TIRANE - Mësuesit kanë mundësi të kryejnë lëvizje paralele brenda profilit të tyre në rastet kur në një shkollë tjetër hapet një vend pune. Por, ky vend mund të fitohet vetëm me anë të konkursit. Në bazë të një udhëzimi të nxjerrë së fundmi nga Ministria e Arsimit, thuhet se vendet e shpallura të lira në fillim u ofrohen mësuesve të të njëjtit profil dhe nivel, brenda së njëjtës njësi arsimore vendore.

Kërkesat për lëvizje paralele dhe dokumentacioni përkatës i paraqiten drejtorisë së institucionit publik të arsimit parauniversitar, ku është vendi i lirë i punës, ndërkohë që koha për të depozituar këtë dokumentacion është 10 ditë.