Luftës kundër korrupsionit nga foltoret politike i ka dalë tashmë tymi. Shenjat u dhanë qëkurse kryeministri Berisha, me t’u rikthyer në pushtet në vitin 2005, la pasdore akuzat e bujshme që kishte shqiptuar anembanë vendit si shef i opozitës kundër disa prej zyrtarëve të lartë të qeverisë socialiste. Çfarë ndodhi? Ku shkoi gjithë ai perbetim që pati kumbuar për muaj të tërë si kolona zanore e kohës ? Historia nuk është aq e thjeshtë që të mund të tregohet me dy fjalë. Telegrafisht mund të permendim disa shpjegime. Së pari, ndodhi ajo që ndodh gjithmonë me fitimtarët: zbuten, ndihen të shpërblyer, pra nuk kanë dellin e mëparshëm luftarak dhe kjo është e natyrshme, ç’është e verteta. Së dyti, një pjesë e rishtarëve që u panë në PD kur po shtrohej torta e pushtetit të ri u sulen të korrnin frytet e fitores, që e konsideronin vetëm të Berishës, duke shënuar kësisoj me nepsin e tyre për t’u pasuruar dhe me krushqitë e tyre me biznesin e pistë një shmangie tjetër të antikorrupsionit nga objektivi i shpallur. Së treti, ka të ngjarë që pasi u rehatuan nepër zyra si fitimtarë, kryeministri dhe minisrat e tij zbuluan se për shumë akuza të hedhura lart e poshtë si tribunë të popullit e kishin tepruar ose kishin folur qesim, ndërkohë qe e vërteta ishte ndryshe. Së katërti, pavarësisht se si kishte folur, precedenti i dënimit politik të ish kryeminsitrit Nano në vitin 1993 ishte një faktor frenues për Berishën për të çuar politikanë para drejtësisë. Së pesti- dhe ky shpjegim mund të jetë i pari nga rëndësia- qeveria, në vend të antikorrupsionit si ndëshkim, që të merr kohë dhe nerva gjithsesi, ndërmori me përparësi antikorrupsionin produktiv, atë që shtonte paratë në arkën e shtetit, luftën kundër kontrabandës dhe evazionit, reformimin e fiskut , procedurave, e tjerë. Kjo ishte një qasje e drejtë në rrethanën e dhënë. Fakti është se përgjatë tre vjetëve të para të qeverisjes së dytë të PD-së të ardhurat nga taksat e tatimet u rritën përtej parashikimeve, përceptimi i publikut për korrupsionin ndryshoi shumë. Shqipëria doli nga lista e vendeve më të korruptuara të botës.
Akuzat e Berishës do të ishin mbuluar me këtë bilanc të rrallë dhe do të ishin harruar , nëse disa nga të akuzuarit e tij më ekselentë, si Ilir Meta apo Fatos Nano nuk do të ishin bërë aleatë apo mbështetës të tij. Ky është momenti i autodemaskimi të madh të antikorrupsionit verbal si mashtrim. Vetë kryeministri Berisha, duke dashur të përligjë aleancat e reja me të akuzuarit e tij, i vuri vulën fakultatizmit me antikorrupsionin e foltoreve duke i quajtur akuzat e tij të dikurshme ndaj aleatëve të rinj "fjalë kazani".
