“Çështja Berisha do të jetë fillimi i një epoke të re politike në Shqipëri”, media publike gjermane: Po ndëshkohet korrupsioni në nivele të larta

“Çështja Berisha do të jetë fillimi i një epoke të re politike në Shqipëri”, media publike gjermane: Po ndëshkohet korrupsioni në nivele të larta

Sali Berisha

Për herë të parë në 30 vitet e tranzicionit politik postkomunist të Shqipërisë, një lider dikur i plotfuqishëm, akuzohet për “korrupsion pasiv” me vendimet e marra gjatë kohës që ishte në detyrë.

Sali Berisha, një ish-president dhe kryeministër dhe lider aktual i Partisë Demokratike, partisë më të madhe opozitare në Shqipëri, u vendos në arrest shtëpie më 30 dhjetor.

Prokurorët kanë akuzuar Berishën për abuzim me pushtetin gjatë mandatit të tij të parë si kryeministër, nga viti 2005 deri në 2009. Çështja ka në qendër privatizimin e një qendre sportive në Tiranë, nga e cila dyshohet se ka përfituar dhëndri i tij.

Berisha ka thënë se akuzat janë të pabaza, duke pretenduar se janë një sulm i motivuar politikisht nga kundërshtari i tij, kryeministri aktual Edi Rama.

Nga ‘shpresa e demokracisë’, te minimi i demokracisë

Karriera politike e Berishës, e cila zgjat 33 vite, ka pasur ulje-ngritjet e saj. I përshëndetur si “shpresa e demokracisë” në ditët e para të karrierës së tij pas rënies së regjimit komunist në fillim të viteve 1990, ish-komunisti dhe kardiologu karizmatik u bë presidenti i parë i Shqipërisë, i zgjedhur në mënyrë demokratike në 1992.

Por në vitin 2021, ai u sanksionua publikisht nga Shtetet e Bashkuara “për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion madhor” dhe iu ndalua hyrja në vend. Sekretari i Shtetit Antony Blinken shkroi në Twitter, se “aktet korruptive të Berishës kishin minuar demokracinë në Shqipëri”.

Tani, në moshën 79-vjeçare, ai është i mbyllur në shtëpinë e tij dhe, sipas avokatit të tij, i ndalohet të komunikojë me këdo “përveç anëtarëve të familjes që jetojnë me të”.

Udhëheqja autoritare

Pasi Berisha u ngjit në pushtet, nuk kaloi shumë kohë që lidershipi i tij u kthye në autoritar. Ai përqendroi pushtetin në duart e tij, arrestoi gazetarë të pavarur dhe liderë opozitarë, dëboi kundërshtarët nga partia e tij, pushoi nga puna këdo që ishte kritik ndaj tij dhe përdori gjykatat për të ndjekur penalisht kundërshtarët e tij politikë.

Pas kolapsit në 1997 të skemave të tipit Ponzi që ai toleroi dhe inkurajoi, Berisha u largua nga pushteti pas një revolte popullore.

Pas pakënaqësisë së përhapur për korrupsionin e qeverive të njëpasnjëshme socialiste, ai u rikthye në pushtet tetë vjet më vonë, këtë herë si kryeministër, dhe drejtoi vendin nga viti 2005 deri në 2013. Gjatë kohës së tij si kryeministër, Berisha ushtroi ndikim dhe presion mbi gjyqësorin shqiptar.

A po pakësohet mbështetja për Berishën?

“Berisha mbetet i diskutueshëm për shkak të akuzave se qeverisja e tij rezultoi me gjakderdhje dhe humbje të jetëve të pafajshme civile, si në rastin e profilit të lartë të Gërdecit, ku 28 qytetarë humbën jetën në një incident të lidhur me demontimin e municioneve, ku dyshohet se ishte përfshirë djali i Berishës”, tha për “DW” Aleksander Cipa, analist i pavarur politik në Tiranë. “Ka qenë edhe rasti i vdekjes së katër protestuesve të pafajshëm në vitin 2011 kur Berisha ishte kryeministër”, shtoi ai.

Berisha u është përgjigjur ngjarjeve të fundit duke bërë thirrje për mosbindje civile, duke u përpjekur ta bëjë kombëtare luftën e tij personale dhe familjare. Deri më tani, ai nuk ka marrë shumë mbështetje. Kolegët e tij deputetë në Partinë Demokratike janë përpjekur të shkaktojnë kaos në Parlament, duke ndërprerë procedurat me flakë e tym, por mbështetja për të në rrugë është zvogëluar.

Shqipëria përballet me një rrugë të vështirë drejt BE-së

Shqipëria është në një gjendje të trazuar politike dhe ekonomike për tre dekada. Gjatë gjithë kësaj kohe, korrupsioni në nivelin më të lartë ka vazhduar procesin e tij të tranzicionit, duke penguar shanset e Shqipërisë anëtare të NATO-s, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, reforma në drejtësi dhe puna e dy institucioneve relativisht të reja gjyqësore, konkretisht Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, po japin shpresë se epoka e mosndëshkimit për ata që janë përfshirë në korrupsionin e nivelit të lartë, është duke përfunduar.

Për 30 vjet, gjyqësori ishte sektori më i korruptuar në Shqipërinë postkomuniste, me shumë gjyqtarë dhe prokurorë që përdornin ndikimin e tyre për të çimentuar pandëshkueshmërinë në nivelin më të lartë, duke mbrojtur politikanët e korruptuar dhe kriminelët e organizuar.

Procesi i Vettingut ka sjellë ndryshime dramatike

Futja e një procesi verifikimi – shtylla kurrizore e reformës gjyqësore të vendit, e cila mbështetet nga BE dhe SHBA – ka çuar në largimin e qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve nga postet e tyre sepse ata nuk mund të siguronin prova për burimin e tyre të pasurisë.

Gjatë dy viteve të fundit, drejtësia e reformuar ka kryer shumë hetime, dënime, sekuestrime dhe konfiskime në nivelin më të lartë të politikës duke përfshirë anëtarë të qeverisë dhe opozitës.

Shqiptarët tani presin shumë nga gjyqësori i tyre i reformuar luftë kundër korrupsionit. Shumë shpresojnë se çështja Berisha do të sjellë fillimin e një epoke të re politike, me politikanë të rinj që nuk kanë asnjë lidhje me korrupsionin e së shkuarës. Marrë nga 'DW' në gjuhën angleze!  *Titulli redaksional

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë, Mirdita vishet Kuqezi! Flamur gjigand në qendër të qytetit! Qindra qytetarë në festime, edhe ish-ushtarë të UÇK-së

112-vjetori i Pavarësisë, Mirdita vishet Kuqezi! Flamur gjigand në qendër të qytetit! Qindra qytetarë në festime, edhe ish-ushtarë të UÇK-së