Merkel, mos ‘qesh’ shumë me ne shqiptarët!

Merkel, mos ‘qesh’ shumë me ne shqiptarët!

Angela Merkel dhe Edi Rama

Disa shembuj të fundit nga ekonomia ilustrojnë gjendjen e mjeruar të debatit politik që ndizet sa në Tiranë, edhe në Prishtinë, ndërsa nesër kancelarja e Gjermanisë ka zgjedhur jo rastësisht kryeqytetin shqiptar ku do të bashkojë Edi Ramën dhe Albin Kurtin (bashkë me ta edhe udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor) për të lënë disa porosi.

BMW (kineze) tërhoqi këtë javë 142,754 makina të importuara për arsye sigurie, pasi shfaqën probleme sigurie me karburantin. Defekti po hetohet nga gjiganti i prodhimit të makinave. Gjermania dhe Kina kanë ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë sa i përket industrisë së lehtë dhe asaj të rëndë.

Sakaq, ndërtimi i një fabrike të re për prodhimin e vaksinave Sinopharm filloi në Serbi këtë javë dhe do të përfundojë deri në fund të marsit 2022.Transferimi i teknologjisë së prodhimit të vaksinave nga Kina është jetik për Serbinë, duke treguar gatishmërinë e Kinës për të ndarë arritjet e saj shkencore me të tjerët si dhe për të ndihmuar botën të luftojë COVID-19, tha shkencëtarja serbe Jelena Begovic.

Ndërkohë, në Shqipëri, zv.kryeministri në detyrë, Erion Braçe, tha i revoltuar se “sot KARTELI ka njoftuar çdo prodhues brumerash se do rrisë çmimet me 30%!”, duke kritikuar opinionin publik që mbetet i fokusuar te zhvillimet politike të ditës dhe jo çështje që prekin direkt ‘xhepat’ e tyre.

Ndërsa një javë para lamtumirës, Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel viziton sot Beogradin dhe nesër Tiranën.  Në Tiranë dhe Prishtinë vazhdon zhurma për ‘Ballkani e hapur’ ndërsa presin të gjithë mesazhin që do të përcjellë Merkel mbi këtë nismë.

Ajo sigurisht do të qeshë me debatet dhe zhvillimet e fundit rreth nesh dhe ndoshta do të pyesë: A e dini se çfarë prodhoni ju shqiptarët dhe sa e mbron shteti konsumatorin?

Dhe medoemos do t’ju lërë ndonjë porosi Kurtit dhe Ramës: Nëse doni të zhvilloni ekonominë vlerësoni ekspertët më të mirë që keni, studioni tregun, vlerësoni prioritetet e zhvillimit dhe sigurisht jepini vlerë dijes dhe punës.

Nëse nuk duan të zhvillojnë ekonominë, nuk është nevoja t’ju thotë që të krijojnë sherre politike sa të munden dhe të rrisin apo të mbajnë pushtetin sa më gjatë, duke qenë se shqiptarët janë të njohur ndërkombëtarisht për sherre dhe shamatë me njëri-tjetrin.

Zgjerimi i Europës ku Shqipëria kërkon të anëtarësohet bashkë me fqinjët nuk do të thotë politikisht fjalë për fjalë mbyllje, por hapje.

Ekonomikisht nëse Shqipëria dhe Kosova nuk konkurojnë dot tani me produktet e tyre, nëse nuk ndërtojnë dot fabrika, qoftë edhe kineze, vietnameze, serbe, kubaneze, amerikane, gjermane, greke, somaleze etj., a nuk janë në gjendje ato të fokusohen të paktën në mbrojtjen e konsumatorit, që për shembull miellin kur nuk e prodhojnë vetë ta sigurojnë me një çmin dhe me cilësi sa më konkurues në treg, pavarësisht se nga cili treg vjen ai.

A nuk ka një kohë që shqiptarët t’ia nisin nga e para që të konkurojnë me të tjerët, jo për të dalë të dytët pas Gjermanisë së Merkelit, por të parafundit në Ballkan, nëse vlerësojnë se kanë mbetur të fundit dhe kjo del pas një studimi të tregut që duhet të kishte nisur 30 vite më parë.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Turqia do të furnizojë me energji elektrike Sirinë, kërkon të shfrytëzojë naftën dhe gazin natyror

Turqia do të furnizojë me energji elektrike Sirinë, kërkon të shfrytëzojë naftën dhe gazin natyror