Media, informaliteti pengon
ushtrimin e të drejtave kushtetuese

Media, informaliteti pengon<br />ushtrimin e të drejtave kushtetuese
Një qytetar B. C., i cili pretendon se është dëmtuar nga një person tjetër O. J. nëpërmjet shpifjes, ka hasur në një problem të papritur në Gjykatën e Tiranës. Gjyqtarja ka kërkuar që paditësi t’i paraqisë trupit gjykues një adresë të saktë të personit të paditur.

Kjo, pasi adresa e gjetur fillimisht nga avokati i paditësit nuk përkon me vendbanimin e të akuzuarit për shpifje, të paktën sipas korrierit të Gjykatës, që e ka kërkuar më kot për t’i dorëzuar njoftimin dhe ftesën për t’u paraqitur në gjyq, bashkë me akt-padinë.

Pas kësaj, për disa seanca me radhë – të cilat shtyhen çdo herë nga një muaj – vijon kalvari i qytetarit pranë njësisë bashkiake, në përpjekje për ta gjetur vetë adresën e personit. Por më kot. Zona që është dhënë si indicie për vendbanesën në fakt është një zonë informale, ku kanë shpërthyer ndërtimet pa leje. Edhe në ministrinë e Brendshme, që mbulon problemet e pushtetit vendor në Ekzekutiv, nuk mund të thonë më shumë për një rast të tillë.

Zakonisht, një problem i tillë mund të zgjidhet me një shpallje në derën e Gjykatës, një tjetër në njësinë administrative të bashkisë ku – me gjasa – banon i padituri dhe një të fundit në portalin online të institucioni gjyqësor. Por, 99% e shanseve janë që personi të mos marrë dijeni se ndaj tij është nisur një gjyq, kështu që rrezikon të gjykohet në mungesë, por mund të ndodhë edhe që gjyqtarja ta pezullojë pafundësisht gjyqin deri sa të gjendet personi.

Në t ëdy rastet, një qytetar i Republikës së Shqipërisë nuk ka mundur të ushtrojë të drejtat e tij kushtetuese për t’u informuar apo për të patur një gjyq të drejtë. Çka ja njeh edhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, të cilën shteti shqiptar ka kohë që e ka nënshkruar.

Problemi nuk është personal dhe aspak i izoluar. Shteti në dekada ka lejuar që disa qindra mijëra familje të spostohen nga vendbanimet e tyre, kryesisht zona të thella e të varfëra malore, për t’u afruar tek metropolet, qytetet kryesore, duke rritur edhe këtu ndjeshëm papunësinë dhe kriminalitetin. Këto zona janë krejtësisht informale, në to nuk ka emra rrugësh, numra shtëpish dhe kushdo mund të gënjejë për të fshehur identitetin e vet po të kërkohet nga administrata tatimore për taksat apo nga policia për probleme që kanë të bëjnë me rendin.

Tashmë organet e shtetit kanë filluar të lëvizin, por janë shumë larg zgjidhjes së problemit: urbanizimit dhe formalizimit të plotë në mbarë vendin të këtyre zonave. E vërteton këtë edhe fakti i sipërpërmendur, që nuk ndodhetnë periferi, por në njësinë nr.2 të kryeqytetit. Shteti nuk e di me saktësi se ku banon një shtetas. Kjo është shumë e rrezikshme, po të mendosh që në këtë mënyrë evazioni fiskal bën kërdinë, ndërkohë që shumë të kërkuar humbasin gjurmët në zona të tilla informale.

Natyrisht, edhe për një gazetar bëhet një rebus më vete gjetja e një personazhi, qytetari, denoncuesi, etj që mund të bëhet objekt për një reportazh, apo lajm, në rast se fjala është pikërisht për zona të tilla “gri”.

Kohët e fundit, ka nisur një fushatë për të fiksuar adresat, por atë po e zbaton ndërmarrja e shpërndarjes së energjisë elektrike, fushatë shumë e vonuar. Le të presim të shohim se në ç’masë kjo nismë do të arrijë rezultatet e synuara.

Por ky është vetëm një aspekt i dëmit nga informaliteti në Shqipëri. Padia e sipërpërmendur lidhet me shpifje që qytetarë të paregjistruar gjëkundi hedhin, sërish pa u hyrë gjemb në këmbë, në portale-fantazma, të cilat janë aktive prej kohësh, por nuk paguajnë taksa, nuk janë të regjistruara dhe, kështu, nuk ekzistojnë për shtetin. Kështu, mungesa e adresave personale mbivendoset me mungesën e adresave të subjekteve mediatike.

Ky është një fenomen më i ri në kohë se sa informaliteti në banesat, por po përhapet me shpejtësi. Mediat online vitet e fundit janë shumëfishuar në Shqipëri me të njejtën shpejtësi, me të cilën mbinin dikur kioskat në zemër të kryeqytetit. Ashtu sikurse kioskat përfaqësuan gjatë disa viteve formën anarkiste të një ekonomie të re shqiptare të tregut, ashtu sot mediat pirate online përfaqësojnë formën anarkiste të një lirie të re të shprehjes.

Në tregun mediatik shqiptar nuk ka pak portale të paregjistruara, që bëjnë konkurrencë të pandershme,që nuk i njohin organet tatimore shqiptare e që, për më tepër, nuk kanë si objektiv një informacion të paanshëm dhe të ndershëm. Ky treg mund të quhet pa frikë kaotik dhe dezinformues.

Kjo është një problematikë, për të cilën duhet të përgjigjet shteti shqiptar. Por, që duhet të përfshihet sa më shpejt në reformat që po bëhen për zbatimin e ligjit në vend, ku vëmendja kryesore është përqendruar tek Drejtësia dhe dekriminalizimi i jetës së vendit.       

 
  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Spahiu thirrje: Rama dhe Kurti të fillojnë bashkimin e Shqipëri-Kosovë në një shtet kombëtar

Spahiu thirrje: Rama dhe Kurti të fillojnë bashkimin e Shqipëri-Kosovë në një shtet kombëtar