Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori pjesë në aktivitetin "Dita e Europës" në qytetin e Beratit ku ishte organizuar një simultane shahu me maturantë nga të gjitha gjimnazet e bashkisë së Beratit.
Në një prononcim për mediat, kryeparlamentari vlerësoi kontributin e mjeshtrit të shahut Fatos Muça dhe të mjeshtrave të mëdhenj në këtë sport për përkushtimin e tyre me qëllim masivizimin e tij.
Ndërkaq, Meta përgëzoi bashkinë e Beratit dhe Drejtorinë Arsimore Rajonale për organizimin e eventeve të tilla edukative dhe inkurajuese për fëmijët, që i ndihmojnë ata për të qënë më të realizuar për të ardhmen e tyre.
"Ne do ta mbështesim këtë traditë të shkëlqyer që ka pasur Berati, sa i takon sporteve dhe ka ardhur koha për një ripërtëritje të saj, pasi rinia beratase meriton të përfaqësohet akoma më cilësisht në shumë sporte që i ka patur traditë", theksoi Meta.I pyetur për iniciativën që ka marrë Federata Shqiptare e Shahut, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për futjen e shahut në shkolla, kreu i Kuvendit shprehu mbështetjen e plotë për këtë, duke e konsideruar një prioritet.
Ndërsa mjeshtri i madh i shahut, Fatos Muça, tha se jemi në fazën përfundimtare të ditës së shahut, që lidhet dhe me futjen e këtij sporti në disa shkolla, fillimisht në formë pilot në mbarë Shqipërinë.
/atsh/