Deputeti demokrat Ivi Kaso sqaroi pasi mbledhjes së Kryesisë së PD se u miratua vendimi i KOKOE për konfirmimin vetëm të Sali Berishës në garën e 23 majit. I pyetur nga gazetarët mbi rastin e Mereme Selës, e cila e ka çuar çështjen edhe në Gjykatën e Tiranës, Kaso tha se Sela plotësonte vetëm kriterin e anëtarësisë dhe jo atë që kandidati duhet të ishte një figurë me eksperiencë të paktën 10 vite në strukturat drejtuese në PD.
Sipas Kasos, sela fillimisht duhet të ankohej në Kolegjin e Apelimit në PD dhe më pas t’i drejtohej Gjykatës, siç e parashikon statuti i partisë.
“Nuk është pranuar për të kandiduar, ju referojeni vendimmarrjes e cila nuk e ka kualifikuar. Unë besoj që vendimi i KOKOE-s është i qartë dhe i arsyetuar. Ndalet në rastin e zonjës Sela, e cila siç KOKOE e ka vërejtur dhe ka shqyrtuar, plotëson vetëm një kriter nga ato të përcaktuara në vendimmarrjen e datës 18.03, pra vetëm kriterin e anëtarësisë.
As nga pikëpamja formale dokumentacioni i zonjës Sela nuk ishte i plotë, pasi i mungonte dhe kriteri tjetër thelbësor, pra paraqitja e formularit të dekriminalizimit, të cilin zonja nuk e ka paraqitur pranë Partisë Demokratike, por tutje asaj, për shkak se nuk plotësonte kriterin themelor, atë të një figure me eksperiencë drejtuese 10, të paktën 10 vjeçare në strukturat e larta drejtuese të Partisë Demokratike, automatikisht ka pasjellë skualifikimin e kësaj zonje.
Sigurisht statuti parashikon edhe mënyrat në të cilat ankohet ndaj kësaj vendimmarrje kushdo i interesuar që është bërë pjesë e garës, dhe sigurisht ankimimi i drejtpërsëdrejti në gjykatë, në qoftë se është kjo që ka ndodhur, nuk është rruga e duhur statutore, pasi statuti parashikon që në këto raste ankimimi i drejtohet së pari gjykatës së partisë dhe mbas ezaurimit të kësaj rruge administrative, eventualisht çështja mund të bëhet objekt shqyrtimi edhe gjyqësor.
Por besoj që në këtë rast jo vetëm statuti, por edhe kriteret e vendosura dhe transparenca që ka bërë KOKOE në vendimmarrjen e saj përsa i përket kësaj zonje, lë pak vend për diskutim”, tha Kaso.
Lajmi kryesor:
Zgjedhjet në PD/ Berisha: Jemi parti e hapur ndaj garës, s’pranojmë kandidatë të ‘rremë’! Kryesia vulos përjashtimin e Salianjit dhe rivalëve të tjerë











