Kancelarja gjermane, Angela Merkel i kërkoi sot Greqisë të pranonte ofertat shumë bujare të kreditorëve me të cilët po negocion pa ndërprerje për të siguruar një shpëtim financiar të vendit.

”Gjatë një bisede me kryeministrin grek, Aleksis Cipras dhe presidentin francez, François Hollande, në kuadër të një samiti evropian në Bruksel, Merkel dhe Hollande i kërkuar kryeministrit grek të pranonte ofertën jashtëzakonisht bujare të institucioneve”, njoftoi kancelarja.

BQE-ja, FMN-ja dhe Komisioni Evropian propozuan dhënien e shumave që arrinin deri në 15,5 miliardë euro deri në fund të muajit nëntor, në këmbim të angazhimeve për reforma dhe shkurtimeve buxhetore. Rreth 12 miliardë euro do të jepeshin nga evropianët. FMN-ja mund të japë 3,5 miliardë euro, nën disa kushte.

”Kjo ofertë shkon përtej kushteve të programit të dytë të ndihmës”, theksoi Merkel. ”Zgjidhja e propozuar është bazuar si gjithmonë në të njëjtin parim, solidaritet nga njëra anë dhe përpjekje nga palët e interesuara nga ana tjetër”, sipas kancelares.

(Marrë nga ATSH)