TIRANE-Presidenti i Republikës Ilir Meta u ka dërguar nga një letër kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të PD-së, Lulzim Basha ku i fton nesër në takim për të diskutuar për zgjidhjen e krizës politike. Në letrën që ka zbuluar vetë kreu i qeverisë, Presidenti i shkruan se është në gatishmëri për të pritur kryeministrin nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 13:00 të mesditës në zyrën e tij.

E ndërsa Lulzim Basha ka pranuar ftesën, përgjigja e Edi Ramës ka qenë e prerë 'Kemi zgjedhje, jam i zënë'. Kryeministri thotë se ndodhet në fushatë sipas dekretit presidencial ku 30 Qershori është përcaktuar si datë zgjedhjesh. "Për shkak të fushatës elektorale që po zhvillohet sipas dekretit presidencial, ku 30 qershori është përcaktuar datë zgjedhjesh, kabineti im ka komunikuar telefonikisht pamundësinë për këtë takim. Po meqë Ilir Meta vazhdon të luajë letrash, ja dhe me shkrim" shkruan Rama në një postim në Twitter, shoqëruar me letrën që i ka dërguar Meta.

Në një reagim të dytë në Twitter Rama thotë se pret që pas anulimit të zgjedhjeve Meta të bëjë një tjetër çmenduri, por cilado qoftë ajo, të cilën Rama nuk e përmend, këmbëngul se zgjedhjet do të mbahen në 30 Qershor. Kreu i qeverisë shprehet se me Metën do të flasë vetëm pas 30 Qershorit.  "E meqë ra llafi tek loja e letrave të Ilir Metës, ju kam thënë pas antidekretit se pas asaj çrmendurie pres edhe nje tjetër. Se ç’kam një ndjesi që do ta bëjë, po për këtë do flasim nga e hëna e më tej se tani kemi vetëm një punë: Zgjedhjet në 30 qershor", shkruan Rama.

Pas përgjigjes së kryeministrit, Presidenca ka reaguar sërish duke theksuar se takimin me liderin e PD-së e ka fiksuar në orën 09:00, ndërsa kryetarin e PS-së thotë se do ta presë sërish që të gjejë kohë në harkun kohor të përcaktuar. "Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka ftuar zyrtarisht në takim kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryetarin e Partisë Demokratike për të biseduar për situatën politike në vend. Takimi me z.Basha është fiksuar të zhvillohet nesër në ora 09:00. Duke qenë në dijeni që z.Rama është i zënë me takime, Presidenti do të jetë nesër në zyrë nga ora 05:00 deri në ora 13:00 duke pritur sërish që kryeministri të gjejë kohë".

Dy janë hipotezat, ose Presidenti të shpallë datë të re zgjedhjesh ose të shpërndajë parlamentin, por të dyja janë antikushtetuese. Në kushtet kur Kolegji Zgjedhor la në fuqi 30 Qershorin, një tjetër datë e re zgjedhjesh do të ishte antikushtetuese. Po ashtu, Kushtetuta e Shqipërisë nuk parashikon asnjë tagër të Presidentit për shpërndarjen e parlamentit, përveç rastit kur nuk arrin të emërohet Kryeministri. Vendi ndodhet në një krizë të thellë, pasi Presidenti Ilir Meta në datë 10 Qershor zhdekretoi datën e zgjedhjeve të 30 Qershorit, pasi opozita e bojkotoi procesin dhe vijoi protestat. Por Kolegji Zgjedhor rrëzoi dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve duke lënë në fuqi datën 30 Qershor.

Shumica vijon përgatitjet dhe shprehet e vendosur për zhvillimin e zgjedhjeve lokale ditën e diel. Ndërsa opozita ka ngritur strukturat dhe përgatitur skenarin për protesta nga dita e nesërme deri në 2 korrik që synojnë bllokimin e procesit zgjedhor në të gjithë vendin. Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që të mbrohet procesi zgjedhor dhe që shqiptarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në organet e qeverisjes vendore.

Përgjigjja e Kryeministrit Rama ndaj letrës së Presidentit Meta