TIRANË- Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar Antonio Tajani është shprehur pro integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Ai thotë se burokracirat e krijuara sa i përket procesit të integrimit, rrezikon të ketë efekte negative në këto vende.
“Ajo çka këto Vende kërkojnë nuk është një lehtësim i reformave që Bashkimi Evropian u ka kërkuar të realizojnë për t’u bërë pjesë e tij, por siguria e procesit, afatet kohore dhe, mbi të gjitha, rezultatin përfundimtar. Kam mundur në fakt të prek nga afër shqetësimin e tyre për një proces integrimi që vitet e fundit ka ndryshuar gjithmonë e më shumë edhe për shkak të një interpretimi burokratik të dinamikave të bisedimeve nga ana e Bashkimit Evropian. Duke vepruar në këtë mënyrë harrojmë vlerën e jashtëzakonshme transformuese që procesi i integrimit u jep institucioneve dhe shoqërisë civile të këtyre Vendeve. Ëndrra evropiane rrezikon të kthehet, për të gjitha këto, në një utopi”, tha Tajani.
![]()
Duke marrë shkas nga lufta në Ukrainë, ministri thotë se duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për BE, pasi nuk duhet ta humbasë kurrsesi Ballkanin Perëndimor.
“Zhgënjimi në rritje, i shtetasve të Ballkanit Perëndimor, mbi perspektivën evropiane të Rajonit, është një këmbanë alarmi që duhet të shkundë Bashkimin Evropian dhe Vendet anëtare të tij. Kujdes: Bashkimi Evropian nuk mund t’i lejojë vetes të humbë Ballkanin Perëndimor. Siguria evropiane – dhe agresioni rus ndaj Ukrainës na e kujton gjithmonë se sa e kërcënuar është ajo sot – do të rrezikohej seriozisht nga kjo perspektivë. Italia është ndër Vendet më shumë të rrezikuara nga një skenar i tillë, edhe në frontin e emigracionit”, shtoi ministri.
Ai tha se Italia është një mbështetëse e madhe ndaj këtyre vendeve për të realizuar ëndrrën europiane.
“Qeveria italiane është e angazhuar dhe do ta luajë rolin e saj deri në fund, siç përmendi Kryeministrja në çelje të mbledhjes ministrore në Romë. Angazhimi ynë në Ballkanin Perëndimor do të vijojë me më shumë fuqi e bindje. Vendet e Ballkanit nuk mund të presin më gjatë”, përfundoi Tajani.
Kjo fjalë e tij u mbajt në takimin ministerial për Ballkanin Perëndimor në Romë, ku ishin të pranishëm ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, ministri i Jashtëm suedez Billstroem, si President i Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Varhelyi. Këtij ministeriali i drejtua me një mesazh edhe Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila ka thënë se një përshpejtim i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian do të rriste stabilitetin.

