Mero Baze: Rrëfim për një bisedë të paautorizuar me Kadarenë mbi gjuhën shqipe në qelinë që i prodhoi Berisha në Tiranë

Mero Baze: Rrëfim për një bisedë të paautorizuar me Kadarenë mbi gjuhën shqipe në qelinë që i prodhoi Berisha në Tiranë

Ismail Kadare dhe Sali Berisha

Ai është kthyer në apartamentin e tij në Tiranë. Tavolina e tij e punës tani ngjan si një tavolinë e një brigadieri ndërtimi. Tre metra tutje saj është një skelë ndërtimi e mbuluar me një rrjetë plastike, ndërsa ballkoni ku ai çlodhej duke soditur Dajtin, tani është mbyllur nga një përbindësh që ka mbirë para tij. Shkrimtarin që plot shqiptarë e akuzojnë pse nuk e futi në burg Enver Hoxha, sot jeton në një qeli që  Sali Berisha me shoket e djalit të tij ja ndërtoi për tre muaj, fill pas një letre zemërake që shkrimtari i shkruajti ish- kryeministrit Berisha.

Ai nuk i ktheu përgjigje me shkrim dhe as me gojë, por me vepra. Shkrimtari pa dashje i zbuloi Sali Berishës, panikun që kishte dhe që mund ta detyronte të mos ulej më në tavolinën e punës së tij në Tiranë. Është një nga ato gabimet fatale që Kadareja nuk ua lejon si tipar, as personazheve të tij të dobët në libra, por që në këtë rast ja lejoi vetes, përballë dikujt, të cilin nuk e  kishte marrë seriozisht si hakmarrës të lig. Ai i kishte treguar Sali Berishës dhe Lulzim Bashës makthin që kishte se mos disa ndërtues nga Tropoja, të afërt të tij dhe sponsorë të PD, mund të ngrinin një pallat vetëm tre metra larg dritares dhe ballkonit të tij, duke e mbyllur në qeli për së gjalli. Pas kësaj, brenda tre muajve, një përbindësh betoni 18 kate, mbi themele të degraduar 15- vjeçare, u ngrit dhe gjithçka tani është kthyer në terr.

E vetmja pasuri kombëtare e Shqipërisë ende e gjallë, tashmë i ngjan një të burgosuri në qeli, i cili vuan dy dënime: E para humbjen e Dajtit dhe arsyes përse kishte vendosur të rikthehej në Tiranë e të jetonte aty, dhe e dyta makthin se një ditë ndërtesa përballë, e ndërtuar për tre muaj, pa themele mbi hekura të ndryshkur 15- vjeçar, mund të shembet pa e shembur Edi Rama dhe të bëjë kërdinë.

Ai është tashmë nervoz dhe nuk mund të ftojë më askënd në shtëpinë e tij. Dhe pse u detyruam të drekojmë në Sky Tower në katin e 18 të ndërtesës, na u desh t’i kthenim shpinën përbindëshit që i ka mbirë në dritare. Ai, se nuk shikonte dot përbindëshin, dhe unë, që  s’di pse më dukej, se përtej skelës ishte duke punuar i biri i Sali Berishës.

E gjithë kjo hyrje  që shkuajta në fakt është pengu im, përse nuk mund të drekoja dot në shtëpinë e shkrimtarit. Ai nuk foli asnjë fjalë për këtë gjë. Si çdo kalorës, ai nuk ka dëshirë të flasë për një betejë të cilën nuk e fiton dot. I duket fyese të hyjë diku ku e mundin, me ligësi, hipokrizi dhe pushtet. Donte të fliste për një betejë shumë më të madhe ku mendon se duhet fituar patjetër. Për gjuhën.

Rrallëherë kam parë një vemendje të tillë, për të folur për rrezikun ndaj gjuhës shqipe nga një shkrimtar pa të cilin gjuha jonë, do të ishte një pemë e krasitur keq.

