Rreth 61.8 milionë gjermanë votuan të dielën duke i dhënë besimin për një mandate të tretë kancelares Angela Merkel, politikanes popullore dhe de facto udhëheqjes politike të Bashkimit Evropian. Fitorja e një mandati të tretë është arritur më parë edhe nga K.Adenauer apo H.Kohl, ndaj nuk është risi në historinë moderne gjermane. Por në rrethanat e reja politike, në një politikë evropiane që ndryshon dhe ndodhet përballë sfidash të mëdha, një mandat tjetër për Merkel është mandate domethënës, sukses historik dhe ngjarje e jashtëzakonshme.

Kur shtete të fuqishme perëndimore, përfshirë SHBA, Italinë, Francën apo Spanjën, Portugalinë apo Greqinë, u përfshinë direkt ose indirekt në krizë ekonomike, ekonomia gjermane mbijetoi me sukses, ishte garanci dhe mori përgjegjësinë e daljes nga kriza dhe mbetet ekonomi udhëheqëse për tregun evropian. Vizioni politik dhe ekonomik i zonjës Merkel e bëri BE më të fortë, ndihmoi vendet në nevojë, shpëtoi euron e përbashkët dhe krijoi harmoni kontinentale. Roli gjerman ishte përcaktues për politikën dhe kursin ekonomik në Romë dhe Athinë, një zhvillim i ri në marrëdhëniet ndërkombëtare midis shteteve. Ndaj lajmi për fitoren e saj u brohorit në Paris, Uashington, Londer, Romë apo Madrid dhe se kudo, interesi për zgjedhjet ishte shumë më i madh sesa më përpara.

Për Shqipërinë mandati i tretë i Merkel është një garanci më shumë e partneritetit strategjik, vëmendjes dhe prioritetit gjerman në rajon, sidomos në Kosovë, e pozitës së qartë gjermane dhe të BE kushtëzuese me Kosovën ndaj Serbisë, si dhe një model frymëzues për mirëqeverisje, sjellje politike dhe aftësi menaxhuese. Merkel nuk ka qenë asnjëherë në Shqipëri megjithëse vizita e saj është paralajmëruar të paktën tre herë nga qeveria e kaluar, gjithsesi ajo ka takuar çdo president e kryeministër shqiptar të tetë viteve të fundit dhe ka shprehur në çdo rast konsiderata pozitive për shoqërinë e qytetarët shqiptarë, sfidat dhe problemet e tyre, pavarësisht drejtuesve politikë të radhës.
 
Gjermania sot është motori politik dhe ekonomik i BE, një demokraci e qëndrueshme, funksionale dhe frymëzuese. Aktet zgjedhore dhe post-zgjedhore gjermane e konfirmuan këtë supërmaci. Dy kandidatët potencialë për kancelarë, Merkel dhe Steinbruck, zhvilluan një fushatë me financime modeste, me debate programore dhe televizive, me tema që interesojnë e mobilizojnë qytetarët dhe krijojnë garanci për të ardhmen e tyre. Ndryshe nga dy mandatet e mëparshme Merkel me CDU fituan të vetëm shumicën e kërkuar, socialdemokratët patën rritje por pa cenuar fituesin, për herë të parë nga 1949 liberalët mbetën jashtë parlamentit, të gjelbrit pësuan rënia, ndërkohë që shënuan rritje dy grupe kritike, ish komunistët e reformuar dhe skeptikët ndaj eurozonës. Menjëherë pas votimit kandidati fitues dhe kryetari i partisë më të madhe opozitare komunikuan në telefon për bashkëpunimin e ardhshëm, duke mos përjashtuar mundësinë e një koalicioni të madh, si më 2005-2009.

Nga partitë humbëse, disa drejtues të SPD lajmëruan dorëheqje, të gjithë drejtuesit e FDP (liberalëve) në pushtet rekord prej 52 vitesh, paraqitën dorëheqjen nga postet dhe hapën rrugën për një lider të ri politik, 34 vjeçarin Christian Lindner. E njëjta gjë ndodhi edhe me drejtuesit e Partisë së Gjelbër, dhe të partisë së Piratëve, surprizë në zgjedhjet e kaluara. Asnjë palë nuk kërkoi alibi, nuk kërkoi fajtor tek pala tjetër, por secila pranoi përgjegjësitë dhe gabimet, ndaj u largua nga vija e parë politike, madje gjysma e tyre përfshirë edhe kandidatin e FDP për kancelar, edhe nga jeta politike.

