Në Maqedoninë e Veriut po mbahet Ministeriali i Ballkanit Perëndimor mbi Reformat në Administratën Publike, ku u ndanë dhe disa çmime për performancën e institucione publike për disa nga vendet e rajonit, përfshirë dhe Shqipërinë.
Institucioni i vetëm që u vlerësua nga Shqipëria me çmimin “Njohje speciale për besimin në administratën publike. Për sistemin e E-Ankesave” është Komisioni i Prokurimit Publik (KPP).
Në një prononcim pas marrjes së çmimit, kryetari i KPP-së, Jonaid Myzyri në emër të Komisionit të Prokurimit Publik shprehu mirënjohjen për RESPA dhe SIGMA-OECD për mundësinë e ofruar për t’u mbledhur dhe për të promovuar praktikat më të mira në Ballkanin Perëndimor.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate shqiptarja.png)
“Kjo do të thotë shumë për ne, është një inkurajim për të ecur më tej në rrugën e reformave, të cilat zakonisht nuk janë një detyrë e lehtë. Është më se e nevojshme të jemi bashkë dhe të hapur, të ndajmë praktika dhe të mësojmë nga njëri-tjetri, sepse nuk ndajmë vetëm të njëjtat sfida, por ndajmë të njëjtin synim, integrimin në BE. Digjitalizimi si Strategji kundër Korrupsionit thekson se digjitalizimi mund të ndryshojë rastet e korrupsionit duke reduktuar arbitraritetin, duke rritur transparencën dhe duke mundësuar llogaridhënien, si dhe duke ҫmaterializuar shërbimet dhe limituar ndërveprimet njerëzore. Duke vënë në plan të parë qytetarët, biznesin, palët e interesuara, të gjithë mund të kontribuojnë në rritjen e besimit në administratën publike”, tha ai.
Myzyri tha se “ky ҫmim shkon jo vetëm për ekipin tonë të palodhur, por edhe për ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”.
“Së fundmi, por jo për nga rëndësia, dua të shpreh mirënjohjen time për Kuvendin e Shqipërisë dhe qeverinë shqiptare, që i besuan vizionit tonë, dhe mbështetën ҫdo hap. Dëgjimi i zërit të një institucioni të vogël, por më një rol të rëndësishëm në zinxhirin e prokurimit ishte vendimtar për suksesin e këtij projekti. Shumë faleminderit, për një ngjarje kaq mbresëlënëse”, deklaroi Myzyri.
E pranishme në këtë samit ishte dhe Ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi e cila e vuri theksin tek reformat e ndërmarra nga ana e qeverisa në fushën e Digjitalizimit të shërbimeve.
Disa muaj më parë Komisioni i Prokurimit Publik prezantoi Sistemin e parë elektronik të ankesave në Shqipëri. Përmes këtij sistemi të gjithë ankesat për procedurat e Prokurimit Publik, Prokurimit Publik për Rindërtim, Koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat, Ankandeve Publike dhe Garave Konkurruese për Leje Minerare do të dorëzohen në formë elektronike përmes platformës unike qeveritare e-Albania.
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)