Shqetësimi i tij i parë ishte se vërsulja ndaj gjuhës vinte nga indiferenca që politika, institucionet dhe shoqëria, ka ndaj rrezikut që asaj i kanoset. Në këtë klimë shfaqen pastaj shkimtarë mediokër, që shpiegojnë dështimet e veta me gjuhën, gjysëmshkrimtarë politikanë që gjejnë alibinë e dështimeve tek gjuha dhe plot njerëz të tjerë, që për t’iu dëgjuar zëri, hedhin një gurë mbi të. Ka aq urrejtje ndaj saj nga kjo racë shkrimtarësh tha, se në kapsllëkun e tyre krijues, ulërasin që pas qindra vjetësh nuk do ketë as shqipe dhe as Shqipëri. Tërbimi i të patalentuarëve është një fuqi e madhe shkatërruese.

Akuza që i bëhet gjuhës sipas tij është e ligë, pasi i bëhet nga pozita krahinariste, ndërkohë që Kongresi i Manastirit, i cili ka vulosur gjuhën shqipe, është udhëhequr nga Gjergj Fishta dhe i ka dhënë shqipes alfabetin latin dhe disa norma kanonike që e bëjnë atë një gjuhë të gjallë, funksionale, shprehëse deri në detaje, dhe aristokrate. Aq të mirë, sa shpesh ngjallë smirë tek kulturat fqinje.

Kadareja vizatohet në këtë debat nga kundërshtarët si një shkrimtar nacionalist, por ai është shpërfillës ndaj këtyre zërave. Sipas tij, gjuha shqipe hyn tek dhjetë gjuhët themelore të Evropës dhe nga më të suksesshmet në përkthimin e kryeveprave botërore. Shekspiri, sipas tij, pas gjermanishtes, ndoshta më mirë se në çdo gjuhë tjetër të përkthyer, është në shqip dhe do të ilustrojë me këtë fuqinë e shqipes.

Një tjetër akuzë e ligë me të cilën luftohet gjuha është ideja se komunzimi ka promovuar shkrimtarët që shkruajnë normën letrare. Kadareja e hedh poshtë me përbuzje këtë gjë. Shkrimtari më popullor i sistemit arsimor shqiptarë, është Migjeni, thotë ai, një poet i talentuar që ka shkruar gegnisht dhe se ka penguar askënd ta adhurojë.

Por, Kadareja ka një argument therës kundër atyre që ja atribuojnë standartin zyrtar Enver Hoxhës. Për të, Enver Hoxha ishte shumë larg kulturës gjuhësore. Ai fliste një nëndialekt gjirokastrit dhe për një kohë të gjatë, në rininë e tij, ai ka shkruar gegnisht. Ai sjell në kujtesë letrat që ai i dërgonte Nexhmijes të shkruara në gegnisht, të cilat ilustrojnë idenë se ai nuk kishte ndonjë fiksim me standartin zyrtar dhe as ndonjë ndjenjë krahinore lidhur me të.

Në këtë pikë ai i ul pak rëndësinë dhe Kongresit të Drejtëshkrimit më 1972, të cilin, sipas tij, e konsiderojnë gabimisht si Kongres të Gjuhës Shqipe. Si i tillë për të është Kongresi i Manastirit. Kongresi i Drejtëshkimit ka vendosur disa rregulla, që bazohen tek ajo çfarë ndodhi me gjuhën e shkruar qysh pas vendosjes së alfabetit në Manastir. Në atë Kongres shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës, nuk i diktoi ideologjia për të vendosur rregullat e drejtshkrimit. Bile ana groteske është se komunizmi këtu po akuzohet se ka qenë në anën e versionit perëndimor të shqipes, të asaj shqipeje që vendosi Gjergj Fishta, gjë që është absurde.