Disa detaje zgjedhore, siç janë përfshirja e shumë shtetasve me kombësi të huaj (përfshirë 3 shqiptarë) në listat e kandidimit, rifreskimi i parlamentit kombëtar me prurje të reja të provuara në parlamentet lokale, kuotat gjinore me cilësi përfaqësimi politik, angazhimi i jashtëzakonshëm shtetit për të votuar 1.4 milion zgjedhës jashtë, apo çdo gjerman që ndodhet në misione ushtarake e shkencore në botë, etj, - provuan cilësinë dhe respektin gjerman për votën, demokracinë dhe vendimmarrjen politike.

Zgjedhjet gjermane gjithnjë prodhojnë lajm dhe në çdo rast, përpjekja për të bërë krahasime midis tyre dhe realiteteve ballkanike zgjedhore, ngjan e destinuar të dështojë. Sepse janë dy modele të ndryshme, dy formime të ndryshme kulturore, dy vizione të ndryshme politike, dy koncepte dhe mentalitete të ndryshme, dy trashëgimi e projeksione të ndryshme. Universitetet e Heidelbergut, Laipzigut, Rostockut, Frankurtit, Munihut, Tubingenit, etj, janë krijuar një shekull përpara ose gjatë periudhës kur Gjergj Kastrioti luftonte për krijimin e një shteti të pavarur shqiptar.

Megjithë distancën, Gjermania e Shqipëria zyrtarisht janë pjesë e NATO-s, kanë votë të njëjtë aty dhe ne kërkojmë të jemi me status të njëjtë edhe në BE. Ndaj krahasimi i standardeve të sotme të demokracisë është detyrim dhe një rast që nuk duhet humbur. Për publikun shqiptar vlen të theksohet një fakt me rëndësi: pas fitores së Merkel ajo mori urime nga shumë vende, përfshirë nga Shqipëria. E uroi mazhoranca dhe opozita. Në urimet e dy palëve del në pah gjuha politike “shqiptare”, shpesh provincial në sytë e perëndimit. P.sh, njëra palë nxjerr në pah ato cilësi që pëlqen t’ia thotë dhe njohë vetvetes përditë edhe në Tiranë me fitoren e 23 qershorit.

Pala tjetër shkruan se fitorja e Merkel tregoi se platforma politike e qendrës së djathtë mbetet zgjidhja më e mirë për zhvillimin e mëtejshëm dhe modernizimin e të gjithë vendeve tona. Çudi! Cili është modeli Merkel apo modeli CDU në Shqipëri? A kanë ngjashmëri ato me partitë tona gati private, ku nuk ka program, nuk votohet dhe nuk ka funksionim demokratik? A ka ngjashmëri midis parlamentit gjerman më personalitete të jashtëzakonshme brenda e jashtë vendit, me parlamentin tonë, me shumë emra që kanë të përbashkët një CV problematike brenda e jashtë vendit? A ka paralele dhe njësim midis shtetit me nivelin më të ulët të korrupsionit politik në eurozonë dhe njërit prej shteteve me indeksin më të lartë të korrupsionit politik në Evropë? Jo, natyrisht. Kjo është arsyeja që dy palët tona në urimet e tyre shohin tek Merkel jo modelin që vetë kanë dështuar ose nuk kanë lejuar të krijojnë, por diçka që atyre u pëlqen dhe duan të marrin nga emri e suksesi i saj, diçka për ta përdorur për vete në luftën e brendshme politike. Një praktikë shqiptare, gati fyese dhe e papranueshme për gjermanët, Merkel dhe liderit demokratik të modelit të saj.

Së fundi, zgjedhjet gjermane na dëshmuan edhe një detaj të vogël, por domethënës. Tri herë kancelarja e Gjermanisë ka në FB 382 mijë ndjekës, kurse ish kryeministri ynë që mburrej se me reformat e tij kishte lënë pas edhe Gjermaninë ka 661 mijë fansa, rreth dy herë më shumë! Një tregues tjetër simbol sesi politika tek ne mbetet sipërfaqësore, populiste, pompoze, propagandistike dhe sesi modeli ynë i vlerësimit për politikanët është jovicil, gati nënshkrues, miltant dhe pragmatist.

A mund të lexojmë midis modeleve të tilla si zgjedhjet dhe politika gjermane për të reflektuar, përmirësuar, ndryshuar dhe reformuar politikën, zgjedhjet dhe sjelljen publike edhe në Shqipëri? Një vend me kulturë, një klasë politike e përgjegjshme dhe një politikë inspiruese që premton fillim të ri, ringritje apo rilindje e bën, madje mezi e prêt një rast të tillë. Merkel këshillonte “demokracia nuk është gjithnjë një çështje e vendimmarrjeve personale, por si rregull, ajo është produkt i shumë proceseve të formimit të opinionit”, pra jo një aset privat i një apo dy individëve, por refleksion i një shoqërie, pjesëmarrëse, të vetëdijshme dhe aktive. Ne, jemi të tillë?

Shkrimi u publikua sot (24.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)