Mero Baze: Sali Berishës i duhen negociatat vetëm për t'u legjitimuar nga shumica si palë

Mero Baze: Sali Berishës i duhen negociatat vetëm për t'u legjitimuar nga shumica si palë

Sali Berisha

Ka 24 orë që debati më i madh në Shqipëri është distancimi nga negociatat.

Socialistët po tregohen parimorë në deklarata publike dhe thonë që nuk kemi pse negociojmë të drejtat kushtetuese të opozitës, por nuk pranojmë propozime që synojnë deformimin e jetës parlamentare apo mbivendosje të drejtësisë sa i përket komisioneve hetimore, ndërsa e shikojnë të pashpresë gjetjen e ndonjë partneri për reformën elektorale.

Mbështetësit e Berishës janë bërë dhe më keq. Ata ngaqë nuk kundërshtojnë dot se Bardhi është ulur të flasë me kryetaren e Kuvendit dhe kryetarin e grupit parlamentar socialist, kanë 24 orë që bërtasin se ata të Lulzim Bashës po bëjnë pazar me Ramën për amnistinë penale, duke e quajtur këtë një krim të rëndë.

Këta të PD zyrtare, të çliruar më në fund që e kapën në flagrancë Berishën me Ramën, po tregojnë me gisht nga tradhtarët e vërtetë të opozitës.

Ky debat është radiografia më e mirë e politikës së sotme shqiptare, që negociatat i konsideron krim dhe distancohet prej tyre, kurse baltën dhe dhunën e quan luftë politike me të cilën duhet të krenohen.

Pra jemi në një pikë ku të gjithëve u vjen turp nga negociatat dhe jo nga kriza.

Negociatat nuk janë turp dhe krim në politikë. Madje janë i vetmi mjet i nevojshëm për të zgjidhur krizat.

Problem janë pazaret në kurriz të parimeve dhe anashkalimi i shtetit ligjor përmes marrëveshjeve dypalëshe.

Në rastin konkret, kriza është shkaktuar nga ndarja e opozitës dhe nga fakti që Sali Berisha kërkon ta përdorë krizën për t’u legjitimuar nga shumica si palë.

Në këto kushte, nëse veprohet juridikisht, Partia Demokratike jo vetëm që nuk duhet të tërheqë Alibeajn nga reforma elektorale, por duhet të zëvendësojë nënkryetarin e Kuvendit me një kandidat të saj, pasi formalisht i takon Partisë Demokratike.

Nga ana tjetër, kur shumica e deputetëve janë rreshtuar me Berishën, është normale që ata t’i marrësh në konsideratë, por jo si grup anonim. Ata duhet të regjistrohen juridikisht për t’u përfaqësuar. Nëse ata regjistrohen, natyrisht ata kanë më shume të drejta se Partia Demokratike zyrtare për t’u përfaqësuar, por në kushtet kur ata kërkojnë të imponohen si turmë dhe jo si entitet juridik, nuk kanë pse respektohen. Turmat e kanë vendin në rrugë, jo në Kuvend.

Dhe kjo nuk është rastësi.
Kriza e legjitimitetit që ka prodhuar Berisha në Kuvend, nuk ka të bëjë me gjyqin e vulës apo logos, por me devizën e tij “pas meje qameti”.

Kujtoheni se kur filloi kriza. Nuk ka filluar kur janë refuzuar komisionet parlamentare, por kur është arrestuar Berisha. Kriza lidhet me arrestimin e tij. Ai nuk do që Kuvendi të jetë normal dhe grupi i tij të jetë legjitim, në mungesë të tij. Nuk do se është paranojak dhe ka frikë se njerëzit do mësohen me mungesën e tij dhe do ta harrojnë.

Dhe thelbi i kësaj krize nuk mund të negociohet kurrë, pasi nuk ka askush mandat ta negociojë të ardhmen e Sali Berishës, përveç drejtësisë.

Gjithë këto të tjerat janë lëvizje bosh. Berisha i ka futur të vetët në spiralen e negociatave jo për komisione parlamentare, as për reforme elektorale, se nuk i duhet as njëra e as tjetra. Ai humbet me çdo ligj që të bësh, madje dhe sikur të bësh ligj special që ai duhet të fitojë. Atij po ashtu nuk i bëjnë pune gjyqet e komisioneve parlamentare, se i bën çdo natë nga penxherja.

Atij i bën punë vetëm lajmi që socialistët po përfillin atë dhe jo Bashën. Vetëm kaq.

Pastaj nuk i duhet asgjë.  Ndaj janë të qetë për dështimin e negociatave, se nuk duhet ndonjë fryt nga negociatat. U duhet thjeshtë ta përfillin.

Nëse nuk e përfillin, kriza do të vazhdojë.

Për ata opozitarë që e marrin si sukses këtë delegjitimimin e tyre në Kuvend, duhet të kujtojnë se po kaq krenarë dhe “heronj” ishin dhe kur dogjën mandatet dhe bojkotuan zgjedhjet, por sot po i bien kokës me grushte se çfarë kanë bërë dhe po përpiqen t’ia hedhin fajin Lulzim Bashës.

Kjo që po bëjnë është dhe më e keqe, dhe është vetëm për hallin e Berishës.TemA

B.V/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë