Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas artikullit të publikuar nga media greke Protothema, ku batutat e shkëmbyera në konferencën e një dite më parë në Abu Dhabi me moderator grekun John Defterios, u trajtuan si ironi dhe ofendime për të dhe Greqinë.
Rama e cilëson median Protothema si media nacionaliste që i shërben “ndonjë politikani të lodhur grek” dhe se nuk ka asgjë tjetër në atë artikull përveç se deformim të kontekstit humoristik të batutave të shkëmbyera në atë panel.
“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!
Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh!
Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian; që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë!
U kuptuam? Shpresoj po.
Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit!
Kaq”, shkruan Rama.
Artikulli i Protothema i referohet organizimit në Abu Dhabi ku pjesë e panelit të moderuar nga John Defterois, ishte kryeministri Edi Rama dhe ai i Malit të Zi Milojko Spajiç.
Fillimisht gazetari u korrigjua nga dy kryeministrat për shqiptimin e emrit “për shkak të origjinës” tha Rama, më pas diskutimi u zhvendos në fushën e ekonomisë. Gjatë një diskutimi shifrash për një projekt të Shqipërisë me Arabinë Saudite, Rama e korrigjoi shifrën, duke theksuar se bëhej fjalë për mbi 1 miliard euro, dhe shtoi: “Kur flisni për paratë tuaja, shtoni tre zero. Kur flisni për paratë e të tjerëve, hiqni tre zero.”
Në këtë kuadër diskutimesh, Rama iu drejtua gazetarit Defterios duke i thënë "ti nuk je pasardhës i Platonit dhe Aristotelit siç mendon".
Komente













Te drejt ke o Pasha! Vetem se batuta jote ishte tendencioze (ju Greket.. ti mendon se je pasardhes i Platonit..), pa kripe, e pa nevojshme, dhe mbi te gjitha me tone arrogante! Mbase sepse ti je aq i tymosur sa qe ty cdo gazetar i huaj te ngjan si Ylli Rakipi, me te cilin ben qyfyre pace-pilafi! A thua e bere Shqiperine si Singapori, dhe tani te lind e drejta te krekosesh me te tjeret sikur te ishe Lee Kuan Yew! Te fala Lindes
Përgjigju