Kreu i "Shqipëria Bëhet", Adriatik Lapaj thotë se nisma e mazhorancës për të bërë ndryshime ligjore në Kodin Penal, ku nuk lejohet pezullimi i kryeministrit, ministrave, apo presidentit, është një grusht shteti në konceptin sesi duhet të funksionojë demokracia.
Në një intervistë për "Studio Live" me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, Lapaj u shpreh se mazhoranca po shfrytëzon numrat e saj për të deformuar ligjin.
“Ajo që po ndodh në Shqipëri është e habitshme në vetvete, për shkak se vendi është keqtrajtuar në të gjitha dimensionet në këto dekada, besimi te shteti është vrarë. Nuk po duket se njerëzve u bën përshtypje më, pasi elita përgjithësisht është konformuar dhe qytetarët nuk orientohen dot saktë, në lidhje me atë që është realiteti në Shqipëri. Kjo që po bën PS, është grusht shteti në konceptin sesi demokracitë duhet të funksionojnë. Partia që ka më shumë vota, ose grupi parlamentar që ka aq vota sa mund të ndryshojë kodin përkatës, mund të aplikojë numrat e veta, por kur ndodh në kushtet e nevojës që ata kanë për të zgjidhur një problem adekuat të tyre në moment, jemi para një rasti kur një parti politike shftyrëzon numat që ka marrë për tjetër gjë për qytetarët, ta zëmë se i ka marrë ashtu, i keqpërdor për të deformuar një ligj, që i ka dalë si pengesë para. Kjo është e papranueshme", tha ai.
Sipas Lapajt, ky është një precedent që nuk duhet lejuar.
"Me këtë precedent, çdo hap i mëtejshëm i këtyre apo atyre që mund të vijnë nesër, qofshin edhe ne, është qasje e gabuar. Kjo nuk mund të lejohet, do kundërshtuar. Të gjitha partitë dhe individët që janë në politikë, duhet të distancohen, duhet të rreshtohen kundër saj, lidhet me një standard që nuk mund të aplikohet", deklaroi Lapaj.
Lapaj tha se më 1 mars, forca politike që ai drejton do të mbajë protestën e pestë kombëtare.
"Ne jemi këtu prej 74 ditësh, me një rezistencë model për të shprehur kundërshtimin tonë për çfarë ndodh në Shqipëri. Kemi organizuar 4 protesta të mëdha, më 1 mars kemi thirrur protestën e pestë. Ne kemi në dorë të mos rreshtohemi dhe të mos nënshtrohemi me të keqen. Po e bëjmë këtë përballje me dinjitet, me etikë. Duhet të kthehet vëmendja drejt llojit të protestës, që promovon qytetarinë dhe rezistencës përmes ideve, është kjo që ne po bëjmë. Protesta e pestë, më 1 mars, ora 12:00 do jetë protestë që do të tregojë qëndrueshmëri", nënvizoi ai.
Ndër të tjera, Lapaj tha se nuk i është bashkuar protestave të PD apo edhe partive të tjera politike, sepse sipas tij, protestat kundër Edi Ramës nuk duhet të kenë sigla partiake.
“Ne prej ditës së parë, kemi bërë thirrje që ky shesh duhet të bashkojë të gjithë faktorët qytetarët, organizatat e shoqërisë civile, intelektualët e angazhuar, qytetarët, partitë politike, të angazhohen në shesh, në flamurin kombëtar, pa sigla partiake, përballë Edi Ramës dhe sistemi i tij monstruoz politik që ka ndërtuar për të deformuar vullnetin e qytetarëve. Ne nuk kemi qëndruar të thirrur nga PD, dhe nuk do të qëndronim në asnjë protestë të thirrur nga asnjë parti tjetër. Këtu bashkimi duhet të jetë përtej një sigle, por nën flamurin kombëtar. Është e vetmja mënyrë që mund të krijohet një bashkim i madh, përtej një partie", shtoi ai.
Lidhur me pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, Lapaj tha se orientimi euroatlanik është i duhuri që duhet ndjekur nga vendi ynë.
“Për Bordin e Paqes, nëse ka një gjë që politika shqiptare e ka bërë mirë në këto vite të tranzicionit, është orientimi euroatlantik i vendit dhe bashkëpunimi me SHBA. Bëj pjesë te ata njerëz që kritikoj objektivisht problemet, por e them të vërtetën siç është, kur e meriton të thuhet. Orientimi jonë euroatlantik ka qenë drejtimi i duhur dhe duhet të jetë i tillë", tha Lapaj.
Komente










