Merr fund vuajtja e vogëlushit/ Alvini arrin në Itali, përqafim mes lotësh dhe emocionesh me babanë e motrat (VIDEO-Momenti i takimit)

Alvini rikthehet në shtëpi. Merr fund vuajtja dhe ankthi për vogëlushin shqiptar Alvin Berisha, që mëngjesin e sotëm është bashkuar mes lotësh dhe emocionesh me familjen, babanë dhe dy motrat që po e prisnin në aeroportin e Romës. Lutjet e tyre u dëgjuan edhe Alvini është në krahët e tyre.

I ati që më në fund pas shumë kërkimesh dhe lutjeve tashmë do ta ketë pranë i puth duart të birit, ndërsa falenderon autoritetet. 11-vjeçari iu dorëzua familjes nga punonjësit e Kryqit të Kuq dhe Gjysmë Hënës së Kuqe. Më pas Presidenti i Kryqit të Kuq Italian, përfaqësuesi i Gjysmë Hënës së Kuqe Siriane, zyrarët italianë dhe ministri Sandër Lleshaj treguan në një konferencë për mediat detajet e operacionit si u arrit që të nxirrej fëmija shqiptar nga kampi.

Katër ditë më parë Report Tv ishte i pari që dha lajmin ekskluziv për nxjerrjen nga kampi Al-Hol në Siri të Alvin Berishës. Para dy netësh 11-vjeçari shqiptar u transportua në Damask, ndërsa ditën e djeshme në ambasadën italiane në Liban dhe sot u bashkua me familjen në Romë. Operacioni për shpëtimin e Alvinit  u krye nga Gjysmë Hëna e Kuqe siriane dhe Kryqi i Kuq ndërkombëtar, ndërkohë që kanë qenë në kontakt me autoritet italiane dhe ato shqiptare të niveleve më të larta.

Por si përfundoi Alvin Berisha në kampet siriane?
Historia e tij e trishtë nis që në moshën 6-vjeçare, kur e ëma braktisi familjen dhe e mori me vete në Siri, mes luftës dhe pasigurisë. Tragjedia do të bëhej edhe më e madhe, kur e ëma do të humbiste jetën së bashku me bashkëshortin e saj. Kur Alvini do të mbeste i vetëm, përpjekjet e të atit që të bëheshin edhe më të mëdha, që të mbërrinte në gjurmët e tij. Në emisionin “Le Iene”, babë e bir u takuan mes lotësh.

Por mes dhimbjes së madhe sërish u ndanë, sepse: Alvini nuk mund të nxirrej nga kampi nën pushtetin kurd. Dëshpërimi i babait të Alvinit do të bënte që t’i drejtohej edhe shtetit shqiptar, vetë kryeministrit Edi Rama, duke i rrëfyer vështirësitë e mëdha për të shpëtuar vogëlushin, veçanërisht pas rritjes së tensioneve Siri-Turqi. E ndërsa presioni rritej. Kryeministri Rama u nis drejt Italisë, në një vizitë zyrtare, ku një nga temat që diskutuan Conte-Rama, ishte shpëtimi i jetës së Alvinit, historia e të cilit kishte rrëmbyer zemrat e çdo shqiptari edhe italiani që e kishte parë.

Edhe kështu sot u mundësua që kalvari i vuajtjeve që kaloi Alvin Berisha të marrë fund. Por, plaga nuk mbyllet këtu, sepse mijëra fëmijë të tjerë, nga Lindja e mesme edhe Europa, vazhdojnë që të mbahen peng në kampet e Sirisë. Report Televizion ishte i pari që transmetoi lajmin ekskluziv se Alvini 11-vjeçar ishte nxjerrë nga kampi nën pushtetin kurd.

VIDEO/ Konferenca e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:40
'S'donte të flinte, por të luante'/ Drejtuesja e INTERPOL-it: Tani fillon një jetë e re për Alvinin

Drejtuesja e INTERPOL-it, që mori pjesë në operacionin për shpëtimin e Alvinit tha se për 11-vjeçarin tani fillon një jetë e re, ndërsa tregoi edhe rrugëtimin derisa u nxor nga kampi. "Ai është një kamp për jetimët, por Alvini nuk është ashtu, pasi ai ka babanë. Më në fund Alvini u largua nga kampi, arriti në Damask dhe Bejrut. Alvini ishte i buzëqeshur megjithë atë që ka kaluar, kartëvizita e tij është ajo.

Nuk flet më italisht, pak shqip, por mendoj se do ta rikuperojë, pasi familja e tij jeton në Itali. E patëm sigurinë se ai kishte besim te ne, se nuk pati në asnjë moment rezistencë. Qëndruam në hotel, ka ngrënë patatina, ka luajtur me telefon, ka qenë shumë i lëvizshëm, tani fillon jeta e tij e re, nuk mendoj se do të jetë e thjeshtë. Alvini nuk donte të flinte, donte të luante. Sot mbajtëm premtimin, që babai i tij i tha se do ta sillnim në shtëpi" tha ajo.

Ora 10:29
Përfaqësuesi i Gjysmë Hënës Siriane: Jemi gati për të shpëtuar fëmijë të tjerë

Përfaqësuesi i Gjysmë Hënës Siriane që luajti një rol mjaft të rëndësishëm në operacionin për shpëtimin e Alvinit tha se organizata ku bën pjesë është gati edhe për operacione të tjera shpëtimit të fëmijëve që ndodhen në kamp. "Kontakti i parë ishte me përfaqësuesin e Kryqit të Kuq Italian. Shteti dhe populli sirian u treguan të gatshëm, por nuk ka qenë e thjeshtë. Nëse nuk do të kishim informacione të detajuara nga Shqipëria dhe Italia nuk do të ishim këtu, ky është simbol i bashkëpunimit humanitar mes Kryqit të Kuq dhe Gjysmë Hënës Siriane, jemi gati të ndihmojmë edhe në të ardhmen nën kërkesën e Presidentit të Kryqit të Kuq Italian" tha ai.

Ora 10:16
Presidenti i Kryqit të Kuq Italian rrëfen detajet e operacionit si u shpëtua Alvini

Francesco Rocca, President i Kryqit të Kuq Italian gjatë fjalës së tij theksoi se në shpëtimin e Alvinit ka luajtur një rol thelbësor, Gjysmë Hëna Siriane dhe vullnetarët kurdë, që e nxorën fëmijën nga kampi. "Është krijuar rrjeti i domosdoshëm që gjithcka të shkonte mirë dhe arritëm këtë rezultat të jashtëzakonshëm.

Kryqi i Kuq dhe Gjysmë Hëna u koordinuan në terren. Drejtuesi i kampit nuk duhet ta merrte vesh për largimin. Dua të them dicka, unë e dija kapacitetin e Gjysmë Hënës. Ne bëmë edhe konfirmimin që fëmija mund të ishte në kamp. Kur e mësuam zyrtarisht praninë e tij në kamp e nisëm operacionin. Pjesa më e vështirë ka qenë që nuk duhet të merrej nga drejtuesi vesh se fëmija po e linte kampin, pasi ka ende prezencë radikale.

Edhe transferimi nga 'Al Hol' në aeroport ka qenë shumë i vështirë, pasi ndërlidhësit tanë ishin të frikësuar, edhe garancia që kishte për kalimin nga një zonë në tjetrën. Në Damask e kam pritur unë. Kishim një presion dhe tension të madh që ta nxirrnim shëndoshë e mirë djalin, por kurdët kanë prioritet tjetër tani, ata menaxhojnë një kamp me 70 mijë persona. Valë vullnetarëve kurdë u bë e mundur që Alvini të shpëtojë.

Më bëri më shumë përshtypje, kur Alvini mbeti i habitur kur hymë në Damask, shikonte gjithmonë rreth e rrotull, pasi ishte mësuar në kamp. Ai reagonte në gjithcka që ishte e re për atë. Ka edhe tre fëmijë të tjerë jetim që ndodhen në kamp në moshën e Alvinit. Tani edhe fëmijë të tjerë mund të largohen nga kampi. U nisëm në një moment kur të gjitha rrugët në Bejrut ishin të bllokuara" tha ai.

