Milkani, Esat Musliu e Arben Skënderi akuzojnë SUADA-n për abuzime me tarifat e të Drejtave të Autorit

Artistë dhe përfaqësues të Mbrojtjes së të Drejtave të Autorëve në fusha të ndryshme të artit, po ngrenë akuza për abuzime kundrejt kupolës ekzekutuese të të Drejtave të Autorit SUADA

“Artistët shqiptarë, 90 për qind e tyre, vuajnë nga i njëjti sistem. Iu vidhet vepra, mashtrohen, dhe lodhen e sfiliten rrugëve, në një kohë që mblidhen aq të ardhura sa po të injektoheshin në sistemin e krijimtarisë, shumë nga këta krijues as derën nuk do t’ia dinin Ministrisë së Kulturës për të kërkuar fonde, por do të mjaftoheshin me fondet që do të merrnin nga të drejta e tyre,për të funksionuar me krijimtarinë e tyre, por edhe për t’i injektuar në sistem”, -thotë instrumentisti i njohur Arben Skënderi

Kineasti i njohur Pirro Milkani shprehet se Sporteli Unik i së drejtës së Autorit, nuk i ka dhënë asnjë shpërblim për të Drejtat e Autorit Forumit të Mbrojtjes së Autorëve Audiovizualë (FMAA). 

“Më të dëmtuarit jemi neve të FMMA-së, Forumit të Mbrojtjes së të Drejtave të Autorëve të Audiovizualit. Ndër këta 120 autorë, është edhe Ismail Kadareja, është Dritëro Agolli, Teodor Laço, Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika e të tjerë, të cilët deri parvjet, nga viti 2004, nga ne nuk kanë pasur asnjë ankesë. Ato pak para që janë grumbulluar nga e Drejta e Autorit janë shpërndarë në mënyrë transparente. Tani, si ta shpjegojmë ne që SUADA i shpërndan këto para në mënyrë krejt arbitrare dhe na injoron plotësisht ne, pa asnjë përjashtim.”, thotë regjisori i njohur Piro Milkani.  

Artistë të njohur dhe përfaqësues të organizatave të drejtave të autorit flasin për një histori paradoksesh në mënyrën e shpërndarjes së parave nga SUADA, e drejtuar nga Erlir Puto te Albautor, e drejtuar nga i njëjti person. 

“Ky drejtim nga një jurist, por që ka qenë edhe kryetar i Albautorit, nuk është i drejtë për dy gjëra: e para e punës, ai duhet të kuptojë që është mbi të gjitha drejtori ekzekutiv i SUADA-s por atij i tërheq kërraba nga Albautori. Ç’dua të them me këtë. Të gjitha të ardhurat që mblidhen në bazë të ligjeve dhe të rregullave duhet t’u shpërndahen këtyre shoqatave, në përqindje të caktuara, pavarësisht se janë apo nuk janë të drejta. Ai, deri tani, që po bëhet gati 8 muaj, ai po vepron në mënyrë absurde dhe të mbrapshtë. Forumi që i të drejtës së Mbrojtjes së Autorëve të Audivizualit, ku jam dhe unë pjesëtarë i këtij forumi që përmbledh kineastët, skenaristët, regjisorët, drejtorët e fotografive. Këta, konkretisht në këto tetë muaj, pa asnjë justifikim, nuk kanë marrë asgjë”, shprehet kienasti Milkani.  

“Pra, Albautor në këtë moment që po flasim, ka krijuar një sistem me më vendim të të Këshillit të Administrimit të Brendshëm që nuk bazohet as në ligj as në akte të tjera nënligjore, kritere sesi do të shpërndahen këto lekë: që do të thotë në vend që të zbatohet thjesht ajo që është vendosur në ligj, ata kanë shpikur sisteme për të paguar njëri-tjetrin në fakt. Dhe kjo SUADA e famshme, që më në fund u krijua dhe ishte një kërkesë nga të gjithë aktorët dhe faktorët në terren, mbasi funksionoj nja pesë a gjashtë muaj dhe filloj të funksionojë, u mblodhën të ardhurat dhe paratë nisën të shpërndahen, Ministria e Kulturës ia hoqi të drejtën e administrimit, sepse ia kishte lënë njërës nga Agjencitë, dhe ia jep Albautorit. Albautor, me gjithë këto probleme që po flasin, merr në qafë edhe sportelin unik (SUADA) dhe ka bllokuar sistemin.”, thotë Arben Skënderi. 

A ka një transparencë ligjore në shpërndarjen e vlerës së mbledhur për të drejtat e autorit

“Letra pa fund ne i dërgojmë ALbautorit, SUADA-s, nuk marrim përgjigje, dhe nuk është transparent, nuk na tregon se çfarë bëhet me këto të ardhura, që kanë ardhur të themi nga Zvicra.”, përgjigjet i revoltuar regjisori i njohur Piro Milkani

Duke mos pasur një akt-pagesë transparente në dorë, artistët ngrenë akuza për abuzime të ndryshme:

“Krijues nuk ka vetëm në Tiranë, por ka në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Pjesa me madhe, jo vetëm që nuk marrin shpërblime për veprat që përdoren, por as nuk ia kanë idenë se ku të përplasen dhe si të sqarohen për këtë gjë.”, thotë Arben Skënderi.  

