gjykatave me rol në zgjedhje ‎(Gjykata Kushtetuese apo Kolegji Zgjedhor), listat e zgjedhësve si pasojë e dështimit të zbatimit të sistemit të adresave‎ dhe mirëmbajtjes së sistemit të gjendjes civile dhe rinovimi i kartave të identitetit'.

Qëndrimi i opozitës së bashkuar pas mbledhjes së parë të Këshillit Politik
Tiranë, më 16.01.2020

1. Këshilli Politik përbëhet nga 10 anëtarë, nga të cilët:

- 5 përfaqësues të Kuvendit;

- 5 përfaqësues të Opozitës së Bashkuar.

2. Këshilli Politik harton kalendarin e punës së përfaqësuesve politikë dhe ekspertëve teknikë, duke siguruar që Reforma Zgjedhore të përfundojë jo më vonë se 15 Mars 2020. Ai kryen monitorimin e veprimtarisë së përfaqësuesve politikë dhe ekspertëve teknikë. Përfaqësuesit politikë ndahen si më poshtë:

- 2 anëtarë të propozuar nga Kuvendi;

- 2 anëtarë të propozuar nga Opozita e Bashkuar.

Numri i ekspertëve për secilën palë përcaktohet nga vetë përfaqësuesit politikë.

3. Diskutimet mbi Reformën Zgjedhore duhet të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe publike. Produkti i dakordësuar, miratohet pa ndryshime në komisionin e Reformës Zgjedhore dhe në seancë plenare.

4. Diskutimi për Reformën Zgjedhore duhet të kryhet sipas një rendi përparësish, me qëllim zgjidhjen e problematikave që kërkojnë vullnet politik për të garantuar zgjedhjet demokratike dhe qeverisjen përfaqësuese dhe kushtetuese dh,e më pas, me zgjidhjen e çështjeve me karakter teknik.

-          Rekomandimet prioritare të Raporteve të OSBE-ODIHR, që mbulojne çështje themelore per standartet e zgjedhjeve:

·         Shitblerja e votës

·         Mosndëshkimi i krimeve zgjedhore

·         Presioni mbi zgjedhësit

·         Presioni mbi administratën

·         Abuzimi me burimet shtetërore;

·         Liria e votës

·         Sekreti i votës

-          Probleme të tjera që nuk kanë dalë si Rekomandime, por që janë ‎në rritje dhe cënojnë procesin zgjedhor, janë:

·         Përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje (dalë jo vetëm nga përgjimet e prokurorisë, të publikuara në BILD për zgjedhjet e 2017, por konstatuar si fenomen edhe nga Opinioni i Komisionit të Venecias për iniciativën mbi nevojën e vettingut në politikë).

·         Sjellja politike e Policise së Shtetit në zgjedhje (dalë edhe nga përgjimet e prokurorisë, të publikuara nga BILD, ku drejtuesit e Policisë së Shtetit vepronin si struktura elektorale të partisë në pushtet).

·         Ngadalësimi i veprimit të Dekriminalizimit‎.

·         Cilësia e përfaqësimit dhe kandidatëve.

·         Mosekzistenca e gjykatave me rol në zgjedhje ‎(Gjykata Kushtetuese apo Kolegji Zgjedhor).

·         Listat e zgjedhësve si pasojë e dështimit të zbatimit të sistemit të adresave‎ dhe mirëmbajtjes së sistemit të gjendjes civile.

·         Rinovimi i kartave të identitetit.

Në të gjitha këto problematika, e përbashkëta qendron në mosveprimin nga ana e autoriteteve për të përmbushur detyrime ligjore pozitive ‎ose veprime në shkelje të ligjit që dëmtojnë zgjedhjet.

Gjithashtu, problemet e mësipërme janë të rregulluara në Kod Zgjedhor, Kod Penal,‎ Ligjin e Dekriminalizimit, legjislacionet për administratën publike, policinë, shërbimin e gjendjes civile, etj. Ndërkohe që, në ndonjë rast, nuk përjashtohet nevoja e ndonjë përmirësimi ligjor jothemelor, këto fusha problematike nuk kanë nevojë për reformim ligjor, por për vullnet politik dhe zgjidhje me karakter politik.

Në lidhje me këto çështje, theksi duhet të bjerë tek togfjalëshi "zbatim i rekomandimeve". Kjo lidhet si me ‎detyrimin e zbatimit të rekomandimeve në raport me OSBE/ODIHR, por, po aq shumë, me mocionin e Bundestagut. Madje, ekzistenca e legjislacionit e kalon barrën e zbatimit tek “përgjegjësia e autoriteteve” pa humbur kohë apo tek “vullneti politik” për zbatimin e tyre. Në çdo rast, për këto çështje nuk mund të vendoset “tick on the box” duke bërë ndryshime apo forcime ligjore në letër, por vetëm zgjidhje politike që janë të zbatueshme në zgjedhje.

5. Opozita e Bashkuar angazhohet për të diskutuar një reformë për ligjin e partive politike, përfshirë transparencën e financimit të tyre dhe fushatave zgjedhore, vendimmarrjen demokratike brenda partive politike, si dhe një sistem zgjedhor që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese që synon forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit.

