Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi sot në Kuvend projektligjin për pranimin e ndryshimit të Marrëveshjes Ndërkombëtare për Vajin e Ullirit dhe Ullinjtë e Tavolinës, duke garantuar vijimësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Këshillin Ndërkombëtar të Ullirit (COI), ku Shqipëria është anëtare prej vitit 2009.

Në fjalën e tij, Ministri Salla theksoi rëndësinë që ullishtaria dhe prodhimi i vajit të ullirit kanë për bujqësinë shqiptare, si një aktivitet tradicional dhe burim të ardhurash për fermerët dhe familjet e angazhuara në kultivimin, përpunimin dhe tregtimin e këtij produkti.

“Në vitet e fundit ky sektor ka njohur zhvillim të qëndrueshëm. Është investuar në përmirësimin e teknologjisë së përpunimit, në kushtet e ruajtjes dhe të prodhimit, si dhe në rritjen e cilësisë së vajit të ullirit. Krahas rritjes së prodhimit, gjithnjë e më shumë vëmendja po drejtohet te cilësia, standardizimi dhe krijimi i mundësive më të mira për tregtimin e produkteve shqiptare”, u shpreh Salla.

Projektligji parashikon pranimin e vendimit të Këshillit të Anëtarëve të COI-së për ndryshimin e nenit 36 të Marrëveshjes. Sipas ndryshimit të miratuar më 24 qershor 2024, Marrëveshja do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor 2026, me mundësi zgjatjeje për periudha të njëpasnjëshme, secila jo më e gjatë se pesë vjet.

“Me miratimin e këtij projektligji sigurojmë vazhdimësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë organizatë dhe ruajmë aksesin e sektorit shqiptar në standardet, informacionin, ekspertizën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar që ajo ofron”, theksoi Ministri.

Ministri Salla sqaroi se ndryshimi nuk krijon angazhime të reja ndërkombëtare dhe as kosto financiare shtesë për Buxhetin e Shtetit, përtej kontributit vjetor ekzistues të Shqipërisë si vend anëtar.

“Synimi ynë është që fermerët dhe operatorët shqiptarë të përfitojnë gjithnjë e më shumë nga rritja e cilësisë dhe e vlerës së prodhimit të tyre dhe që vaji shqiptar i ullirit të jetë një produkt gjithnjë e më i njohur dhe konkurrues”, përfundoi Ministri Salla.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Nisin diskutimet për pagat e magjistratëve! PS propozon rritje sa 2% e pagës së Presidentit! Bardhi: Puc kushtetues