"Fjalët e kazanit" janë në fakt një shkollë politike në Shqipëri. Një shkollë e cila, përballë principeve të përgjegjësisë, seriozitetit, etikës dhe vlerave të tjera të kulturës qytetare meriton të quhet me plot gojën antishkollë. Kushdo që studion sadopak ecurinë dhe bilancin e kësaj antishkolle nepër vite konstanton dhe kupton se e ashtuquajtura luftë kundë korrupsionit me akuza populiste që ose nuk janë çuar fare para drejtësisë ose janë rrëzuar rregullisht në gjykata në rastet e pakta kur janë çuar, jo vetëm nuk ka prodhuar rezultate, por ka qenë parathënia më e sigurtë e korrupsionit të ri. (Nuk është për t'u habitur që në vitin e tetë të qeverisjes së PD-së kurba e perceptimt të publikut për korrupsionin në vend pothuajse është kthyer në nivelin nga u nis në vitin 2005). Është logjike. Në natyrën e saj kjo lloj lufte e pasinqertë, që ndizet e shuhet në foltore sipas interesave të çastit, bëhët kryesisht për qëllime elektorale, për të damkosur kundërshtarin, për ta paraqitur në publik si kuçedrën që na ka zënë ujin prandaj duhet shporrur. Në rrafshin programatik, kjo tregon mungesën e aftësisë apo edhe vullnetit për ta luftuar korrupsionin me reforma, me zgjidhje institucionale. Ndërsa në rrafshin etik, kështu siç është bërë e bëhet, kjo luftë është spekulative. Destinacioni kryesor i akuzave dhe kundërakuzave është fantazia e njerëzvve, që këta, varësisht nga përkatësitë apo homori politik, të përfyrojnë bajlzozin që u servirin politikanët, mundësisht disa herë më të madh se sa u është servirur. Makiaveli thoshte se akzuat që përballen apo shqyrtohen në gjykatë i bëjnë mirë shoqërisë, ndërsa akuzat që lihen pezull e helmojnë atë pasi përfaqësojnë një spekullim të lig me varfërinë, me veset natyrore të smirës, me prirjen natyrore të njerëzve për mos e pranuar pabarazinë. Shumë rrallë akzuat për të cilat po flasim kanë si denstinancion drejtësinë. Madje si për ta plotësuar me një element tjetër thelbësor karakterin spekullativ të luftës në fjalë, zakoni në vendin tonë është që drejtësisë i drejtohen të akuzuarit dhe jo akuzuesit. Përvoja ka treguar se në shumicën e rasteve foltoret politike i kanë humbur betejat me aulat e gjykatës. Pavarësisht se çfarë komentesh bëhën, ky fakt duhet të sherbëjë për reflektime të thella. Nuk kemi drejtësi të pavarur, sundon kultura e pandëshkueshmërisë, kjo është e vertetë, e thonë edhe raportet e Bashkimit Europian. Por nga ana tjetër, kjo situatë nuk mund të shërbejë për të justiifikuar mungesën e provave bindëse, për publikun së paku, e ca më keq për ta futur problemin në rrethin vicioz të " hidh e prit". Midis vërdiktit së togave të zeza dhe verdiktit të "tribunëve politikë" zakoni i demokracisë zgjedh të parin. Na pëlqen apo jo. Partitë nuk janë si shtypi që investigon, denoncon apo jep indicie të korrupsionit dhe abuzimeve. Partitë janë për të ofruar parasëgjithash zgjidhje. Shtypit i shkon të ngrerë dyshime dhe të pyesë fjala vjen "nga e kanë burimin paratë e harxhuara për blerjen e kësaj tokë, ndërtimin e kësaj linjë apo këtij pallati"? Partitë parlamentare kanë mundësinë dhe detyrimin ta marrin këtë informacion, nëse u intereson, pranë institucioneve përkatese që mbahen nga taksapaguesit pikërisht për të hetuar burimin e parave të personave që janë subjekt i ligjit për deklarimine pasurisë. Partitë vetëm helmojnë mjedisin kur e shdërrojnë dyshimin në kryefjalë të komunikimit publik. Një partie parlamentare, sidomos PD- së në pushtet, nuk i shkon fare lufta me pyetje, që shqiptohen ditë për ditë me një theks linçues, ndërkohë që është aty ku është jo për të pyetur por për tu përgjigjur. Opozita rrezikon të afishojë një koncept të vjetër, kur me gojën e ndonjë përfaqësuesi të saj njofton apo premton marrjen e gjykatave si kusht për vendosjen e drejtësisë! Kjo nuk mund të ndodhë. Në lidhje me drejtësinë, opozita e sotme duhet t'i bëjë llogaritë me sistemin që kemi, duke paraqitur vizionin e reformit të saj sipas standarteve europiane. Kush mendon apo beson se mund të këtë një drejtësi partizane apo jakobine, është plotësisht jashtë realitetit.
Antishkolla politike e "fjalavë të kazanit" e ka mbaruar kohën e saj. Ajo nuk jep më vota, nuk jep asgjë. Vetëm na përkujton talljen me publikun, kur publiku besonte akoma në pretimin berishian të shtetit ligjor dhe duarve të pastra. Ajo është antishkolla për t'u tejkaluar nga kultura e re demokratike e komunikimit poltik dhe publik.

Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)