LEZHE- Rritja e çmimit të naftës, plehrave kimike dhe inputeve bujqësore ka vënë në vështirësi fermerët e Zadrimës, në një periudhë delikate që përkon me kohën e mbjelljeve të pranverës.
Zona e Zadrimës, një nga fushat më pjellore në Shqipëri, është historikisht e njohur për prodhimin e drithërave (misër dhe grurë), rrushit dhe perimeve stinore.
Megjithatë, fermerët e pakët që vazhdojnë të punojnë tokën po përballen me një rritje të kostos së bazës prodhuese deri në 30–40%, duke e bërë të pamundur mbajtjen e aktivitetit. Shumë prej tyre janë detyruar të lënë tokat pa i punuar.
"Me këto çmime, është e pamundur të vazhdojmë. Shumë prej nesh janë detyruar të lënë tokat pa i punuar," thonë fermerët e Zadrimës.
Një problem i ngjashëm është vënë re gjate këtyre ditëve edhe në Maliq, Lushnje e Fier, ku fermerët kanë ndalur punën për shkak të çmimeve të larta.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk ndërhyhet me masa lehtësuese, kjo situatë mund të shkaktojë rënie të prodhimit bujqësor në vend, të rrisë varësinë nga importet dhe të rrenoje ekonominë e qindra familjeje qe jetojnë me bujqësi.
Komente