Ora 10:15
Shpëtimi i Alvinit, zyrtari italian: E shpëtoi një engjëll! Biseda e djalit me të atin 'mami vishet si ninxha'

Alberto Nobili, zëvendës prokurori kundër terrorizmit i Zyrës së Prokurorisë së Milanos që mori pjesë në operacionin e shpëtimit u shpreh se gjëja më e bukur e operacionit ka qenë bashkëpunimi mes palëve që solli suksesin. 

"Një fëmijë që në vitin 2014 është marrë nga e ëma dhe u dërgua në Siri. Një fëmijë që u rrëmbye, që ndodhej jashtë vendit dhe e rëndësishme është që e sollëm në shtëpi. Nuk ka rëndësi kush ka kontribuar dicka më shumë dhe dicka më pak, e rëndësishme është që e sollëm në shtëpi. Rasti i parë që një fëmijë jetim shpëtohet në këtë mënyrë në një operacion ndërkombëtar. Në kamp ka edhe shumë fëmijë të tjera. Alvini është shqiptar por jeton në Itali.

Nuk dua të flas për medalje, por mesazhi është i fortë, historia është e bukur, Alvini kthehet në shtëpi.  Pjesa e bukur ka qenë bashkëpunimi për rastin e Alvinit. Hapëm këtë rrugë, ka shumë rëndësi edhe për fëmijët e tjerë që mund të largohen nga kampet.

Këta janë rrëmbyer dhe nëse qëndrojnë atje fatkeqësisht mund të bëhen edhe terroristë. Vdekja e nënës për Alvinin patjetër që ka sjellë vuajtje. Alvini në moshën 6-vjeçare nuk mund të zgjidhte, kjo është një ditë kur mund të lirohesh, ai donte të ktheje në shkollë, të largohej nga Siria" tha ai.

"Nga përgjimet më kujtohet kjo thirrje e dëshpëruar e Alvinit, i cili i tha babait të tij: ‘këtu nuk më lënë të shkoj në shkollë, mamaja vishet si një ninxhaËshtë hera e parë në Europë që një fëmijë jetim në këtë qendër, që ne e quajnë kampi i jetimëve, arrin të largohet. Alvin është i pari që është kthyer, është me prindër shqiptar  por ka lindur në Itali" tha ai.

Duke u rikthyer te momenti i plagosjes së Alvinit, ai tha se shpëtoi për mrekulli, ndërsa do i merret informacion për atë që ndodh në kamp. "Ishte një dorë si engjëll mbrojtës që e shpëtoi, pasi të gjithë ndërruan jetë nga ai shpërthim ku vdiq nëna e tij, ndërsa Alvini mbijetoi. Do i  marrim informacion për atë që ndodhte në kamp, apo fëmijë të tjerë për t'i nxjerrë nga atje. Ky moment gëzimi i familjes duhet të respektohet. Duhet të presim disa ditë për atë që do të thotë Alvini" tha ai.

Ora 10:01
Shpëtimi i Alvinit, Lleshaj: Rast i trishtuar, terrorizmi s'ka vend në shoqërinë tonë

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj nga Roma ku ishte i pranishëm në momentin që Alvini iu dorëzua familjarëve u shpreh se rasti i 11-vjeçarit është një mesazh që terrorizmi dhe dhuna nuk duhet të ketë hapësirë në shoqërinë tonë.

"Ka pasur një dimension të rëndësishëm diplomatik dhe një aspekt të rëndësishëm policor nga dy vendet. Unë nuk dua të hyj në detajet e operacionit, dua vetëm dhe për këtë kam ardhur sot në Romë, për të shprehur falenderimit e qeverisë shqiptare së pari për autoritetet policore të dy vende, Presidentin e Kryqit të Kuq Italian dhe ndërkombëtar dhe të Gjysmë Hënës së Kuqe.

Dua të them se edhe autoritetet libaneze mbështetën operacionin në terren. Po e përdorim politikisht për të dhënë disa mesazhe të rëndësishme. Alvin Berisha është një rast i trishtuar që duhet të na tregojë të gjithëve, që dhuna dhe terrorizmi mos gjejë asnjë hapësirë në shoqërinë tonë dhe këto raste të mos përsëriten më. Faleminderit që mundësuat që një djalë shqiptar të rikthehet në liri" tha ai.

