- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, takon Enver Hoxhaj, kryetar i komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Kosovës -
Kryeparlamentari Meta ne takim me kryetarin e komisionit te Jashtem te Kosoves, Enver Hoxhaj
TIRANË, 13 Mars/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë një takimi me kryetarin e komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoxhaj, u shpreh për intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar mes dy vendeve në funksion të avancimit të axhendës së integrimit.
Gjatë takimit, kryetari i Kuvendit vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes Kuvendit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës si dy institucione ligjvënëse që mbështesin punën e përbashkët të dy qeverive respektive.
Në këtë drejtim, kryeparlamentari Meta shprehu mbështetjen për rritjen e kontakteve dhe bashkëpunimit mes dy Komisioneve për Politikën e Jashtme në funksion të avancimit të axhendës së integrimit evropian dhe të forcimit të bashkëpunimit rajonal.
Kryetari i komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoxhaj, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të Kuvendit të Shqipërisë në rritjen e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së Kosovës në aktivitetet rajonale dhe ndërkombëtare, duke theksuar se mbështetja e Shqipërisë është tepër e rëndësishme për zhvillimin e Kosovës.
Kryetari Meta nënvizoi angazhimin ndaj konsolidimit të perspektivës euroatlantike të Kosovës dhe të të gjitha vendeve të tjera të rajonit tonë, si një domosdoshmëri për stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
Enver Hoxhaj ndodhet në Tiranë në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën e Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare për Politikën e Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor. /a.s/ /a.ke/












