PRISHTINË, 12 Mars/ATSH/.- Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, dhe shefi i EULEX-it, Gabriele Meucci, kanë takuar sot kryetarin e Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi.
Sipas KosovaPress, ky takim është mbajtur në lidhje me akuzat e publikuara kohët e fundit për ndërhyrje në procedurat gjyqësore lidhur me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Zhbogar ka këmbëngulur se BE-ja nuk ndërhyn në vendimet e gjykatës. "EULEX-i nuk është në Kosovë për të ndjekur asnjë axhendë politike, por është për drejtësi dhe sundim të ligjit. Ekzistojnë mekanizma për gjetjen e parregullsive të mundshme. Drejtësia kurrë nuk duhet të jetë politike, por e bazuar në prova dhe fakte", citohet të ketë thënë Zhbogar.
Ndërkaq sipas komunikatës së zyrës së BE-së, shefi i EULEX-it, Meucci, paraqiti të gjitha faktet për të ashtuquajturin "rastin Kleçka", që aktualisht është në pritje të shqyrtimit në Gjykatën e Apelit.
Sipas Meuccit, misioni nuk ka ndërhyrë në rezultatin e gjyqit dhe asnjë anëtar i stafit të EULEX-it nuk ka kërkuar mbrojtje në lidhje me këtë rast./m.m/












