Që kur isha gazetare e re, sot e 30 vite më parë dhe kërkoja nëpër Tiranë lajme të kulturës, vura re se politika dhe ngjarjet e egra të demokracisë së re ua patën rrëmbyer “tapetin e kuq” të vëmendjes dhe të lavdisë artistëve; poetëve po e po. Për këtë bëra dhe një shkrim, “periferik”, si gjithnjë, në faqet e fundit të gazetës ku punoja. Ishte e njëjta kohë kur Edi Rama, atëherë artist, ish-student i Arteve, vendosi të bëjë art në politikë. Për artistët në Shqipëri nuk kishte më vend. Disa prej tyre u bënë gazetarë, të tjerë gjithashtu politikanë, deputetë, biznesmenë… Artistët që mbetën artistë mbajtën mbi supe peshën e rëndë të vështirësive për mbijetesë.
Por peshën më të rëndë në kurriz e mbajtën poetët. Askush më nuk kishte kohë dhe dëshirë të lexonte poezi. Shqiptarët humbën masivisht mundësinë për t’u ushqyer me poezi. Dhe ky ishte një mëkat i parë i lirisë dhe demokracisë.
Sot kushtet dhe rrethanat vunë në qendër të vëmendjes Mimoza Ahmetin. Një poete mbi poetet. Një Poeteshë!
Poetët e vërtetë janë të rrallë në çdo komb, por në Shqipërinë tonë të vogël, akoma më të rrallë pikërisht sepse ne jemi pak. Për të kuptuar Mimoza Ahmetin duhet të njohim se si mençuria botërore i ka konsideruar poetët që në kohë të kohëve.
Një poet i vërtetë është një njeri që prek misterin e ekzistencës edhe pa e shpjeguar domosdoshmërisht. Poetët, që në lashtësi, janë parë jo thjeshtë si individë që shkruajnë vargje, por të aftë të jetojnë në një gjendje ndjeshmërie të hapur, në prag të mrekullisë, të dashurisë dhe të heshtjes. Thonë se poetët përthithin atë që filozofët kërkojnë të analizojnë dhe mistikët përjetojnë qënësisht. Nëse filozofi mendon për të vërtetën, poeti i këndon të vërtetës, ndërsa mistiku shndërrohet në të vërtetën.
Që në kohë të kohëve thuhej se poetët janë një lloj ure: Akoma të pandriçuar totalisht si mistikët, por ama përtej racionalitetit të ngurtë. Poeti e ndjen hyjnoren tek bukuria, tek natyra, te dashuria dhe muzika. Poezia është arti më i afërt ndaj lutjeve sesa ndaj logjikës, sepse lind më shumë nga një gjëndje ekstaze dhe mrekullie se sa nga ftohtësia e logjikës.
Ashtu si dhe në besimet e lashta, poezia e vërtetë lind kur egoja lihet mënjanë dhe diçka që vjen nga thellësi të paeksploruara njerëzore, del në sipërfaqe përmes poetit.
Poet i vërtetë nuk bëhesh dot, poet lind. Moza është një poeteshë e lindur. Për ne është si të shohim një mrekulli në veprim. Asnjë individ me ego të tepruar, nuk mund të dëgjojë dhe të kuptojë dot se çfarë thotë një poet i vërtetë. Fakti që sot shumë e pëlqejnë Mimoza Ahmetin do të thotë se shqiptarët po punojnë të zvogëlojnë egon e stërzmadhuar. Dhe ky është nja lajm shumë i mirë.
Komente