Por, a lejon ligji hapësira të tilla për të abuzuar?

Piro Milkani përgjigjet se: “Struktura e SUADA-s është në rregull. Rregulloret e brendshme që janë të caktuara kanë nevojë për korrigjime, ashtu siç iu thasë. Ka absurditete ku thotë, 20 për qind i ka autori, 20 për qind i ka muzika; muzika dhe kompozitori janë një.” 

Ngërçi është krijuar edhe në lidhje me kompanitë e huaja të të drejtave të autorit

Artisti Arben Skënderi flet publikisht për miliona lekë që janë dërguar nga Zvicra dhe sipas tij, artistët nuk kanë marrë asgjë. 
“Po ju jap edhe një shembull tjetër, që është edhe ky flagrant. Para pak kohësh, Albautori ka marrë 200 milionë lekë nga Zvicra, për të gjitha veprat e përdorura për një periudhë kohore, jo të pakët, në kanalet televizive dhe gjithë mediat që kanë, sepse aty ka një komunitet të madh shqiptar. Dhe këto 200 milionë lekë, që kanë ardhur në Shqipëri, duhet të shpërndaheshin për mbajtësit e të drejtave. Pra ne nuk e dimë sot, as ku kanë shkuar këto lekë dhe kujt i janë dhënë dhe pse i janë dhënë.”, tha Skënderi.  

Report Tv dhe Shqiptarja.com kanë investiguar rreth konfliktit të interesit që ka mes zgjedhjes si drejtor i SUADA-s të drejtorit të Albautor, Erlir Puto. 

“Në një mbledhje që kam qenë unë, drejtori SUDADA-s tha: Ne na kanë ngelur edhe 72 milionë të vjetra për t’u ndarë. Unë di që 70 milionë të vjetra do t’i marrë Albautori dhe 2 milionë lekë të vjetra do t’i marrë  Forumi i Audiovizualit. Si mund t’i marrë unë këto. Kjo është një fyerje, kemi refuzuar dhe kemi vazhduar të refuzojmë.”, thotë Milkani. 

Regjisori i njohur dhe producenti i filmit shqiptar, Esat Musliu, shprehet se problemi nuk qëndron vetëm tek abuzimet që bëhen nga përfaqësues të SUADA-s.

“Më krijimin e Sportelit unik (SUADA), me hyrjen në fuqi për të Drejtën e Autorit, i ripunuar në 2016-n, neve që në ligj, kemi gjetur plot të meta, plot nene të cilat duhet të amendohen. Kemi ndërhyrë edhe pranë grupit parlamentar që është për median, kur është diskutuar ligji, dhe kemi kërkuar që atje që atje që disa nene patjetër duhet të ndryshojnë. Për shembull, duhet të ndryshohen nenet që kanë raportin e ndarjes së të ardhurave të së drejtës së autorit. Në strukturën e re të Të Drejtës së Autorit është një institucion që quhet Këshill Kombëtar i të Drejtës së Autorit. Ky këshill është një bord i krijuar nga Drejtoria e të Drejtës së Autorit që është pranë Ministrisë së Kulturës dhe janë 5 individë, të cilët janë nga fusha të ndryshme, janë të jashtëm, janë njerëz që janë punësuar të tjera dhe sigurisht vijnë në bord: diskutojnë për të drejtat e autorit, vendosin për të drejtat e autorit, firmosin ligje dhe standarde dhe njëkohësisht ajo që është më skandaloze është se kanë firmosur tarifa. Këto tarifa që janë të firmosura nga një drejtoreshë, që quhet Ines Muçostepa, legjitimojmë ose përcaktojnë një ndarje tarifash që është shumë skandaloze në rastin tonë.”, deklaron Musliu    

Duke mos mundur të shpërndajë të ardhura për krijimtarinë e përdorur nga mediume të ndryshme, më në fund, regjisori i madh, Esat Mysliu, ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i FMMA-së. Abuzimet, përveç dorëheqjes së Esat Musliut nga Audiovuzuali, kanë një kosto më të madhe.

“Ne do t’i tërheqim totalisht të gjithë filmat shqiptarë, pastaj në daci le ta mbyllin këtë agjenci, se e shikoj se kompetencat e Audiovizualit përpiqet t’i rrëmbejë Erlir Puto. Dhe i ka rrëmbyer, dhe më habit shumë ky fakt i tillë. Në jemi regjisorë me tituj; Artistë të Popullit, Artistë të Merituar, Mjeshtër i Madh, e të tjera dhe nuk kemi bërë zë, por ne po kërkojmë vetëm të drejtën tonë. Dhe e drejta jonë është se nuk mund të barazohet një film me tre minuat muzikë. Ja kjo është”, shprehet i revoltuar regjisori i njohur Musliu.  

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë