Mbyllen shkollat dhe kopshtet e përkohshme në hotelet në Durrës, Shëngjin dhe qytete e tjera që ishin strehuar fëmijët që u prekën nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit. Pas tërmetit që shembi banesat, familjet e prekura bashkë me fëmijët u akomoduan në hotele dhe për të mos humbur orët e mësimit, nga ministria e Arsimit u krijuan shkollat dhe kopshtet e përkohshme. Por pas festave, me rifillimin e mësimit ditën e sotme, nuk ka më shkolla të përkohshme. Fëmijët janë dërguar në shkollat dhe kopshtet më të afërta, sipas burimeve nga ministria e Arsimit dhe transporti bëhet nga shteti.
Por cfarë po ndodh me këto familje? Në datë 3 janar ishte vendosur që banorët e prekur nga tërmeti që janë strehuar në hotele të dilnin për t'u zhvendosur në banesat me qira të subvencionuara nga vetë shteti. Por duke qenë se një pjesë e banorëve nuk po gjenin shtëpi me qira dhe të tjerë u ankuan për bonusin e miratuar që është shumë i vogël, pasi çmimet janë rritur, autoritetet lokale dhe qendrore vendosën që në Thumanë të shtyjnë afatin e daljes nga hotelet, po ashtu edhe në Durrës, por jo për të gjithë.
Në Durrës, bashkia sqaroi pak ditë më parë për Report TV se 480 familjet që kanë qenë në banesa me qira kur ra tërmeti i 26 nëntorit, duhet të dalin nga hotelet që janë vendosur. Gjithashtu, po sipas bashkisë edhe familjet që aktualisht janë në hotel, por që kanë përfituar bonusin duhet të largohen. Ndërkohë që familjet që u është shembur shtëpia apo është bërë e pabanueshme, por që janë në proces të marrjes së bonusit të qirasë do të vijojnë që të qëndrojnë në hotelet e Durrësit deri në një urdhër të dytë.