Një valë incidentesh shqetësuese po shfaqet në Europë, duke ngritur pikëpyetje për një luftë të fshehtë mes Rusisë dhe Perëndimit. Nga shpërthime bombash në Londër deri te një aksident tragjik i një avioni transportues në Lituani.
Të hënën, një avion mallrash i DHL u rrëzua pranë aeroportit të Vilniusit në rrethana ende të paqarta. Po ashtu, në Londër, shpërthime bombash të fundit kanë tronditur sigurinë, duke përfshirë zona strategjike si Euston Square dhe aeroportin Gatwick.
Ndër të tjera sulme ka pasur dhe ndaj kabllove të telekomunikacionit në Detin Baltik, ndërprerje të sistemeve televizive duke shkaktuar ndryshime në programet në të gjithë Evropën. Shpërthimi në një fabrikë të armëve në Uells, gjithashtu, ka ndezur alarmet për kërcënime të brendshme dhe ndërkombëtare.
Dhjetëra incidente tjera të ngjashme ndodhën, ndërsa Perëndimi mbështet Ukrainën, nderkohe Rusia ka rritur veprimet e sabotazhit nëpër Evropë dhe më gjerë – duke ndjellë ndjenjën e pasigurisë në kontinent që nga Lufta e Ftohtë.
Ekspertët paralajmërojnë se këto ngjarje mund të mos jenë të izoluara dhe shërbimet e sigurisë tashmë kanë dhënë alarmin.
“Ne duhet të presim të shohim akte të vazhdueshme agresioni këtu në shtëpi”, tha drejtori i përgjithshëm i MI5 Ken McCallum në një fjalim muajin e kaluar.
“GRU [shërbimi i inteligjencës ushtarake të Rusisë] në veçanti është në një mision për të krijuar kaos në rrugët britanike dhe evropiane: ne kemi parë zjarrvënie, sabotim dhe më shumë. Veprime të rrezikshme të kryera në rritje”, shtoi ai.
Është, tha ai, një “fushatë e bashkërenduar” që kërkon një “përgjigje të fortë dhe të qëndrueshme”.
Këtë javë, Bruno Kahl, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Gjermanisë, tha se “masat hibride” ruse vetëm rrisin “rrezikun që NATO përfundimisht të konsiderojë thirrjen e klauzolës së saj të mbrojtjes reciproke [neni 5]”.
Dhe në një fjalim të përbashkët me homologun e tij francez të premten, Sir Richard Moore, shefi i MI6 – i njohur si “C” – foli për “boshtin moralisht të falimentuar të agresionit” të mbikëqyrur nga Vladimir Putin, shkruan media britanike ''The Telegraph''.
“Kohët e fundit kemi zbuluar një fushatë jashtëzakonisht të pamatur të sabotazhit rus në Evropë, edhe pse Putini dhe bashkëpunëtorët e tij i drejtohen goditjeve bërthamore, për të mbjellë frikë për pasojat e ndihmës ndaj Ukrainës dhe për të sfiduar vendosmërinë perëndimore për ta bërë këtë”, tha ai.
Por, “siguria jonë – britanike, franceze, evropiane dhe transatlantike – do të rrezikohet”, shtoi Sir Richard për perspektivën që Putini ta reduktojë Ukrainën në një shtet vasal.
“Kostoja e mbështetjes së Ukrainës është e njohur mirë, por kostoja e mosbërjes së kësaj do të ishte pafundësisht më e lartë”, shtoi ai.