Partia Demokratike ka përfunduar mbledhjen e Kryesisë, ku u miratuan ndryshimet statutore pa asnjë ndryshim nga drafti fillestar, pavarësisht diskutimeve dhe kërkesave të disa anëtarëve për heqjen e procesit të primareve.
Gjatë mbledhjes pati debate të gjata lidhur me funksionimin e primareve në PD, me argumentin se ky mekanizëm nuk ka dhënë rezultatet e pritshme, por nga kryetari Sali Berisha nuk pati sinjale për ndryshimin e këtij neni.
Kryesia miratoi gjithashtu edhe listën e propozuar nga Berisha me kandidatët për anëtarë të Këshillit Kombëtar. Lista pritet të bëhet publike nesër, ndërsa Kuvendi Kombëtar do të votojë 460 kandidatë për 200 vende në Këshillin Kombëtar.
Ndryshimet statutore nuk prekin nenin e njohur si “neni Basha”, i cili detyron kryetarin e partisë të japë dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve. Ky nen nuk u zbatua nga Berisha pas zgjedhjeve të 11 majit.
Ndryshimet e miratuara fokusohen kryesisht në aspektin organizativ të partisë. Statuti i ri parashikon fuqizimin e diasporës në organet drejtuese dhe listat zgjedhore me një kuotë përfaqësimi prej 15%, si dhe rritjen e përfaqësimit të grave dhe vajzave nga 30% në 40%.
Në nisje të mbledhjes, Berisha deklaroi se me këto ndryshime PD synon të shndërrohet në “partinë e seksionit”, duke i hapur rrugë anëtarësimeve të reja dhe një riorganizimi të strukturave në terren.
Vula përfundimtare për ndryshimet statutore dhe përbërjen e re të Këshillit Kombëtar pritet të jepet në Kuvendin Kombëtar të PD-së, të thirrur më 30 maj.
Risitë dhe ndryshimet kryesore të propozuara për ndryshimet në Statut, mund të përmblidhen si më poshtë:
1. Fuqizimi i Diasporës shqiptare dhe përfaqësimi real politik i saj.15% në lista dhe në organet e partisë duhet të jenë përfaqësues nga Diaspora.
2. Fuqizimi i rolit të grave dhe vajzave në Parti, duke e rritur përfaqësimin e tyre nga 30 % në 40%.
3. Ngritjen e Komisionit të Seleksionimit të Kandidaturave për deputet dhe kryetar bashkie, si strukturë autonome nga organet drejtuese të partisë, përpara realizimit të procesit të primareve.
4. Përmirësimi i organizimit bazë të partisë (grupseksionet dhe nëndega) dhe forcimi i Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve.
5. Forcimi i raporteve mes Degëve të Partisë dhe të zgjedhurve vendor (këshilltarëve bashkiak).
6. Njohja e një statusi të barabratë për të gjitha organizatat partnere të partisë, duke respektuar historinë e themelimit të PDSH.
7. Mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve të Partisë.
8. Saktësimi i rregullave të shkarkimit të kryetarëve të degëve, duke i dhënë më shumë garanci të qëndrimit në detyrë.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Sali Berisha deklaroi se Partia Demokratike po hyn në një fazë transformimi dhe ripërtëritjeje të thellë organizative, duke e cilësuar procesin si jetik për rikthimin e forcës politike në pushtet.
Gjatë mbledhjes ku pritet të miratohen ndryshimet statutore dhe strukturat drejtuese të partisë, Berisha tha se Kuvendi Kombëtar do të sanksionojë bazat e një transformimi të vërtetë të PD-së, që sipas tij nënkupton organizim më të fortë, modernizim dhe hapje ndaj prurjeve të reja.
Ai theksoi se PD do të funksionojë si “partia e seksionit”, duke vendosur në qendër të organizimit strukturat bazë në territor. Sipas Berishës, prioritet absolut do të ketë forcimi i seksioneve dhe rritja e rolit të anëtarësisë në jetën e partisë.
"PD, në rrafshin organizativ, do jetë partia e seksionit. Ne jemi parti e territorit, pra ne jemi parti e seksionit. Dhe, përparësi absolute në piramidën e saj merr themeli, i cili është seksioni. Ripërtëritja nënkupton anëtarësime të reja. Nënkupton zhdukjen e çdo barriere që pengon anëtarësimet e reja. Nënkupton hapjen e dyerve në nivel seksioni dhe në të gjitha nivelet për prurje të reja, angazhime të reja. Ju garantoj se janë me mijëra e mijëra demokrate e demokratë që të gatshëm të anëtarësohen dhe të marrin përgjegjësi, por që nuk u ofrohet kjo mundësi. Nuk u ofrohet ky mjedis. Nuk u ofrohet sepse, e kam theksuar dhe e theksoj, sëmundja e opozitarizmit është inercia, është apatia. Dhe kjo sëmundje bën që të tregohemi indiferentë ndaj këtij procesi që është jetik për PD-në. PD sot më shumë se kurrë ka nevojë për eficencë. Eficencën e çdonjërit prej drejtuesve, prej anëtarëve të saj. Ka nevojë për treguesit e matjes së kësaj eficencë në mënyrë që potencialet e saj të shfrytëzohen në shkallë maksimale. PD ka jetik shfrytëzimin e çdo potenciali që ofron dixhitalizimi dhe urtësia artificiale në mënyrë që ne të mund të shumëfishojmë fuqinë tonë, aftësitë tona. Programi i saj apo vizioni i saj është absolutisht më i miri që ekziston. Por ne kemi fatin e madh dhe privilegjin e veçantë që programin e kësaj partie ta konsultojë, ta shqyrtojmë dhe rishqyrtojmë me think-tanket më të mira që ekzistojnë sot në Europë dhe në SHBA",- tha Berisha,
Komente