6. Opozita e Bashkuar mbështet qëndrimin e Misionit të OSBE-ODIHR se “Kuadri ligjor aktual mund të ofronte një bazë të shëndoshë për zgjedhje demokratike, nëse do të zbatohej në mënyrë të paanshme dhe me një vullnet të sinqertë politik”. Për pasojë, organet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë në mënyrë të plotë, të menjëhershme dhe transparente çdo akuzë për shkelje zgjedhore: shitblerja e votës; presioni mbi zgjedhësit në administratë publike; abuzimi me burimet njerëzore dhe financiare shtetërore, pra mos ndarja e shtetit nga partia në pushtet; cënimi i sekretit dhe lirisë së votës; manipulimi dhe falsifikimi i rezultatit. Ky është tashmë edhe një nga kushtet e Bundestagut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për këtë arsye, nevojiten garanci shtesë shtetërore për barazi të subjekteve zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve demokratike që garantojnë ushtrimin efektiv të së drejtës kushtetuese për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

7. Duhet vullnet politik dhe një mekanizëm konkret të zbatueshëm për të realizuar ndarjen e plotë të politikës nga krimi. Kapja e shtetit nga krimi përmes përfshirjes së individëve me rekorde kriminale apo me lidhje me krimin e organizuar, në Kuvend, në Qeveri, në pushtetin vendor, në funksione të larta apo funksione kyçe të administratës publike dhe organeve ligjzbatuese, përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike dhe për vetë sigurinë kombëtare.

Ora 18:23
Vendimi i parë i Këshillit Politik, caktohen 6 ekspertë për draftin e reformës zgjedhore, 2 nga OSBE-ja

Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore pas konstituimit në mbledhjen e sotme ka marrë edhe vendimet e para. Këshilli ka vendosur që të caktojë gjashtë ekspertë ligjorë për reformën zgjedhore, dy do të jenë nga opozita e bashkuar, dy nga komisioni, praktikisht një nga shumica dhe një nga opozita në parlament dhe dy të tjerë që do të jenë të jashtëm nga OSBE-ja. Opozita jashtë parlamentit nuk ka vendosur ende emrat, ndërsa Ilir Rusmajli dhe Viktor Gumi janë dy emrat e ekspertëve nga komisioni i reformës zgjedhore, që kanë qenë dhe do të vijojnë. Palët arritën në dakordësi që të miratojnë në parlament pa ndryshime, me konsensus të plotë, një draft të përbashkët, që pritet të miratohet jo më vonë se 15 marsi. 

Ora 17:59
Gjiknuri: Jam i lumtur për kthesën e madhe të PD-së! Ndryshim i sistemit? Pse jo...

Bashkë-kryetari i reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri pas takimit të Këshillit Politik u shpreh për mediat se prioritet i ekspertëve të hartimit të draftit janë cështjet e administrimit të zgjedhjeve, ndërsa në plan të dytë vendosi ndryshimin e sistemit duke e lënë derën të hapur. 

Prononcimi i plotë i Damian Gjiknurit
Sapo mbaroi mbledhja e Këshillit Politik, siç ishte e planifikuar në dokumentin e marrëveshjes, ku ky Këshill autorizon përfundimisht dhe nga sot fillon puna e përbashkët mes përfaqësuesve te Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe përfaqësuesve të opozitës jashtëparlamentare, me qëllim gjetjen e një konsensusi në lidhje me të gjitha pikat e debatueshme në Kodin Zgjedhor apo legjislacionin zgjedhor.

Ne shprehim vullnetin tonë dhe mirëpresim të fillojë menjeherë puna. Ditën e Hënë, Komisioni i Reformës Zgjedhore do ti dërgojë letër ODIHR-it për të kërkuar ekspertin ndërkombëtar i cili mund të vijë në Shqipëri në qoftë se është e mundur, për të mediuar dhe për të punuar me palët. Nga ana tjetër, nga e Hëna dhe më tutje pse jo përditë të fillojë puna mes përfaqësuesve të opozitës jashtëparlamentare dhe ekspertëve të tyre që të punojnë me përfaqësuesit e Komisionit të Reformës Zgjedhore siç është parashikuar në marrëveshje.

Kjo, me synim që këtë periudhë ta shfrytëzojmë në mënyrë maksimale që ti japim një Kod të ri Zgjedhor shqiptarëve. Ky është qëllimi jonë në këtë tavolinë që është një tavolinë formale e cila dha bekimin e saj politik dhe roli tani i mbetet përfaqësuesve politikë të opozitës dhe Komisionit të Reformës Zgjedhore për ta çuar përpara këtë proçes.

Zoti Bylykbashi renditi sot më herët ato që i konsideroi prioritete për opozitën. Do të jenë ato ne axhendë zoti Gjiknuri?
Tani, secila palë vendos prioritetet e saj. Ju kemi thënë dhe po e përsëris, prioritet për këtë grup pune që punon me Komisionin e Reformës Zgjedhore është objekti i punës i Komisionit të Reformës Zgjedhore, çështjet e administrimit zgjedhor ,pse jo edhe çështjet e Sistemit Zgjedhor nëse do ketë një dakordësi. Tani, konotacionet politike dhe deklaratat politike, që njëra palë ja bën tjetrës, ne jetojmë në politikën shqiptare, e rëndësishme është të fokusohemi.

