Jordan "Orce" Kamçev, një nga emrat më të përfolur në Maqedoninë e Veriut, është liruar nga paraburgimi me një garanci bankare prej 11 milionë eurosh.
Vendimin për lirimin e Kamçevit, bashkëpronar i spitalit privat “Sistina” në Shkup, por edhe i shumë bizneseve tjera, e mori Gjykata e Apelit të martën në mbrëmje, pasi e ka vlerësuar si të mjaftueshëm shumën e ofruar si garanci për të mos u arratisur.
Orce Kamçev, është familjar i ish-drejtorit të policisë sekrete, Sasho Mijallkov, i cili para Vitit të Ri, po ashtu u lirua nga paraburgimi me garanci bankare prej gati 11 milionë eurosh.
Kamçev, sikur edhe Mijallkov, akuzohen për veprën penale “Parcelat në Vodno”, blerje të paligjshme të tokës për ndërtim.
I akuzuari i parë në këtë rast është ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, i cili ndiqet penalisht për përvetësim të 1.3 milion eurove nga donacionet partiake të përdorura për blerjen e parcelave në Vodno, zonë turistike malore në Shkup.
Orce Kamçev, që nga 31 dhjetori ndodhet për trajtim mjekësor në spitalin “Sistina” për shkak të ankesave shëndetësore.
Ai ndodhet në paraburgim që nga marsi i vitit 2021, kur u arrestua lidhur me dyshimet se mund të arratisej.
Vendimi i Gjykatës së Apelit e detyron Kamçevin që të paraqitet rregullisht në gjykatë për të dëshmuar praninë e tij në Shkup ndërsa i janë konfiskuar edhe dokumentet e udhëtimit.
Biznesmeni i afërt me Gruevskin është i dyshuar edhe në një proces tjetër gjyqësor të koduar si “Perandoria”, ku hetohet për krim financiar, konkretisht për pastrim parash përmes kompanive në Maqedoni të Veriut dhe kompanive të regjistruara në vende të huaja.
Kamçev është drejtor i kompanisë “ Orka Holding”, të themeluar që nga viti 1990 nga babai i tij.
Vendimi për lirimin e Kamçevit dhe vendimi tjetër për lirimin e Sasho Mijallkovit, ka nxitur reagime të shumta në opinion, duke e akuzuar gjyqësorin për lidhje me pushtetin e kaluar, por edhe korrupsion.
“Gjykatësit që morën vendimin duhet t’i japin llogari opinionit se në çfarë baze kanë marrë një vendim të tillë dhe në cilën formë do ta marrin përgjegjësinë në rast se Mijallkov arratiset”, thuhej në reagimin e ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq.
Ndërsa Aleanca për Shqiptarët akuzoi gjyqësorin për standarde të dyfishta, pasi sipas opozitës shqiptare, mbeten të pazbardhura të gjitha rastet ku janë të dënuar shqiptarët./ Rel