Shock-u dhe rrënqethja që ka përfshirë shoqërinë shqiptare pas publikimit të lajmit për kapjen e një individi i cili akuzohet se ka vrarë 11 vjeçarin Julian Çela, të zhdukur disa muaj më parë, janë mëse të kuptueshme, duke konsideruar edhe se sa të pamësuar jemi ne si komb me të tilla barbari, të cilat sidoqoftë janë pjesë e realitetit të hidhur të botës postmoderne.

Në fakt, me ndryshimet gjithnjë e më radikale të mënyrës se si njerëzit socializohen e ndërveprojnë në këto kohë, me rritjen e nivelit të stresit, pasigurisë ekonomike apo duket se ka një rritje të ndjeshme të sjelljeve anormale, depresivo-agresive, sociopatike e violente mes individëve, gjithmonë e më shumë raste të raportuara (të paktën në botën perëndiore) të dhunës në familje, vetëvrasjeve, masakrave të kryera nga individë me probleme mendore, e veçanërisht një rritje të frikshme të incidencës së pornografisë me fëmijë dhe pedofilisë.

Teksa arsyet për të tillë rritje i studiojnë e debatojnë specialistët e fushës së psikologjisë e sociologjisë, të cilët vendit tonë nuk i mungojnë, duhet thënë se na mungon një hapësirë debati për fenomenin(et), ku më së pari të pranojmë se ekziston, e më pas të disktojmë edhe për mënyrën e trajtmit.

Duhet ta nisim së pari duke pranuar që teksa edhe shoqëria jonë modernizohet e përmirësohet (si bota Perëndimore), pashmangshmërisht do përballemi edhe me efektet anësore negative të të tillë modernizimi. Vetëm pasi ta pranojmë se nuk jemi të paprekshëm nga të tillë fenomene mund të mendojmë dhe për mënyrën se si t'i bëjmë ballë atyre.

Shoqëria jonë duhet së pari të kuptojë se elementë me çrregullime psikiatrike si pedofilia (dhe të tjera) ka dhe ka për të pasur gjithmonë mes nesh, teksa statistika botërore na tregon një incidencë të nivelit 4-5% të popullësisë mashkullore. Gjithashtu duhet të jemi të vetëdijshëm që, si një çrregullim i rëndë psikopatik, pedofilia nuk është e kurueshme dhe këta individë nuk mund të shërohen e rehabilitohen në shoqëri.

Sidoqoftë, kjo nuk nënkupton që zgjidhja më e mirë për situatën në fjalë do të ishte dënimi me vdekje; përtej shpagimit personal apo shoqëror ndaj aktit makabër, dënimi me vdekje nuk do të ishte asnjë efekt parandalues ndaj këtyre individëve të cilët kanë perceptim të shtrembëruar të realitetit dhe paaftësi faktike për të kontrolluar impulset e tyre seksuale.

Sigurisht që për efekt të mospërsëritjes së krimit, dënimi me burgim të përjetshëm apo mbyllja përjetë në një institucion psikiatrik do të ishin një masë e përshtatshme ndëshkimore.

Eksperienca ka treguar se shumë më efektive për trajtmin e të tilla rasteve do ishte një bashkëpunim i organeve të policisë me institucionet e shëndetit publik, shoqërinë civile e veçanërisht me komunitetin në tërësi.

Nga sa ka publikuar media në lidhje me rastin në fjalë, i akuzuari duket se ka qënë i dënuar më parë për ngacmime seksuale ndaj të miturve, por pasi ishte liruar nuk ishin marrë më masa prej organeve të rendit dhe komuniteti ishte i painformuar për këto fakte, teksa në Perëndim të tillë individë shenjohen si predatorë seksualë, komuniteti informohet për praninë e tyre, dhe policia i mban gjithmonë nën mbikëqyrje.

Pra, organet policore duhet të kenë, të përditësojnë dhe të shpërndajnë tek komuniteti informacion të detajuar në lidhje me persona me potencial rrezikshmërie për krime me sfond seksual.

Një alternativë tepër e suksesshme për parandalimin e të tilla krimeve barbare do ishte gjithashtu edhe kastrim (tredhje) fizik ose kimik i këtyre individëve, një praktikë që ka rezultuar tejet e suksesshme për parandalimin e këtyre krimeve në vende si Zvicra, Danimarka apo Gjemania.

Ashtu si në shumë fusha të tjera, edhe në këtë rast gjendemi disi të papërgatitur, si institucionalisht e ligjërisht por edhe mendërisht, për t'u përballur me këtë fenomen, dhe është koha që në vend të përçartjeve për kthimin e dënimit me vdekje (që s'ka për të ndodhur për sa kohëqë synojmë të integrohemi në Europë) ne të ndërgjegjësohemi dhe të nisim përpjekjet për të ngritur një sistem mbrojtjeje, raportimi e parandalimi që do na shërbejë neve por dhe brezave që vijnë në përballjen me një realitet që deri më sot e kemi konsideruar se nuk na prek e nuk na përket.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)