TIRANË- Duke i cilësuar si marrëdhënie të shkëlqyera, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka preferuar të nisë kështu replikën për takimin e tij me ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim, dy ditë më parë (23 shtator). Nisur nga këto marrdhënie, Meta tha si i ka thënë Kim se shpallja 'Non Grata' e Berishës ka ardhur si faturim i veprave të Lulzim Bashës dhe Edi Ramës.

Futja në listën e zezë të ish kryeministrit Sali Berisha ishte një vendim për të cilin Meta ka qenë dakord, por thekson se nuk është mes një zgjedhjeje "Berishës apo SHBA-së", pasi thotë se PL-ja është tërësish e pavarur, madje dhe nga vetë PD-ja.

"Ne nuk bëjmë zgjedhje midis zotit Berisha dhe Amerikës. Ne kemi programin tonë që është 100% i pavarur dhe nga vetë PD. Respektojmë vendimet që marrin simpatizantët e PD-së. Ne i qëndrojmë programit tonë për të përmbushur 100% detyrimet tona dhe njëkohësisht për të përshpejtuar me ritme marramendëse luftën kundër korrupsionit që janë kyçe për çeljen e negociatave.’- u shpreh Meta.

Konferenca e tij për media u përqëndrua fillimisht te akuza në drejtim të qeverisë dhe pushtetit vendor për rritjen e çmimit të ujit dhe premtimit të pambajtur siç e cilësoi ai nga ana e qeverisë. 

“Ka rritur çmimin në stratosferë të energjisë. Vepër e një artisti që ka marrë lejen në fushën e vjedhjes dhe korrupsionit dhe të gjitha aferat janë kulme të krijimtarisë së tij. Dështimet në sektorin e ujit të pijshëm, ku premtonte se do garantonte ujë 24 orë është spektakolar pasi niveli i humbjeve, pra uji që nuk merren të ardhura është i lartë, 67% e tij humbet ose vidhet nga keqmenaxhimi, vendi ka një prodhim të lartë të ujit, 272 mln kub në prodhim, nga 175 mln kub që kanë nevojë qytetarët dhe pavarësisht shuma të jashtëzakonshme që janë dhënë nga qeveria dhe pushteti vendor, këto para kanë përfunduar në xhepat e korrupsionit”, tha Meta.

Kujtojmë se takimi i Kim dhe Metës erdhi si surprizë pas gjithë përplasjeve të bëra mes tij dhe diplomates, kur Meta kishte ende kostumin e presidentit. Më herët, gjatë fushatës së tij në 2021, Ilir Meta, megjithëse në rolin e presidentit të vendit, me një gjuhë të paprecedentë sulmoi asokohe ambasadoren amerikane Yuri Kim, ku i kërkonte që mos të ndërhynte në zgjedhjet parlamentare. Vetë diplomatja amerikane dënoi gjuhën e ashpër të Ilir Metës, gjatë fushatës elektorale, ku ish-kreu i shteti u bënte thirrje qytetarëve, që të mprehin sfurqet e sëpatat që të mbrojnë votën.

Yuri Kim dënoi ashpër aso kohe fjalorin e Metës, duke e shigjetuar drejtpërdrejt kreun e shtetit dhe duke i thënë se thirrjet e tij për mprehje të sfurqeve dhe sëpatave janë të papranueshme dhe të dënueshme dhe se për këtë duhet të mbajë përgjegjësi. Përpos Metës, edhe vetë kreu i Rithemelimit, Sali Berisha e ka komentuar këtë takim të cilin e ka konsideruar si një takim normal me përfaqësitë e SHBA-ve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:38
Meta zbardh takimin me Kim: I thashë se shpallja e Berishës ‘non grata’ është vepër e Ramës dhe Bashës! Ja çfarë të mire pati ky vendim

 

Pak ditë pasi priti në zyrën e Partisë së Lirisë ambasadoren e SHBA-së Yuri Kim, Ilir Meta ka zbardhur edhe takimin me diplomaten amerikane. Sipas Metës, ai i ka shprehur ambasadores Yuri Kim, se shpallja e Berishës ‘non grata’ është vepër e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, vendimet e gabuara të të cilëve ja kanë faturuar Berishës. Meta tha se ky vendim ka një të mirë, kjo për faktin se pa një vendim të tillë do të ishte Basha ende kryetar.

‘Unë nuk mund t’ju flas se cilat ishin mesazhet e zonjë ambasadore. Ata flasin vetë nëse kanë diçka për të thënë. Por mund t’ju them se çfarë i thash zonjës ambasadore.  I thashë mendimin tim për shpalljen e Berishës ‘Non grata’. I shpreha bindjen time se kjo është vepër e Lulzim Bashës dhe Edi Ramës në bashkëpunim,. Gjithë vendimet e gabuara i ka marrë në bashkëpunim me Edi Ramën, djegia e mandateve, bojkotimi i votimit të reformës në drejtësi, falja e pushtetit vendor. Të gjitha këto vendime ja ka faturuar Berishës, ky është fakt dhe vendim i SHBA që nuk kemi pse ta diskutojmë. Unë e vlerësoj efektin pozitiv të këtij vendimi për të cilin nuk kam qenë dakord. Por pa një vendim të tillë do të kishim sërish Bashën kryetar të PD-së. Ne nuk bëjmë zgjedhje midis zotit Berisha dhe Amerikës. Ne kemi programin tonë që është 100% i pavarur dhe nga vetë PD. Respektojmë vendimet që marrin simpatizantët e PD-së. Ne i qëndrojmë programit tonë për të përmbushur 100% detyrimet tona dhe njëkohësisht për të përshpejtuar me ritme marramendëse luftën kundër korrupsionit që janë kyçe për çeljen e negociatave.’- u shpreh Meta.

Ora 12:28
Takimi me ambasadoren Kim, Meta: Kam marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA! Patëm biseda të hapura dhe konstruktive

 

Në konferencën e tij për media, kreu i PL-së, u pyet për takimin e tij për ambasadoren e SHBA-ve, Yuri Kim dhe sa i përket marrëdhënieve me diplomaten dhe nëse kjo e fundit e kishte cekur aleancën e tij me Berishën. Meta u shpreh se marrëdhëniet me SHBA kanë qenë gjithnjë të shkëlqyera dhe vazhdojnë të jenë ndërsa sa i përket kreut të ‘Rithemelimit’, Meta preferoi t’i shmangej pyetjes.

‘Unë mund t’iu them se marrëdhëniet e mia me SHBA gjithmonë kanë qenë dhe janë të shkëlqyera. Sidomos në forcimin e partneritetit bilateral, në plotësimin e detyrimeve tona si anëtar i NATOS. Dhe së treti sa i takon përshpejtimit të integritetit evropian që është një interes tjetër i SHBA. Dhe kemi patur një bisedë shumë të hapur, konstruktive, shumë bashkëpunuese, këtë mund të thosha.’- tha Meta.