Pastaj kalon në argumenet e tij për fuqinë e shqipes:

-Kam dëgjuar ca zëra thonë se larmia e fjalëve, sjell pasurinë e gjuhës. Gjuha është nga ato gjëra, ku jo shumësia, por ngurtësia dhe unifikimi i fjalëve është pasuri. Një gjuhë që përdor një fjalë që shpreh shumë gjëra, është shumë më aristokrate se një gjuhë që ka 50 versione për të shprehur një gjë.

Është i pafundëm në shembujt që jep për këtë, që nga versionet dalldisëse të gjuhës arabe, që në të vërtetë e bëjnë gjuhën e tyre pa formë dhe standart dhe deri tek aristokracia e anglishtes, që nuk të lejon të shprehesh për gjënë më të fortë në botë, dashurinë, përveçse me fjalën “I love”.

Është e çuditshme të shikosh sa vigjilent është shkrimtari për çdo shigjetë të ngulur mbi origjinën e shqipes. Mbi të gjitha i kishte ngelur në mendje, se disa prej sulmuesve, për t’i hequr identitetin shqipes, paskëshin thënë që fjala “Komb” vjen nga arabishtja. Ishte aq i mllefosur për këtë, sa shtrëngonte duart në atë formë, sa më dukej se donte ta tregonte dhe me gjeste se ajo fjalë ishte vendosur me kujdes dhe shumë mençuri nga një fjalë shqip që identifikohet me nyjen, me diçka që lidh një gjë, që vendos një shenjë të rëndësishme në një hapësirë, me atë që ne themi se është lidhur komb.

-E bëjnë qëllimisht, tha, se duan ta godasin tek gjërat e shenjta që ajo ka.

Dhe, ndjehet nervoz për këtë gjë. Ndjehet nervoz që gjuhëtarët tanë janë tulatur dhe u lënë hapësirë diletantëve dhe delirantëve të flasin për gjuhën. I tregova jo pa shqetësim se zhargoni i rrugës i të rinjëve në Prishtinë, po shkon larg gjuhë së prindërve të tyre. E priti aq keq, sa nuk pati fuqi as të aprovonte verifikimin e rrezikut që sapo kishte folur. I mbajti nofullat shtrënguar, dhe s’foli për pak kohë.

-Ndoshta është dhe çështje brezi, i thashë, për ta lehtësuar. Janë fëmijët që nuk janë shkolluar mirë, që kanë kaluar sistemin paralel.

Tundi kokën i trishtuar.

-Duhet një debat i guximshëm për këtë çështje, tha. Askush nuk mund ta prekë gjuhën. Ajo është garancia që ne jemi shqiptarë, është si ai thesari që shtetet mbajnë të groposur në banka për të garantuar egzistencën e tyre. Kombi s’ka gjë tjetër që e mban të bashkuar, veç asaj.

Nuk do t’i kisha botuar këto rreshta të pautorizuara prej tij nga një drekë private dy ditë më parë, sikur të mos shikoja një ditë më pas, në gazetën zyrtare të Partisë Demokratike në opozitë, një shkrim denigrues për Ismail Kadarenë dhe turpurues për një parti politike që ka peshë në historinë e ketij vendi. Kjo parti sot është katandisur që  e shikon shkrimtarin, si një armik që me qartësi vuri gishtin mbi ata që derdhën gjak më 21 Janar. Ishte nga ato raste kur gjuha shqipe të duket e shëmtuar, edhe pse Kadareja është gati të nisë një betejë historike për të.

Institucioni i vetëm që nuk do shembet në këtë vend, kur të jemi harruar të gjithë, do të jetë Ismail Kadareja. Ndoshta dhe shumë personazhe të tij, nga ata që ai i ka shpikur tek tavolina e punës që tani është kthyer në burg,  do të mbahen mend më shumnë se këta që as personazhe nuk denjoi ti bëj./ Tema

G.K/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

Elseid Hysaj bëhet 'sheik', interes nga Katari dhe Arabia Saudite për mbrojtësin kuqezi

Elseid Hysaj bëhet 'sheik', interes nga Katari dhe Arabia Saudite për mbrojtësin kuqezi