Mesazhet me Bushkën, ish-kryetarja e KLGJ-së Llagami: Fabrikime imagjinare për ndikime në drejtësi! U shpërndanë në mënyrë anonime nga një person që më përndjek

Mesazhet me Bushkën, ish-kryetarja e KLGJ-së Llagami: Fabrikime imagjinare për ndikime në drejtësi! U shpërndanë në mënyrë anonime nga një person që më përndjek

Naureda Llagami dhe Klotilda Bushka

Sajesa dhe fabrikime imagjinare me qëllim fundor për të ndikuar në sistemin e drejtësisë i quan ish kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, lajmet në disa media që flasin për disa komunikime të pretenduara mes saj dhe deputetes Klotilda Bushka, kryesisht lidhur me SPAK.

Në reagim, Llagami, pa e zbuluar emrin akuzon një gjyqtare që sipas saj e përndjek prej të paktën një viti, për të cilin thotë se është vënë në hetim edhe për kallëzim të rremë dhe falsifikim dokumentesh.

“Ato janë shpërndarë në mënyrë anonime në media të ndryshme, nga i njëjti person që në mënyrë të vazhdueshme vitin e fundit, më ka përndjekur në platformat sociale “Linkedin, Facebook”, duke postuar materiale që cënojnë haptazi dhe rëndë figurën dhe imazhin tim. Ky person ka fabrikuar gjithashtu komunikime imagjinare për ndikime në sistem, për të cilat është proceduar penalisht për “kallëzim të rremë” dhe “falsifikim të dokumenteve”, dhe pezulluar nga KLGJ (gjatë kohës që unë isha kryetare e KLGJ)”, shkruan ajo ndër të tjera.

Edhe pse ish drejtuesja e KLGJ nuk e thotë se për kë bëhet fjalë, mediat shkruajnë se personi të cilit i referohet znj. Llagami është gjyqtarja Arnisa Këlliçi, e pezulluar në shkurt 2024 nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pasi trilloi një histori kërcënimi me jetë nga persona të panjohur. Pas hetimeve Prokuroria e doli në përfundimin se kallëzimi ishte i rremë, dhe se gjyqtarja e Tiranës e kishte shkruar vetë letrën kërcënuese.

Për një komunikim të pretenduar me Naureda Llagamin, reagoi dy ditë më parë edhe deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, njëherazi kryetare e Komisionit të Ligjeve në Kuvendit. Edhe Bushka tha se komunikimet nuk janë të vërteta por sajesa me qëllime të caktuara.

"Në respekt të miqve, dashamirësve dhe të gjithë atyre që më njohin dhe që më kanë besuar votën e tyre, ndjej detyrimin të sqaroj se shpifjet dhe balta që po hidhet ndaj meje nga media të caktuara janë tërësisht të pavërteta. Këto janë sajesa me qëllime të caktuara dhe nuk kanë asnjë bazë në realitet. Për këtë arsye, që nesër do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të vënë drejtësinë në vend. E vërteta nuk mund të fshihet nga gënjeshtra", shkruante Bushka. 

Prej tre ditësh në disa media janë botuar foto mesazhesh që pretendojnë të jenë nxjerrë nga komunikimi mes Klotilda Bushkës dhe Naureda Llagamit, ku aludohet se flasin kundër SPAK dhe kapje të sistemit. Deputetja Bushka është vënë në hetim nga SPAK për çështjen e Erion Veliajt, për kryerjen e veprimeve aktive “që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Reagimi i plotë i Naureda Llagamit

Të nderuar miq, kolegë, bashkëpunëtorë, përfaqësues të medias, qytetarë, e ndiej të nevojshme të reagoj sërish ndaj disa artikujve të publikuar ndaj meje.

Në përmbajtjen e tyre janë publikuar komunikime elektronike me znj. Bushka të cilat nuk kanë ndodhur kurrë por janë fabrikuar, fakt që është lehtësisht i verifikueshëm. Ato janë shpërndarë në mënyrë anonime në media të ndryshme, nga i njëjti person që në mënyrë të vazhdueshme vitin e fundit, më ka përndjekur në platformat sociale “Linkedin, Facebook”, duke postuar materiale që cënojnë haptazi dhe rëndë figurën dhe imazhin tim.

Ky person ka fabrikuar gjithashtu komunikime imagjinare për ndikime në sistem, për të cilat është proceduar penalisht për “kallëzim të rremë” dhe “falsifikim të dokumenteve”, dhe pezulluar nga KLGJ (gjatë kohës që unë isha kryetare e KLGJ).

Vlerësoj nevojën për të dhënë këtë sqarim, pasi në 5 vjet që kam drejtuar KLGJ, jam përpjekur së bashku me koleget e mi, të krijojmë një model ndryshe qeverisje të sistemit gjyqësor.

Për të gjithë sa sqaroj më sipër, do të ndjek rrugën ligjore.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 20 Mars, 10:18

    Nisin kualifikueset e Botërorit, si del Angli-Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

 Policia ‘blindon’ Fushë-Krujën/ Operacion i madh antidrogë, kontrolle të shumta për kultivimin e kanabisit

Policia ‘blindon’ Fushë-Krujën/ Operacion i madh antidrogë, kontrolle të shumta për kultivimin e kanabisit