Mediat: 'Kontakt' derdh inerte në vende të paligjshme, eksperti: Kompanitë nuk janë ndëshkuar, sanksionet nuk janë zbatuar

TIRANË- Ditët e fundit në media janë denoncuar depozitimet e jashtëligjshme të inerteve nga kompania e ndërtimit “Kontakt”. Inertet e nxjerra nga kantieri i më shumë se 20 pallateve të kompleksit të ri të  banimit “Mangalem” në lagjen Ali Demi, sipas denoncimeve në media, janë hedhur në zonën  Mjull- Bathore duke shkaktuar një katastrofë mjedisore. Tirana dhe periferitë e saj, janë mbushur me inerte ndërtimi duke vuajtur një dëmtim katastrofik ambienti jo vetëm nga kjo kompani. Ekspertët e mjedisit shprehen të shqetësuar për këto hedhje të paligjshme të cilat  përbëjnë një skandal mjedisor që ndodh çdo ditë në kryeqytet.

"Nuk e di se ku e gjejnë guximin këto kompani që hedhin inerte buzë lumenjve, por di të them që tregon edhe mosfunksionin të strukturave shtetërore, kontrolluese", thotë eksperti Elvis Xhaferri.

Sipas drejtuesit të Qendrës së Monitorimit Mjedisor z. Elvis Xhaferri, shkak kryesor që kryeqyteti ndodhet në këtë gjendje, mbetet moszbatimi i ligjit nga strukturat shtetërore. Sipas tij sanksionet  nuk janë zbatuar dhe kompanitë nuk janë ndëshkuar.

"Shteti nuk ka bërë detyrën e vet siç duhet për kapjen, penalizimin, orientimin e subjekteve se ku do i çojnë këto mbetje. Bashkia përshembull duhet të luajë një rol konkret, Bashkia e Tiranës, meqë është vendi që ndërton më shumë, gjeneron më shumë mbetje ndërtimore. Policia Bashkiake duhet të luajë një rol të rëndësishëm. Policia Bashkiake nuk e ka bërë detyrën si duhet", tha ai. 

Sipas Xhaferrit, ndotja është e gjithanshme. Ajo mund të shkojë në ujërat nëntokësor, apo të dëmtojë tokat bujqësore. Dëme akoma më të rënda në mjedis vlerësohen për ekspertët ndotjet që kalojnë në lumenj apo lëndët kimike që mund të kenë inertet.

"Ndotja fillon që nga ndotja vizuale njëherë, një peizazh natyror prishet me disa ndotje të hedhur aty. E dyta është një ndotje kimike sepse këto mbetje mund të jenë edhe të ndotura kimikisht dhe me shpëlarjen e tyre nga shiu mund të kenë rrjete të ndotësve kimik, por edhe uzurpimi i një toke bujqësore, një ndotje tjetër është që mund të krijojnë ndotje në lum", shprehet Xhaferri. 

Për fat të keq, zonat e kryeqytetit të mbushura me inerte ndërtimi të hedhura në mënyrë të paligjshme janë të shumta dhe shihen me sy të lire, sapo del në periferi. Paskuqan, Mullet, Kashar,  Prush, Tapizë, Tufinë janë disa nga vendet ku kompanitë e ndërtimit depozitojnë inertet  e tyre në kundërshtim me ligjin, duke kryer një vepër penale pa u ndaluar nga askush.

"Në kjo vazhdon në këtë mënyrë edhe 30 vite të tjera, nuk do të dallojmë se ku kemi natyrë dhe ku kemi depozitim inertesh", përfundon ekperti. 

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • liku: 02/10/2021 12:20

    Duhet te gjobitet policia bashkiake e cila nuk zbaton detyrat se ka konflik interesi ose te shkrihet per mos kryerje te detyres

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

2-vjeçari me tumor priti mbi 10 ditë për ilaçin e kimioterapisë, Partia e Lirisë: Duhet hetim, sistemi shëndetësor ka degraduar

2-vjeçari me tumor priti mbi 10 ditë për ilaçin e kimioterapisë, Partia e Lirisë: Duhet hetim, sistemi shëndetësor ka degraduar