Fjala e plotë e ministrit Sandër Lleshaj
Në Shqipëri dëgjohet dhe flitet aq shumë italisht, sa që mendoj që ju meritoni sot të dëgjoni diçka shqip. Së pari, më lejoni të falënderoj të gjithë të pranishmit, të falënderoj gjeneral Spinën për mundësinë e këtij takimi. Takohem për herë të dytë me gjeneral Spina në një situatë pozitive si kjo e sotmja. Sot është një ditë e rëndësishme, e cila fillon me Alvin Berishën, i cili vërtet ka arritur që t'i largohet ferrit ku ka jetuar, ose ku ka humbur një pjesë të fëmijërisë së tij. Falë angazhimit të të gjithë këtyre aktorëve ai është rikthyer në botën që i përket. Ka qenë një operacion jashtëzakonisht i ndërlikuar ku janë përfshirë disa përfshirë disa aspekte të rëndësishme.

Së pari, kemi një aspekt politik, të cilin unë duhet ta përmend se askush tjetër me sa shoh këtu, nuk mund ta përmendë. Operacioni ka marrë vëmendjen e të dy kryeministrave, kryeministrit Conte dhe kryeministrit Rama dhe është ndjekur nga afër nga të dy ata pas takimit që kanë zhvilluar në Romë. Pastaj ka pasur një dimension shumë të rëndësishëm diplomatik ku janë përfshirë ambasadat tona, ambasada e Shqipërisë.... konsullata e Shqipërisë në Bejrut .. ambasada e Italisë në Bejrut. Ka pasur një aspekt shumë të rëndësishëm policor ku janë angazhuar në një bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe të shkëlqyer policitë e të dy vendeve tona. Dhe së fundmi, por jo nga rëndësia, ka qenë aspekti humanitar ku janë angazhuar Kryqi i Kuq ndërkombëtar dhe Gjysmëhëna e Kuqe. Unë nuk dua të hyj në detajet e operacionit për arsye se u përmendën nga gjeneral Spina dhe u përmendën edhe nga kolegët e tjerë të pranishëm në tryezë.

Unë dua vetëm, dhe për këtë punë kam ardhur sot në Romë, vetëm për të shprehur mirënjohjen dhe për të shprehur falënderimet e qeverisë shqiptare në adresë të të gjithë autoriteteve dhe aktorëve që u përfshinë në këtë operacion.  Së pari, për autoritet policore të Shqipërisë dhe të Italisë, për autoritetet e Kryqit të Kuq, pra për Presidentin e Kryqit të Kuq italian dhe ndërkombëtar dhe për Presidentin e Gjysmëhënës së Kuqe të Sirisë, respektivisht zotin Rocca dhe zotin Hboubati.Po ashtu dua të përshëndes autoritetet diplomatike që u përfshinë në këtë operacion. Por dua të përmend një aspekt të veçantë: - ishin autoritetet libaneze të cilat mbështetën me gjithë kapacitetet e tyre realizimin e operacionit në terren.  Rasti ka marrë një vëmendje të madhe dhe automatikisht shtrohet pyetja: “Nëse ne po e përdorim politikisht këtë apo jo?” Dhe unë po them - Po! Po e përdorim politikisht për të dhënë disa mesazhe të rëndësishme, të cilat duhet të na vlejnë të gjithëve ne për pas këtij operacioni.

Alvin Berisha është një rast i trishtuar, i cili duhet të na tregojë të gjithëve që terrorizmi, radikalizmi, dhuna, ekstremizmi nuk janë opsione, të cilat mund të jetojnë në shoqërinë tonë. Dhe gjithë sfida e politikës, e shoqërisë, e autoriteteve është që raste si ky i Alvin Berishës të mos përsëriten më në shoqëritë tona dhe terrorizmi, ekstremizmi, radikalizmi, çdo formë e dhunës, të mos gjejë asnjë hapësirë në shoqërinë tonë europiane. Edhe njëherë faleminderit Gjeneral Spina, faleminderit President Roka, faleminderit President Hboubati për mbështetjen dhe angazhimin tuaj të jashtëzakonshëm, që mundësuat dhe njëherë që sot një djalë i ri shqiptar dhe italian, të kthehet i lirë për të vazhduar jetën e tij në liri. Në fakt ne me Italinë kemi një bashkëpunim të gjatë. Me Italinë bashkëpunojmë jo vetëm për këtë rast, por për të gjitha rastet.