Nuk dua të hyj te deklaratat politike, unë e kuptoj, Partia Demokratike ka bërë një hap, një kthesë të madhe nga qëndrimet e saj shumë eksteremiste, që është për tu përshëndetur. Unë realisht jam shumë i lumtur që Partia Demokratike dhe Partia Socialiste dhe faktorët politikë shqiptarë ulen në një tryezë për të gjetur kompromis. Ky është mesazhi më i mirë që kërkojnë të dëgjojnë shqiptarët, ashtu edhe institucionet ndërkombëtare europiane, amerikane të cilët e kanë në fokus, stabilitetin e demokracisë shqiptare.

Ora 17:58
Bylykbashi: Tani fjalën e kanë ekspertët, të ecin shpejt për hartimin e reformës

Përfaqësuesi politik i PD-së Oerd Bylykbashi pas takimit të Këshillit Politik deklaroi se tashmë detyra e ekspertëve është që të ecin sa më shpejt për përgatitjen e draftit. I pyetur nga Report Tv se cfarë mendon për faktin që reforma duhet të miratohet nga një parlament, që opozita e ka cilësuar ilegjitim, ai tha se "Nuk kam se cfarë të shtoj asgjë nga dokumenti i kompromisit, Kuvendi duhet të miratojë draftin".

Deklarata e plotë
Sapo u konstituua Këshilli Politik sipas dokumentit të kompromisit për fillimin e refomës zgjedhore, dokument i cili përcakton procedurën në çfarë mënyre do të ecë kjo reformë zgjedhore, e cila duhet të mbyllet brenda 15 marsit. Ky Këshill autorizon përfaqësuesit politikë dhe ekspertët që të operojnë me konsensus.

Ky konsensus duhet të qendrojë deri në momentin e miratimit, siç është dakortësuar në dokumentin e kompromisit dhe ajo që ne bëmë të ditur, qendrimin e opozitës së bashkuar, i cili do të bëhet publik është prioriteti i çështjeve, që pëpruthet 100% me prioritetet që përcakton OSBE/ODIHR:

lufta kundër shitblerjes së votës

presioni mbi zgjedhësit

presioni mbi zgjedhësit, që janë punonjës të administratës

abuzimi me burimet shtetërore

manipulimi i listave

keqpërdorimi i policisë së shtetit

cënimi i sekretit të votës

cënimi i lirisë së votës

Këto janë ato çështje që reforma do t’i trajtojë me prioritet dhe, sigurisht të trajtojë të gjitha çështjet e tjera pa asnjë përjashtim, duke patur parasysh arritjen e rekomandimeve dhe standardeve të OSBE/ODIHR-it.

Ky dokument do t’ju bëhet publik dhe besoj që nga ky moment detyra  e përfaqësuesve politikë dhe ekspertëve është të ecin shpejt me hartimin e reformës brenda një periudhe sa më të shkurtër, brenda 15 marsit.

Pyetje: Zoti Bylykbashki do të pranoni që kjo reformë të miratohet nga një kuvend që ju e quani ilegjiti dhe për të cilin keni protestuar?

Oerd Bylykbashi: Unë nuk kam çtë shtoj asgjë nga dokumenti i kompromisit. Aty bëhet shumë e qartë - Kuvendi i Shqipërisë duhet ta miratojë atë që do të dalë me consensus, pa asnjë ndryshim.

Ora 17:53
Hajdari pas mbledhjes së Këshillit Politik: Nuk është përjashtuar ndryshimi i sistemit, si bashkëkryetare kam të drejtën e 'vetos'

Bashkëkryetarja e Komisionit për Reformën Zgjedhore Rudina Hajdari ka deklaruar pas takimit të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore se nuk është përjashtuar ndryshimi i sistemit, ndërsa theksoi se roli i saj si bashkëkryetare mund të prevalojë në produktin final.

"U diskutua fakti se roli jonë është kyc në këtë tryezë tregon se ne do japim kontributin tonë. Si bashkëkryetar ne kemi një fuqi prevaluese  veto në produktin final. Ajo që është e rëndësishme për ne është se produkti final duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës. Për ne është e rëndësishme një konsesus. Edhe ndryshimi i sistemit është përmendur edhe nga palët e tjera. Ne duhet të kemi një produkt të dakordësuar nga të gjitha palët. Shqiptarët duhet të zgjedhin ata njerëz që duan. Unë mendoj se hapja e listave do ishte shumë pozitive për zgjedhjet e ardhshme. Takimi ishte i sukesshëm. Ne do takohemi, ndoshta edhe përdite sepse duhet punë intensive dhe transparente. Është e vështirë për t'iu shmangur detyrave politike"

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Akt sabotazhi në Baltik? BE kërcënon Rusinë me sanksione

Akt sabotazhi në Baltik? BE kërcënon Rusinë me sanksione