Në një prej anijeve të ndaluara (Kasr-i Sabadab) nga Izraeli, në kuadër të operacionit për ndalimin e flotiljes ‘Sumud’ që do të dërgonte ndihma drejt Gazës, ndodheshin edhe deputeti italian i M5S, Dario Carotenuto, gazetari Alessandro Mantovani dhe aktivisti Ruggero Zeni. Ata akuzuan Izraelin se kishte “marrë” deputetin në ujëra ndërkombëtare dhe kërkuan që autoritetet italiane të ndërhyjnë “me vendosmërinë më të madhe”.
Dhe mëgjithëse nuk arritën kurrë në portin e Ashdodit, ku aktivistët e tjerë u rrahën, u poshtëruan, u lidhën dhe u tërhoqën zvarrë ‘si kafshë’, kjo nuk e kurseu deputetin e M5S, Dario Carotenuto, dhe gazetarin e “Il Fatto Quotidiano”, Alessandro Mantovani, nga shkelmat, grushtet dhe dhuna fizike e psikologjike.
Ata i treguan këto sapo mbërritën në aeroportin e Fiumicinos.
“Jemi të shqetësuar, ne morëm goditje, por të tjerë u rrahën brutalisht”, tha gazetari Mantovani.
“Më goditën këtu dhe këtu (shpjegoi gazetari duke treguar fytyrën pak të ënjtur) më dhemb këmba, më goditën me shkelma aty, në shpinë, por mendoj se nuk është asgjë serioze. Të tjerë u rrahën shumë më rëndë se ne”, vijoi gazetari.
Teksa fliste, byzylyku portokalli që në bordin e anijes shërbente si një numër identifikimi, 164, i lëkundej ende në dorë. Carotenuto kishte numrin 147.
“E kush e harron më”, u shpreh me ironi gazetari për dhunën e pësuar.
Ai ishte i lodhur, dukej qartë, ndërsa disa herë gjatë rrëfimit për pak sa shpërthen në lot, mezi përmbahet.
“Ishte një kontejner i errët, sapo hyje aty gjeje tre burra të fuqishëm që fillonin të të rrihnin. Më goditën në sy, mendova se do të humbisja shikimin, më jepnin shkelma, kishin edhe taser. Na rrihnin dhe në të njëjtën kohë thoshin ‘Mirë se vini në Izrael’”, deklaroi gazetari.
Por, shpjegon ai, ndoshta ai nuk ishte momenti më i keq.
“Në një moment ishim me të gjithë të tjerët, na thirrën me numra, na thanë të bënim një hap përpara, të ngrinim duart dhe të ktheheshim me shpinë. Ishin 20 sekondat më të gjata të jetës sime, nuk e dija çfarë do ndodhte, mendova për djalin tim me frikën se nuk do ta shihja më”, tha deputeti, ndërsa një valixhe aty pranë bie në tokë dhe ai tronditet.
“Nuk ishte granatë, por më kujton diçka”, shton me një buzëqeshje të lehtë.
Si të gjithë të tjerët, edhe dy italianët e liruar të parët u mbajtën të prangosur gjatë gjithë kohës, edhe kur u dërguan në aeroport kishin pranga në duar dhe në këmbë.
“Si kriminelë”, deklaroi Carotenuto i tronditur.
“Ata që pamë atje ishin të tmerruar”, vazhdoi ai, duke treguar për aktivistë me krahë dhe brinjë të thyer, katër të dërguar në spital, një i ri gjerman i goditur me qytën e pushkës dhe me shenja në formë rrethore në shpinë, të cilit më pas i ishte qëlluar edhe me plumb gome në këmbë, të moshuar me fashime të mëdha, një djalë indonezian i lagur deri në palcë që dridhej pa ndalur.
Disa aktivistë kanë denoncuar edhe abuzime dhe ngacmime seksuale.
Ndihma mjekësore nuk është dhënë nga izraelitët, por nga mjekë dhe infermierë të pranishëm në flotilje, përfshirë Margaret Connolly, motra e presidentes irlandeze.
“Ka pasur një rritje të qartë të dhunës”, shpjegoi Mantovani.
“Duket groteske, sepse janë operacione ushtarake kundër një nisme paqësore. Rritja e dhunës është strategji e Izraelit”. vijoi gazetari.
Ata u shprehën shumë të shqetësuar edhe për aktivistët e tjerë të cilët janë ende të ndaluar.
“Qeveria duhet të bëjë gjithçka për t’i kthyer në shtëpi tani, mjaft me deklarata formale, duhen veprime konkrete”, tha Carotenuto.
“Meloni duhet të jetë e përgjegjshme dhe kjo do të thotë sanksione”, shtoi deputeti Arturo Scotto, “dhe një qëndrim më të fortë që ta çojë Italinë të bashkohet me 19 vendet që kërkojnë pezullimin e marrëveshjes së bashkëpunimit.”
Edhe eurodeputeti Danilo Della Valle theksoi se BE-ja ka mjete për të reaguar përmes sanksioneve ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe se këto duhet të zbatohen edhe në këtë rast.
Komente