Ne mund të organizojmë dhe çdo javë një konferencë të përbashkët shtypi me Italinë, për të treguar se çfarë bashkëpunimi ndodh mes dy vendeve, në fusha të tjera dhe në nivelin policor flas. Ky është një rast i veçantë, i cili ka marrë një vëmendje super të veçantë publike dhe është shumë i rëndësishëm. Bashkëpunimi ynë me Italinë për këto kushte ka nisur që në momentin zero të kësaj çështjeje, pra që në ditën kur autoritetet shqiptare, ambasada shqiptare i është drejtuar zyrtarisht me një kërkesë Kryqit të Kuq ndërkombëtar dhe Gjysmëhënës së Kuqe të Sirisë për asistencë në zgjidhjen e këtij problemi shumë të rëndësishëm.

Dhe që nga ajo ditë, ka qenë data 25 tetor, deri më sot, ka vazhduar së bashku operacioni i të dy palëve. Dhe në të gjithë këto hapa kemi qenë bashkë. Unë nuk dua të bëj diferenca se kush ka bërë çfarë, por ky ka qenë një operacion ku sikur edhe njëri nga aktorët të mos, ai nuk finalizohej me sukses. Por për fat të gjithë kanë funksionuar së bashku në mënyrë perfekte pa asnjë problem, pa asnjë vështirësi dhe u mundësua që operacioni të finalizohej me këtë sukses kaq të mirëpritur. Pra këtu s’ka mundësi të bëj diferencim mes aktorëve.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bo: 08/11/2019 16:38

    Nena me dashnorin iken ne gop te semes per ate fe barbare sunite,si mund te budallepset njeriu keshtu per fene?ptuuuuuuuuu nuk jeni shqiptar

    Përgjigju
  • Dalani: 08/11/2019 12:25

    Lleshi helmoje me mira femije si Alvini tan KY dilka si shpetimtar

    Përgjigju
  • Emi: 08/11/2019 11:52

    U kthy prej nji veni te huj ne nji ven te huj prap qe do jet skllav i nji shteti tjeter pra ku esht krenaria e kombit dhe suksesi??

    Përgjigju
  • Cim tironci: 08/11/2019 10:36

    CFARDO TE BESH TI Z LLESHAJ FIGURA JOTE DO MBETET E ERRET SE HELMOVE GJYSMEN E TIRONES

    Përgjigju
    • meri: 08/11/2019 13:31

      Me sa kuptohet,sasia me e madhe e Helmit paska ren ne pjaten tende,ngushellime Cim tironci:

    • O Biçim tironci: 08/11/2019 13:04

      Plumbat e sali lul beribashës ishin ma tambël or derdimen.Po ju sbaheni njerëz.

    • Dory: 08/11/2019 12:12

      Los nigjo cfare thote basha

  • Labi: 08/11/2019 08:42

    Vajta vite qe sjam emocionuar ndonjher keshtu i uroj gjith te mirat alvinit

    Përgjigju
  • Loli: 08/11/2019 08:37

    Me ne fund lajme te mira se na mbytet duke na nxjerre gjykates prokurore dhe Ismail Qemalin e Rilindjes 2! Paste jete te lumtur djali me familjen e tij!

    Përgjigju
  • Ggg: 08/11/2019 08:07

    Ku eshte ai loqja Lefter Maliqi qe tha qe eshte show???? Deputeti me idiot ne parlament, imagiino ka qene polic dhe eshte deputet... hahahaha

    Përgjigju
  • BRSS: 08/11/2019 08:01

    MIRENJOJE PA KUFI ITALIA BRAVO

    Përgjigju
  • Erik: 08/11/2019 08:01

    Rehabilitim sa me pare per Alvinin, mos pafte me tmerre me sy.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rama njoftoi se do e mbyllë, personazhet shqiptarë të TikTok-ut gjejnë zgjidhjen tek një tjetër aplikacion

Rama njoftoi se do e mbyllë, personazhet shqiptarë të TikTok-ut gjejnë zgjidhjen tek një tjetër aplikacion