Ka diçka thellësisht domethënëse te një njeri që del në rrugë për të kryer një akt që pretendon se është në emër të dinjitetit, drejtësisë apo revoltës qytetare, por e mbulon fytyrën sikur të ishte duke kryer një krim. Ai kërkon të shihet akti i tij, por jo autori; kërkon të dëgjohet zemërimi i tij, por jo zëri i identitetit të vet. Dëshiron të jetë protagonist në skenën e revoltës, por anonim në faqen ku regjistrohet përgjegjësia.

Këtu lind pyetja: çfarë e shtyn një njeri të mbulojë fytyrën pikërisht kur pretendon se po lufton për një kauzë që e konsideron të drejtë?

A është frika nga ligji? Turpi nga ajo që po bën? Mungesa e bindjes se akti i tij mund të mbrohet me emër e mbiemër? Apo kemi të bëjmë me diçka më të ndërlikuar, me një individ që nuk vepron më si qytetar i përgjegjshëm, por si pjesë e një mekanizmi ku dikush tjetër përcakton objektivin, ndërsa ai vetë e furnizon me krahun, grushtin dhe gurin?

Sigurisht, fytyra e mbuluar nuk është provë automatike e manipulimit. Njerëzit mund të kenë arsye të ndryshme për të fshehur identitetin, dhe jo çdo protestues i maskuar është huligan. Por kur maskimi shoqërohet me dhunë, shkatërrim dhe sulme të qëllimshme, ai merr një domethënie tjetër: nuk fsheh vetëm fytyrën, por maskohet për t'i ikur përgjegjësisë.

Të rinjtë e të rejat e Dhjetorit 1990 nuk e mbuluan fytyrën, sepse nuk kishin arsye të fshihnin identitetin e tyre. Përkundrazi, ata dolën me fytyrën zbuluar për të marrë përgjegjësinë historike të një kauze emancipuese. Nuk kërkuan të ishin thjesht duar që rrëzonin një sistem, por qytetarë që merrnin përsipër të ndërtonin një të ardhme tjetër.

Këtu qëndron dallimi thelbësor: të dalësh me fytyrën zbuluar do të thotë të vësh emrin, identitetin dhe përgjegjësinë tënde pas asaj që kërkon. Është të pranosh se liria që kërkon për veten duhet të përfshijë edhe përgjegjësinë për veprimet e tua.

Sigurisht, maskimi nuk provon detyrimisht mungesë guximi apo qëllime të fshehta. Por kur shoqërohet me dhunë, flakë e shkatërrim nga Heronj pa fytyra", lind një pyetje legjitime: kush merr përgjegjësi për atë që bëhet në emër të kauzës?

Të rinjtë e Dhjetorit nuk kishin nevojë të fshiheshin pas maskave për t'i dhënë peshë historike kërkesës së tyre. Ata e dinin se një kauzë emancipuese nuk mbrohet vetëm duke sfiduar pushtetin, por edhe duke dëshmuar se je i gatshëm të mbash përgjegjësi për sfidën që ndërmerr. Një kauzë që përballet me një sistem të kalbur fiton besim kur mbrohet me dinjitet, jo kur sulmohet me fytyra të fshehura.

Sepse ekziston një ndryshim i madh midis atij që rrezikon veten për të fituar lirinë dhe atij që mbulon fytyrën për të mos u njohur kur shkel mbi të drejtat e të tjerëve.

Në disa raste, turma nuk është thjesht një grumbull individësh të zemëruar. Ajo mund të shndërrohet në instrument të një strategjie. Dikush krijon klimën, dikush përcakton objektivin, dikush ushqen urrejtjen, dikush e paraqet përplasjen si të pashmangshme. Pastaj, në skenë dalin ata që bëjnë atë që të tjerët mund të mos dëshirojnë ta bëjnë vetë.

 

Maja e shigjetës është pjesa që prek objektivin, që shkakton dëmin dhe që bie e para në sy. Por shigjeta nuk e zgjedh vetë drejtimin. Pas saj qëndron harku, dhe pas harkut një dorë. Megjithatë, jo çdo shigjetë ka domosdoshmërisht një harkëtar të fshehur; ndonjëherë turma vepron nga zemërimi i vet, nga imitimi, nga dinamika e grupit ose nga bindjet e saj.

Pyetja mbetet legjitime: kujt i shërben një dhunë që, në vend që ta forcojë një kauzë, e diskrediton atë? Kush përfiton kur vëmendja largohet nga kërkesat politike dhe përqendrohet te flakët, gurët, xhamat e thyer dhe përplasjet? Çfarë lloj guximi është ai që kërkon të ndryshojë shoqërinë, por nuk guxon të mbajë mbi fytyrë dhe mbi emrin e vet gjurmën e veprimit?

Sepse guximi qytetar nuk matet me forcën e gurit, me lartësinë e flakës apo me zhurmën e britmës. Matet me gatishmërinë për të dalë përballë padrejtësisë pa u bërë vetë padrejtësi. Maska nuk e bën të padukshëm; e ekspozon. Pas saj fshihet një trim- hero pa emër, që kërkon të njihet për frikën që u ngjall të tjerëve, por nuk guxon të njihet për atë që bën vetë. Ai kërkon të njihet nga aktet, por të mos njihet si autor i tyre.

Një trimëri e çuditshme: të kesh guximin të shkatërrosh, por jo guximin të thuash: “Isha unë!” Sepse të mbrosh të drejtat e tua deri aty ku fillojnë të drejtat e tjetrit është qytetari; të shkatërrosh të tjetrit në emër të të tuave është hipokrizi me kapuç. Dhjetori 1990 nuk është thjesht një kujtim historik; është një standard moral. Na kujton se protesta fiton dinjitet kur fjala merr përgjegjësi, kur guximi nuk fshihet pas maskës dhe kur kauza është më e rëndësishme se anonimiteti i atyre që e shpallin.

Dhe po, këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë./TemA