Karizma e të atit të tij, Ali Khamenei, ushqehej me simbole, anatema, predikime të gjata dhe dalje të shpeshta publike. Të shfaqej para popullit për të vulosur autoritetin e tij, si në tetor 2024 kur udhëhoqi lutjen e së premtes me një pushkë pranë vetes, një akt sfide i rrënjosur në ritualitetin shiit. Kishin kaluar vetëm pak ditë nga vrasja e Hassan Nasrallah, liderit të Hezbollahut të dashur për iranianët, nga Izraeli, dhe ajo pamje e vetme mjaftoi për të imponuar mesazhin: do të luftojmë deri në fund.
Djali i tij, Mojtaba Khamenei, sundon në mungesë, i mbështetur në një rrjet ndikimi të ndërtuar gjatë tridhjetë viteve manovrash në hije, marrëveshjesh dhe aleancash, sekretet e të cilave askush nuk i njeh. Komanda e tij ushtrohet përmes zhdukjes, si Imami i 12-të, al-Mahdi, i cili sipas traditës Shiite, hyri në fshehtësi hyjnore duke iu shmangur syrit publik për t’i shpëtuar përndjekjes. Por Mojtaba Khamenei është një lider më pak suprem se i ati.
Për gjendjen e tij shëndetësore janë thënë shumë gjëra; e vetmja e sigurt është se, pasi u plagos rëndë gjatë bombardimit që vrau të atin, bashkëshorten dhe një nga djemtë e tij në fillim të luftës, ai është i kthjellët dhe i vetëdijshëm dhe “po luan një rol vendimtar në përcaktimin e strategjisë së luftës së bashku me zyrtarë të tjerë iranianë”, shkruan CNN duke iu referuar një raporti konfidencial të CIA-s.
Khamenei udhëheq, edhe pse jo i vetëm. Është lajmi i dytë brenda pak ditësh që përgënjeshtron pjesërisht ose plotësisht narrativën e luftës të përdorur nga Donald Trump. Një raport i parë i inteligjencës, disa ditë më parë, kishte vërtetuar se Irani ruan rreth 70% të kapacitetit të tij raketor dhe mund t’i mbijetojë për muaj të tërë bllokadës detare amerikane: një tablo ndryshe nga “asgjësimi” i kapaciteteve ushtarake të Teheranit për të cilin flet Trump. Raporti mbi Mojtaban kundërshton pjesërisht edhe narrativën që presidenti amerikan ka përdorur për të justifikuar ngërçin në negociata, domethënë se nuk dihet kush komandon në Iran. Është e vërtetë, por jo në kuptimin që nënkupton lideri amerikan: pushteti ekziston, vetëm se është bërë edhe më pak i dukshëm.
Sistemi është i fragmentuar, por vrasjet e shumë liderëve nuk e kanë paralizuar shtetin. Ka ndryshuar arkitektura vendimmarrëse, por procesi nuk është ndalur. Pushteti nuk ndodhet më vetëm në duart e një lideri dominues. “Udhëheqësi i ri mban formalisht pozicionin më të lartë të autoritetit. Por ai nuk është i ati; pushteti tani shpërndahet mes një rrethi të ngushtë figurash ushtarake, të sigurisë dhe politike, detyrat dhe përgjegjësitë e të cilëve mbivendosen gjithnjë e më shumë”, vëren analisti Hamidreza Azizi.
Kreu i Pasdaranëve, Ahmad Vahidi, dhe një grup tjetër gjeneralësh imponojnë vijën mbi luftën. Mohammad Bagher Ghalibaf, kryetar i parlamentit dhe ish-komandant i Gardës Revolucionare, shërben si lidhje me krahun politik dhe qeverinë civile. Këshilli i Sigurisë Kombëtare i drejtuar nga Mohammad Bagher Zolghadr koordinon qendrat e ndryshme të pushtetit. Aparati i sigurisë ka fjalën e fundit për një sërë vendimesh që lidhen me konfliktin dhe negociatat; sistemi është më i militarizuar dhe më i radikalizuar, më pak “i dukshëm, më kolektiv në procesin vendimmarrës dhe më i vështirë për t’u ndikuar”.
Khamenei luan një funksion thelbësor: legjitimon vendimet e marra, ndoshta edhe diku tjetër, garanton vazhdimësinë dhe u lejon figurave të larta të Pasdaranëve ose Parlamentit të mbrohen nga kritikat. Të paktën për momentin. Pas luftës, Mojtaba mund të vendosë ta ushtrojë ndryshe lidershipin e tij. Pas më shumë se dy muajsh heshtjeje absolute, zyrtarët iranianë kanë filluar të flasin hapur për të, edhe si mënyrë për të qetësuar qytetarët që pyesin kush po e drejton realisht vendin.
Për herë të parë, tre ditë më parë, presidenti Masoud Pezeshkian tregoi publikisht se kishte kaluar më shumë se dy orë me Udhëheqësin. Dje, Mazaher Hosseini, shef i protokollit në zyrën e Khameneit, konfirmoi se Mojtaba ka plagë në kapakun e gjurit, në pjesën e poshtme të shpinës dhe se “një copëz e vogël e ka goditur pas veshit”, por ai po shërohet dhe “falë Zotit, gëzon shëndet të mirë”. Sipas CIA-s, ai ka gjithashtu djegie në anën e djathtë të trupit dhe fytyrës. Por nëse nuk shfaqet publikisht, thotë Hosseini, kjo ndodh për arsye të tjera, për të mos u bërë objektiv: “Duan ta gjejnë, por njerëzit duhet të jenë të duruar dhe të mos nxitojnë. Ai do t’ju flasë në momentin e duhur.”/La Repubblica
Komente










